Zgjerimi i rrugëve është mjerim i programuar për fshatarët

Opinione

Zgjerimi i rrugëve është mjerim i programuar për fshatarët

Nga: Ramiz Selimi Më: 11 nëntor 2024 Në ora: 20:19
Ramiz Selimi

Që të mos mbyllën ca pika karburanti dhe për inate të ulëta politike qeveria po ndërton zgjidhjen më të keqe të mundshme, zgjerimin e rrugëve në disa rajone të Kosovës.

Shtrohet pyetja, cilat janë përparësitë dhe cilat disavantazhet e zgjerimit të rrugëve me katër korsi dhe mes të mbyllur?

            Përparësitë:

  1. Përparësia e vetme është se, mjetet qarkulluese mund të tejkalojnë traktorin ose qerren pa frikë. Mirëpo, për shkak të shpejtësisë së kufizuar 60-80 km nuk mund të thuhet se në destinacion do të arrijnë  më shpejtë. Pra, me zgjerimin e rrugëve do të favorizohen disa qytetarë që nuk do të fitojnë shumë, në kurriz të disa banorëve rural që do humbin shumë.

Disavantazhet për të prekurit:

  1. Humbja e kohës,(meqenëse fshatarët kanë tokat punuese në të dy anët e rrugës)
  2. Shpenzimi i shtuar i derivateve. (Hyrje daljet në distanca të shtuara)
  3. Rrezikimi i jetëve njerëzore. (Mungesa e mbikalimeve dhe nënkalimeve)
  4. Humbja e vlerës së pasurisë. (Shtimi i zhurmës, kostos dhe kohës)
  5. Kosto shtesë për arritjen në vendin të punës dhe shkollës,...(Askush s’ka dëshirë të bëj 10 km më tepër në ditë)

 

Zgjerimi i rrugëve ishte zgjidhja më idiote që ekzistonte

Ndërtimi i rrugëve të zgjeruara me mes të mbyllur në zonat rurale, që në pamje të parë duket si një zhvillim infrastrukturor i domosdoshëm, në realitet paraqet një problem serioz për banorët e këtyre zonave. Edhe pse fshatarët e shohin si një zgjidhje të pëlqyer për përmirësimin e infrastrukturës dhe shpejtësisë së lëvizjes, në realitet ky zgjerim në jetën e përditshme ka pasoja të dëmshme për shumicën e tyre. Madje për fshatarët, zgjerimi i rrugëve me katër korsi dhe mes të mbyllur më tepër do të jetë një mjerim i programuar për të ardhmen, sesa një përmirësim i mirëpritur, pasi ajo i privon nga jeta normale shumicën e fshatarëve. Në perëndim magjistralet ndërtohen edhe përbri autostradës, sepse është normalitet në secilin vend të botës. Madje është tepër e nevojshme për jetën dhe ekonominë e tyre, të kenë qasje të lehtë, të toka, puna dhe shkolla.

Një nga pasojat më të dukshme të zgjerimit të rrugëve në zonat rurale është humbja e aksesit të lehtë në rrugët ekzistuese. Magjistralja, me hyrjet - daljet e panumërta, ofron një qasje të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë për fshatarët në drejtim të tregjeve, qendrave shëndetësore, shkollave dhe shërbimeve të tjera jetësore. Kur këto rrugë zëvendësohen me rrugë të zgjeruara (kupto të sakatuara) me hyrje dhe dalje të kufizuara, fshatarët përballen me rrugë më të gjata dhe të ndërlikuara për të arritur në destinacionet e tyre të përditshme. Kjo rrit koston e udhëtimit dhe ul fitimet nga bujqësia, duke e bërë më të vështirë për ta, të mbajnë një jetë normale dhe produktive.

Vendi ynë nuk është një vend i zhvilluar evropian që të ndërtojë dhe mirëmbajë mbikalimet dhe nënkalimet në çdo 300 metra ose 500 metra si në perëndim, prandaj zgjerimi i rrugëve ishte zgjidhja më idiote që ekzistonte, pasi ai vendim do të privojë nga jeta normale një numër të madh të qytetarëve. Popujt e vendeve të pazhvilluara nuk kanë vizion për jetën, për biznesin dhe nuk llogarisin kohën, as shpenzimet, prandaj mënyra e vjetër e të menduarit që rruga ta sjellë klientin dhe gjallërinë është thellë e ngulitur dhe për këtë arsye kjo shtresë e shohin si mundësi zhvillimi, që në realitet nuk është.

Për të eliminuar disavantazhet ndërtimi i rrugëve të zgjeruara shpesh kërkon investime më të mëdha financiare sesa vet autostrada, sepse asnjë qytetarë s’guxon të diskriminohet dhe të privohet nga e drejta elementare njerëzore, siç është lëvizja. Nëse një qytetarë pas zgjerimit të rrugës, në qoftë se udhëton vetëm edhe1 km më shumë, është diskriminim. Prandaj, secili fshat duhet të kërkojë të ketë së paku tri-katër hyrje – dalje shtesë, pa marrë parasysh koston dhe fondet e kufizuara që ka qeveria. Zhvillimi i vendit nuk varet nga zgjerimi i rrugëve, por nga ndërtimi i Autostradave që vërtet e shkurtojnë kohën. Ato duhet të ndërtohen, pa marrë para sysh koston, jashtë zonave të banuara. Pra, Autostrada PO, Zgjerimi JO!

Projektet infrastrukturore duhet të marrin parasysh nevojat e të gjithë qytetarëve, veçanërisht të atyre që jetojnë dhe punojnë në zonat e prekura, për të siguruar një zhvillim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë, pa favore dhe disavantazhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat