Pse gënjejnë gazetarët?

Opinione

Pse gënjejnë gazetarët?

Nga: Gëzim Mekuli, Oslo Më: 9 nëntor 2024 Në ora: 11:15
Gëzim Mekuli

Sajimi i "fotografisë së armikut" përmes retorikës

Vështirë të thuhet me siguri çfarë shtyn një gazetare e një gazetar të manipulojë dhe të stigmatizojë shqiptarët e pafajshëm. Por është e qartë se ky manipulim është i porositur dhe synon ta bindë popullin për një "armik". Retorika agresive – e mbështetur nga mediat e korruptuara të pushteteve të dështuara – po kontribuon në nxitjen e urrejtjes dhe krijimin e përshtypjes se gjithçka që vjen nga Albin Kurti është e keqe, e tmershme, katastrofale dhe e dëmshme për Kosovën. Kjo qasje sjell në vëmendje analizën e “fotografisë të armikut” si fenomen më shumë retorik se sa politik.

Të mos harrojmë! Retorika nuk është thjesht një mjet për të krijuar “fotografi të armikut”; ajo mund të ndihmojë edhe në shkatërrimin e tyre. Në të vërtetë, retorika e shëndetshme krijon paqe dhe tolerancë.

Në fushën e propagandës, është praktikë e njohur që kundërshtari të paraqitet si i keq, çnjerëzor, dreq dhe jodemokratik. Kundërshtari politik befasisht shndërrohet në armik. Sa më shumë të ndryshojë "armiku" nga NE, aq më i urryer dhe i rrezikshëm bëhet ai. Dhe, aq më afër është mundësia për ta vrarë atë. (A keni menduar ndonjëherë për këtë lidhur me tragjedinë e Astrit Deharit?)

Propaganda naziste

Propaganda naziste përdorte strategji të njohura për të krijuar “fotografi të armikut”: retorika e mediave të zjarrit synon të ndërton ndarjen në "NE – kundër – ATYRE", duke shpallur Albin Kurtin si “armik” e “bishë”, dhe e fajëson atë për të gjitha problemet e trashëguara në Kosovë. Pikërisht kështu ishte në Ruandë gjatë viteve ’90, kur Tuci u paraqitën si insekte të dëmshme që duhej shfarosur. Kjo retorikë çoi në masakrën e popullit – në Ruandë u vranë mes 500,000 dhe 1,000,000 njerëz brenda katër muajsh.

Në luftërat botërore, përveç udhëheqësve, edhe ushtarët shiheshin si çnjerëzorë. Kur të luftosh ballë për ballë me bajonetë në dorë dhe kur shikon në sy armikun që do të vrasësh, është më e lehtë të shtypësh këmbëzën nëse e sheh atë si një “shtazë” apo “insekt”. Sepse janë ATA kundër NESH. Jemi NE ose ATA.

A po tenton media e Prishtinës dhe e Tiranës të paraqet Kurtin si "insekt" e si "shtazë"?

Mashtrimi në emër të "armikut"

"Armiku" është ai lideri, jo populli: popullin duam ta ndihmojmë. Janë miqtë tanë, dhe do të jenë më mirë po të ndërhyjmë ushtarakisht. Në fjalimin e tij më 29 janar 2003, pak javë para pushtimit të Irakut, presidenti George W. Bush përshkroi torturat në burgjet irakiane, duke thënë: “Nëse kjo nuk është e keqe, atëherë fjala e keqe nuk ka kuptim. Kam një mesazh për popullin trim të Irakut: Armiku juaj nuk është përreth jush, ai po udhëheq vendin tuaj. Dita kur ai largohet do të jetë dita e çlirimit tuaj.”

Mashtrimi

Studiuesi Robert Ivie ka përshkruar si SHBA i portretizon armiqtë si sulmues irracionalë dhe të dhunshëm, ndërsa “NE” shfaqemi paqësorë dhe racionalë. Ndërtohet një tablo e fuqishme përmes kontrasteve si: agresiviteti kundrejt mbrojtjes, iracionaliteti kundrejt racionalitetit, barbarizmi kundrejt civilizimit. Këto elemente të kombinuara krijojnë “imazhin retorik të armikut” që çon njerëzit në luftë.

A duhet t’i japim vlerë një retorike të tillë që mediat e korruptuara të Tiranës dhe të Prishtinës po përpiqen ta imponojnë në opinionin shqiptarë? Presidenti Bush krijoi imazhin e armikut për të rrëzuar një diktator, ndërsa media shqiptare po e përdor për ta paraqitur Albin Kurtin si “diktator”.

Retorika demonizuese

Ata që sajojnë “fotografinë e armikut”, portretizohen si të mirë, si viktima të buta, ndërsa kundërshtarin e paraqesin si të keq, si kriminel, si të dëmshëm e si të egër. Para se të sulmosh armikun, duhet ta paraqesësh atë si vetë djallin.

“Retorika demonizuese” shuan nuancat dhe balancat, duke penguar analizat kritike.

Nëse nuk e keni sajuar një ndarje të qartë “NE” dhe “ATA”, nuk mund të krijoni “fotografinë e armikut”. Pa NE dhe ATA, nuk do të kishim kampe naziste të përqendrimit, luftën e ftohtë, Aparteidin, muret ndarëse në Gaza apo “muret” e vogla të Mitrovicës. Pa këtë logjikë, nuk do të kishim përballje si Izrael-Palestinë apo grupe të tjera konfliktuale.

Këtu qëndron edhe dështimi i idesë së “kombit kosovar”: nuk përdori retorikë të fuqishme kjo media e zjarrit për të krijuar një ndarje me “armikun” Shqipëri dhe për të sajuar një unitet mes “kosovarëve” të sinqertë dhe patriotë kundër "Shqipërisë se keqe e tradhëtare!?"

Studimet retorike dhe psikosociale tregojnë fuqinë e ndarjes në grupe dhe lehtësinë me të cilën mund të nxisim konflikt. Kjo është pikërisht ajo që po përhapin mediat e opozitës në Kosovë dhe mediat e mbështetura nga Edi Rama në Tiranë.

Krijimi i skemës "NE" dhe "ATA" mbetet një forcë e fuqishme për t’i ndarë njerëzit dhe për t’i bërë ata të pranojnë "fotografinë e armikut". Njerëzit e kuptojnë botën përmes kontrasteve: i gjatë me të shkurtin, i zi me të bardhin, i pasur me të varfrin, qytetari me fshatarin – nuk mund të ekzistoj UNË pa TY.

Të dashur lexues,

Mediat e korruptuara gjithnjë do të na ftojnë të jemi pjesë e një grupi të caktuar. Por ne, konsumatorët e mediave, duhet të jemi të vetëdijshëm, syçelë dhe kritikë ndaj formave që na ftojnë të marrim pjesë. Çfarë grupesh, çfarë liderësh dhe çfarë veprimesh na sugjerojnë mediat dhe analistët e zjarrit?

Nëse kjo media flet për “të tjerët", nëse opozita përshkruan se çfarë bënë Kurti dhe se si bëjnë “ATA” dhe, nëse qeveria e Tiranës na shpjegon se si “ATA” janë të ndryshëm nga NE dhe na “kërcënojnë rendin dhe shoqërinë tonë”, atëherë ne si konsumues të medias duhet të jemi më vigjilentë.

“Fotografia e armikut” është duke u përforcuar çdo ditë nga këto media.

Arsyeja është e qartë: shkurti po afrohet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat