35-vjet nga shembja e Murit të Berlinit

Opinione

35-vjet nga shembja e Murit të Berlinit

Nga: Frank Shkreli Më: 10 nëntor 2024 Në ora: 06:41
Frank Shkreli

Sot me 9 Nëntor, 2024, Berlini, qyteti i Lirisë, Gjermania – por edhe mbarë Evropa dhe bota kujtojnë -- Berlinin dhe të kaluarën e tij si një qytet i ndarë, me programe të veçanta -- shembjen e Murit të Berlinit, 35-vjet më parë (9 Nentor, 1989), me moton: “Mbajeni Lartë Lirinë!”

Në këtë përvjetor, Kancelari aktual i Gjermanisë Federale të bashkuar, Olaf Scholz tha se kjo ngjarje historike është një shembull i shkëlqyer i kohezionit evropian. Ai u shpreh se fqinjët e Gjermanisë – vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, kanë kontribuat në shembjen e Murit të Berlinit, duke shtuar se, “Fitorja e Lirisë në vjeshtën e vitit 1989 ishte një fitore mbarë-evropiane”, nënvijoi Kancelari gjerman.

Shembja e Murit të Berlinit – si një simbol i së vërtetës së regjimeve totalitare komuniste -- nuk kishte të bënte vetëm me politikën e Luftës së Ftohtë, por ishte njëkohsisht edhe simbol i triumfit të dinjitetit njerëzor mbi shtypjet e një ideologjie çnjerzore – të quajtur komunizëm.

Pak histori, si kujtesë. Në vjeshtën e vitit 1989, u rrëzua Muri i Berlinit dhe me shembjen e tij, popujt liridashës të Europës Lindore dhe Qendrore, njëherazi, shembën edhe sistemin e tyre komunist që i kishte nënshtruar ata fizikisht dhe shpirtërisht, për pothuaj një gjysmë shekulli. Ky përvjetor sot na kujton mbarimin e një sistemi të korruptuar, të një ideologjie vrasëse dhe skllavëruese që ishte komunizmi ndërkombëtar. Por për më tepër, ky përvjetor, shënon gjithashtu, edhe rivendosjen e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor për qqindra miliona njerëz, anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore, të cilët deri atëherë kishin jetuar me frikë, në varfëri si skllevër nën shtypjen e regjimeve të diktaturës komuniste. Ishte pra 9 Nëntori i vitit 1989, kur mijëra gjermanë shemben simbolin kryesor të ndarjes në Europë, simbolin ndarës e përçarës të komunizmit ndërkombëtar: Murin e Berlinit. Për pothuaj dekada, Muri i Berlinit përfaqësonte si asgjë tjetër, atë që Winston Çurçili e kishte pagëzuar si, “Perdja e Hekurt”, që kishte rënë mbi Evropën, nga Baltiku deri në Adriatik. Por, ama, ashtu siç përfaqësonte ai Mur, për pothuaj dy brezni ndarjen e Europës në demokratike perëndimore dhe atë komuniste diktatriale të lindjes, shembja e Murit të Berlinit më në fund shënoi rënien e perandorisë së komunizmit, mbarimin e Luftës së ftohët dhe fillimin e një Europe, që presidenti amerikan Xhorxh Bush do ta quante, “të tërë, të bashkuar dhe në paqe”. Dy vjet para se të shembej Muri i Berlinit, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan në fjalimin e tij historik më 1987 në Berlinin e ndarë, i pat bërë thirrje udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov që ta shembte Murin famëkeq të Berlinit. Aty, para portës Brandenburg, Presidenti Reagan pat deklaruar se: “Për derisa kjo portë mbetet e mbyllur, nuk është vetëm çështja e Gjermanisë që mbetet e pazgjidhur, por është edhe liria në mbarë botën që mbetet një çështje e pazgjidhur”, për qindra miliona njerëz që dëshirojnë lirinë nga pushtimi komunist ndërkombëtar. Ishte e qartë se shembja e Murit të Berlinit, simbolit më të mbrapsht të komunizmit në Europë, gjërat më në fund, do të ndryshonin për më mirë.

Nuk ka dyshim se shembja 35-vjet më parë e Murit të Berlinit -- simbolit të tiranisë komuniste në Europë dhe në botë -- ka ndryshuar botën. Ai Mur ishte një pengesë denigruese fizike, shpirtërore dhe psikologjike për popujt e robëruar nga komunizmi që kërkonin lirinë, anë e mbanë Evropës dhe më gjerë. Ishte një Mur simbol që dukej sikur do të përjetësonte praninë sovjetike dhe regjimet diktatoriale komuniste anë e mbanë Europës. Për derisa qëndronte Muri i Berlinit, njerzit ishin të bindur se Evropa nuk do kishte liri. Bota mbarë sikur e kishte pranuar ndarjen midis lindjes komuniste dhe perëndimit demokratik si diçka të pakthyeshme, si të përhershme.

Por më në fund në vitin 1980, Shtetet e Bashkuara zgjodhën për president, kandidatin e Partisë Republikane, Ronald Reagan, i cili nuk hezitoi ta quante Bashkimin Sovjetik si perandorinë e së keqes. Qershorin e vitit 1987 ai mbajti fjalimin tanimë të famshëm në Berlin, me të cilin i bëri thirrje udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov, madje kundër këshillave të ndihmësve të tij të ngushtë – se në qoftë se me të vërtetë dëshironte paqen, atëherë të urdhëronte shembjen e Murit të Berlinit dhe të lejonte ribashkimin e Gjermanisë. Por, megjithë rolin e tij vendimtar, Presidenti Ronald Reagan nuk ishte një kalorës i vetëm në këtë zhvillim historik për Evropën dhe botën. Presidenti amerikan Reagan kishte përkrahjen e udhëheqësve botërorë: Kryeministres britanike Margareth Thatcher, Lech Walesa me Lëvizjen e punëtorëve polakë Solidarnost, por edhe lëvizjet e disidentëve anti-komunistë anë e mbanë Europës. Papa Gjon Pali II, u ofroi këtyre përpjekjeve anti-komuniste forcën e tij morale dhe më në fund nuk mund të mohohet kontributi i udhëheqësit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbaçov, i cili duket se kishte vendosur të mos përdorte tankset kundër lëvizjeve historike anti-komuniste anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore.

Por sot në këtë 35-vjetor kujtojmë se -- si përfundim i këtyre përpjekjeve të udhëheqsve botërorë, në nivel ndërkombëtar dhe qendresës së popujve anti-komunistë të Evropës Lindore e Qendrore për liri e demokraci -- më datën 9 Nëntor të vitit 1989 u shemb më në fund Muri i Berlinit, u ribashkua Gjermania dhe u shemb edhe komunizmi, të pakën siç njihej deri atëherë, anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore, duke ndryshuar kështu, shpresojmë, përgjithmonë Europën dhe Botën.

Si dëshmitar i shembjes së Murit të Berlinit dhe regjimeve gjakpirës komuniste anë e mbanë Evropës dhe më gjërë, trashëgimia e këtyre ngjarjeve historike sikur rikumbon sot në veshtë tonë, ndërkohë, që Evropa përballet me një konflikt të ri, si përfundim i pushtimit të Ukrainës nga Rusia putiniste. Duket sikur 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, bota i ka harruar mësimet që ofrojnë tragjeditë dhe sakrificat e milionave njerzve të pafajshëm që kanë humbur jetën për liri, pavarësi e demokraci, në luftën kundër komunizmit, anë e mbanë Evropës dhe botës. Nëqoftse Muri i Berlinit ishte simbol i ndarjes dhe përçarjes midis popujve dhe kombeve në periudhën e komunizmit, atëherë, shembja e këtij Muri -- në këtë 35-vjetor -- do duhej të shërbente si një simbol i bashkimit dhe paqeje për të gjithë popujt në Evropë dhe në botë.

“Zoti Gorbachev, shembe këtë mur” – Berlin, 12 Qershor, 1987

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat