"Presidenti Thaçi tani është ulur në një burg të Hagës sepse Jack Smith e urren Donald Trumpin dhe donte të sigurohej që ai të mos kishte bërë ndonjë përparim në Ballkan. Kur Donald Trump të bëhet sërish President, ne do të punojmë për ta bërë Thaçin të lirë. Ne kemi nevojë për drejtësi dhe jo politikë”, kishte shkruar Grenell në platformën X.
Kjo deklaratë e mëhershme e z. Grenell është aktualizuar dhe ka marrë jehonë më shumë tani që Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA. Kjo, pasi Richard Grenell njihet si njëri nga personat më të afërt të presidentit në ardhje të SHBA-së, Donald Trumpit.
Por a mund të ndodhë një gjë e tillë, derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të qarta në përkrahjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Madje, për SHBA-në nuk ka dilema se Gjykata Speciale, siç zakonisht i referohet këtij institucioni në Kosovë, po gjykon krimet e luftës dhe “po ashtu po kontribuon në vendosjen e shtetit të së drejtës brenda Kosovës”.
Beth Van Schaack, ambasadore amerikane për Drejtësinë Penale Globale, ka theksuar përkrahjen e SHBA-së për Gjykatën Speciale. Edhe nëse z.Trump synon një gjë të tillë, pra zhbërjen e Gjykatës Speciale nuk mund të bëhet kaq kollaj, pastaj shtrohet pyetja çfarë do të ndodhë me të dënuarit, me ata që janë në gjykim.
Për mendimin tim nuk do të ndodhë një gjë e tillë, aq më pak që gjykatësit të ndikohen nga deklaratë nga jashtë. Gjykatësit, prokurorët e Speciales janë edukuar, shkolluar në vendet ku drejtësia nuk punon as nuk ndikohet nga faktorët tjerë përveç argumenteve.
Disa këtu në Kosovë bien pre e deklaratave pompoze të Grenellit, dhe nga dëshira që ish krerët e luftës të lirohen, por kështu nuk ndodhë. Ka procedura, ka gjykim që pritet të përfundojë në rastin konkret, por që me një urdhër të Trump të zhbëhet nuk do të ndodhë.