Jo më pak se 35 vjet, kam qëndruar në SHBA. Vazhdimisht kam qenë në kontakt dhe miqësi me senatorë dhe anëtarë të Kongresit. Ka ndodhur që e kam ndryshuar vendbanimin, por brenda të njëjtit shtet. Pas ndryshimit të vendbanimit, bëhet edhe regjistrimi për votim. Gjatë regjistrimit, në pyetjen se cilës parti i përkas, kam shprehur se për cilën parti do të votoj varet nga personaliteti i kandidatëve. Ai që premton më shumë, atë do ta votoj.
Disa fjalë për D. Trumpin
Ai hyn në radhën e më të pasurve në SHBA. Më kujtohet se, para 10-15 vjetësh, shfaqej në rrjetet televizive këtu në Amerikë, jo për asgjë tjetër, por për brutalitetin e tij personal. Ai vizitonte pasurinë e tij dhe e shfaqte ashpërsinë apo mungesën e kulturës. Duke ecur nëpër objektet e tij, i çortonte punëtorët dhe thjesht u thoshte: "Largohu nga puna!" ("You are fired"). Me sjellje të tilla, ai u afirmua, dhe rrjetet televizive e shfrytëzonin atë si humor, por humor negativ.
Nga viti 2016, për katër vjet ishte President i SHBA-ve. Si qytetar, e kam ndjekur veprimtarinë dhe sjelljen e tij. Kontaktimi i tij me krerët e shteteve ishte i tmerrshëm. Për katër vjet, nuk e dëgjova asnjë fjalë për Putinin apo Rusinë. Në një takim me NATO-n, përveç tjerash, ai çortonte dhe shprehte se çfarë i duhen NATO-s shtetet si Mali i Zi, me një grusht populli!
Nga Shtëpia e Bardhë largonte individë kohë pas kohe. Prandaj, po e përsëris, reagova me një artikull në NY Times me titullin "Kush është i radhës, a mos do të largosh vetveten, president?" E pyeta sadopak për kulturë dhe a e kupton se, kur flet, nuk flet vetëm në emër të vet, por edhe në emër të Amerikës.
Nuk vërehej as konsultimi me këshilltarët politikë, të sigurisë etj. Më shkonte mendja në memorien time se, kur Presidenti Bill Clinton, para se të vendoste që NATO të ndërhyjë në Kosovë, kundër krimeve të Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë kaloi tërë ditën duke u konsultuar me këshilltarët dhe Sekretaren e Shtetit, të ndjerën Madeleine Albright. E kam ndjekur në CNN dhe, vonë pasdite, Z. Clinton tha se do të shkonte të pushonte dhe do të vendoste. Të nesërmen në mëngjes, Z. Sekretare e priti në Shtëpinë e Bardhë Presidentin Clinton, e përshëndeti dhe e pyeti: "A keni vendosur?" Kryetari u përgjigj me "Po".
Prandaj, për Presidentin Trump, këshilltarët në lëmive të ndryshme janë vetëm formalitet, dhe unë mendoj se ai i konsideron ata si rrogëtarë e jo këshilltarë! Nëse askush nuk mund t’ia ndryshojë mendjen Trumpit, atëherë as që mund të konsiderohet këshilltar apo çfarëdo tjetër.
Deklarimi i Trumpit se konfliktin Ruso-Ukrainas do ta zgjidhë me një procedurë të shkurtër është një deklaratë shqetësuese. Kjo do të thotë se ky njeri e tejkalon tërë botën. Nëse një gjë e tillë ndodh dhe ai përkrah Rusinë, më shqetëson pa masë, sepse ekziston mundësia që, edhe në procesin Kosovë-Serbi, do të veprojë në favor të Serbisë gjenocidale.