83 vjet PKSH-PPSH-PSSH, 83 vjet të përmbytur nga të këqijat...!

Opinione

83 vjet PKSH-PPSH-PSSH, 83 vjet të përmbytur nga të këqijat...!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 11:04
Autori Xhevat Mustafa

83 vjet më parë, të dërguarit e Titos në Shqipëri, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha "pollën" Partinë Komuniste të Shqipërisë! Po këta dy "mami" u kujdesën të shmngnin personalitete intelektuale dhe me shqiptari të konfirmuar me vepra e të vinin në krye të saj njeriun e tyre, shkollëmesëm, pervers, antishqiptar i tërbuar, Enver Hoxhën. Qysh nga kjo ditë Shqipërisë dhe Kombit Shqiptar i kanë rënë mbi kokë ortekë me gjëma e të këqija...! Fakti që edhe sot e kësaj dite, edhe pas rreth 33 vitesh në pluralizëm politik, jemi aty ku ishim më 8 nëntor 1941, më 29 nëntor 1944 apo më 22 mars 1992, më 23 mars 2013..., më 8 nëntor 2024, po të fundit në Europë për nivelet e zhvillimit, pagave, pensioneve, mirëqenies, demokratizimit të vërtetë, shtetit ligjor dhe social funksional, zgjedhjeve me të vërtetë të lira e të ndershme...dhe të parët për shumë të këqija, i shtyn shumë shqiptarë në Shqipëri dhe diasporë të pyesin vetveten dhe njeri-tjetrin: përse jemi prej 80 vitesh në këtë gjendje? Kemi një vend ndër më të pasurit për pasuri nën dhe mbi tokësore, me një klimë shumë favorizuese për kultivimin e artikujve bujqësore dhe të frutikulturës në të katër stinët, me diell rreth 9 muaj, me mundësi për turizëm detar dhe malor gjatë 365 ditëve të vitit…?

Po përse nuk na kanë ndihmuar të ishim shumë më mirë dhe krejt ndryshe të gjitha këto resurse, jo kaq prapa vendeve që nuk i kanë këto pasuri në nivelin tonë dhe që më 28 nëntor 1912 dhe 29 nëntor 1944 nuk ishin kaq shumë para nesh? Sipas meje, përgjigjet mund të kërkohen dhe gjenden në tre drejtime: tek vetvetja, tek fqinjët antishqiptarë deri në histeri dhe monstruozitete, tek sistemi...

E keqja jonë si popull e si vend është se enverizmi jeton e na pengon edhe sot e kësaj dite e do të na dëmtojë shumë gjatë, jo vetëm nga ata që i shkojnë Enverit tek varri me portrete dhe tufa lulesh në duar më 11 prill, më 5 maj, 16 shtator, 24 maj, 16 tetor, 8 nëntor, 29 nëntor...Jo pak të tjerë, më së shumti në fshatra, zona periferike të qyeteteve dhe të ardhur nga fshati pas vitit 1990, janë me Enverin e tyre, me mentalitetin, dogmat, parullat, zakonet, veset që u rrënjosi ai, edhe nëpërmjet nostalgjisë që shprehin hapur e në mënyrë provokuese për atë si njeri, si sistem dhe epokë, duke guxuar të nxjerrin nga goja edhe” frazën e çmendur” se “ishim më mirë në kohën e tij”.

Pas 80 vjet mashtrimesh, nëpërkëmbjesh, dështimesh, zhgënjimesh nga e majta, shkaktare dhe përgjegjëse e vetme që jemi në këtë gjendje mjerane, të fundit në Evropë për shumëçka dhe në rrezik të katandisjes në 1 milionë banore pas rreth 30 vitesh, i takon edhe "të majtëve" të reflektojnë për të ndërruar bindje, krah lëvizjeje dhe vote, sepse përndryshe do ta pësojmë të gjithë edhe më keq se në këta 80 vjet! Sipas meje, në parim, të jesh sot enverist, "i majtë shqiptar" shpreh besnikëri dhe partishmëri të verbër apo të çmendur ndaj një partie që të ka mashtruar, tradhtuar, kafshërisht trajtuar jo një herë e gabimisht, por 80 vite me radhë e pa ndjerë e shprehur pendesë dhe ndjesë. Edhe kali, mushka, pela, gomari, qeni, macja..., kur e dinë se në cilin krah kanë një gjarpër a rrezik, nuk e harrojnë nga mund t'u vije e keqja dhe shpejt ndërrojnë drejtim e rrugë...

Si rrjedhojë e plotpushtetshmërisë 80 vjeçare të enverizmit, në këta 11 vjet maskuar keq, “modernizuar” dhe “veshur” me poturet e edramizmit, në këta 80 vjet nuk kemi pasur as të majtë dhe socializëm të vërtetë dhe as të djathtë dhe kapitalizëm të vërtetë, por një " çorbë" alla lindore, allashqiptare, "e mirë dhe shijshme" më shumë për rreth 200 mijë familje shqiptare me biznese të mëdha e të mesme dhe paga të larta në zyra shteti e qeverisjeje si dhe për serbët dhe grekët, që lumturohen kur na shikojnë në këtë gjendje. Një popull e bën të urtë si "dele" dhe e mban pas vetes shumë gjatë, kur e mashtron, kur e terrorizon me dhunë e mjerim, kur e vjedh sy më sy...dhe kur pasurimin tënd të pistë i'a shet si fryt djerse të ndershme...Tashmë është bërë e qartë se përrallat apo farat e komunizmit dhe të socializmit u mbollën në vende dhe popuj të Lindjes, ku rreth 80 përqind e popullsisë jetonte në fshat ose ishte me origjinë fshatare, me nivel tejet të ulët arsimor, kulturor, edukate qytetare. Shprehur edhe më qartë: gjetën " shtrat të ngrohtë" apo klimën dhe tokën e përshtatshme në vende dhe popuj me nivel të lartë varfërie, analfabetizmi, injorance...

Kjo shpjegon ndarjen si me thikë të Botës, në Perëndimin e djathtë, kapitalist, me nivel të lartë zhvillimi, mirëqenieje, demokracie dhe në Lindjen komunisto- socialiste, ku mbizotërojnë diktaturat, varfëria, papunësia, korrupsioni, emigracioni. Ndryshimin midis dy sistemeve dhe supremacinë e Perëndimit e shpreh edhe fakti që " lumi i fryrë i emigracionit" është në një drejtim, nga Lindja drejt Perëndimit, nga Rusia, Kina, Shqipëria...drejt Italisë, Gjermanisë, SHBA-, Kanadasë dhe jo në kahun e kundërt. Vetëm ca enveristë dhe edramistë nuk duan t'a pranojnë dështimin e të majtës, këtë realitet që nuk mbulohet me gjethet e të gjithë fiqve dhe të parcelave me kanabiz të Shqipërisë... Një e keqe tjetër e jona është se plot shqiptarëve, jo vetëm që ua ka shpëlarë trutë Enveri, por ua ka ënda të qëndrojnë si të ngujuem kafeneve dhe pijetoreve, stolave të lulishteve, ekraneve të televizorëve..., me nga një gotë rakie ose filxhan kafeje përpara, duke bërë akademikun edhe në politikë, kur për nga arsimimi janë janë në nivelin minimal dhe për nga profesionet barinj, marangozë, elektriçistë, këpucarë, muratorë, hidraulikë, bojaxhinj, shitësa frutash, zarzavatesh, vezësh, qumështi...nëpër trotuare...

Kështu është krijuar bindja masive tek ne shqiptarët dhe të huajt se “nuk ka shqiptar që nuk merret me politikë” e që nuk ndjehet si analist politik apo si profesor. Por, edhe një analizë e cekët të nxjerr tek përgjigja se kjo është shprehje papunësie, varfërie, injorance masive, krize sociale, politizimi dhe fanatizmi partiak në nivele tejet të larta, deri në pranimin e nëpërkëmbjes së vetvetes, të familjes, atdheut, interesave kombëtare, si rreth 22-23 vjet më parë gruaja qesharake enveriste nga Berati e si në tetor 2024 gruaja nga Korça, po aq enveriste e jo më pak qesharake, edhe për vetë Edi Ramën...Në të kundërt me Shqipërinë tonë, vend unikal për t’i bërë gjëma vetes me mendje dhe duar shqiptare, në SHBA, Kanada, Britaninë e Madhe, Zvicër, Gjermani, Austri, Holandë, Belgjikë, Danimarkë, Suedi, Finlandë, Norvegji, pra në Perëndimin Kapitalist, me nivele të larta mirëqenieje, niveli i lidhjes së qytetarëve me politikën, niveli i fanatizmit dhe militantizmit partiak është shumë më i ulët se sa tek ne dhe përgjithësisht në vendet e Lindjes ish Socialiste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat