Pas vdekjes së presidentit Rugova, njëherësh edhe kryetar i LDK-së, ambiciet për të marrë udhëheqjen e partisë prodhuan ndarjen e saj në Kuvendin e nëntorit të vitit 2006. Në atë Kuvend, Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci kishin shpallur kandidaturat për kryetar të partisë. Në ditën që po votohej, aty kishte ndodhur një rrahje e madhe mes shumë personave. Në njërën anë kishte qenë Gani Geci, që atë kohë ishte mbështetës i Nexhat Dacit, dhe në anën tjetër, mbështetësit e Fatmir Sejdiut.
Që nga ky incident, ky rast në publik njihet si “Kuvendi i karrigeve”. Pas kësaj ngjarjeje, LDK ishte ndarë dhe Daci kishte formuar partinë e tij, Lidhjen Demokratike të Dardanisë, të cilës, pas një suksesi të shkurtër në zgjedhjet pasuese të vitit 2007, iu zbeh mbështetja, ndërsa shumë individë të partisë bënë kthimin e madh politik duke u rikthyer në shtëpinë e vjetër, LDK.
Pavarësisht kthimit, LDK ra në duar të Isa Mustafës, njeriut që nuk i ka sjellë asgjë pozitive partisë dhe Kosovës. Tani, tetëmbëdhjetë vite pas, LDK ende nuk ka arritur të bashkojë elektoratin e saj të mirëfilltë, duke u udhëhequr nga njerëz që s’kanë asgjë të përbashkët me frymën rugoviane. Edhe sot, LDK udhëheqet nga njeriu i shkollës së Isës, nga njerëz të ish-Orës dhe kumbarë të koalicioneve me PDK.
Duket se në atë Kuvend u "varros" LDK, për të mbetur vetëm si kujtim i një partie që dikur mbarte mbi supet e saj peshën historike të një populli.