Posterat e Trump dhe Grenell në Prishtinë: Mesazh politik apo kundërpërgjigje ndaj Serbisë?

Politika

Posterat e Trump dhe Grenell në Prishtinë: Mesazh politik apo kundërpërgjigje ndaj Serbisë?

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 14 nëntor 2024 Në ora: 14:03
Foto ilustrim

Zgjedhja e Donald Trump në krye të shtetit amerikan, ka “lëvizur” botën.

Disa ditë pas zgjedhjes së tij President, në Serbi janë vendosur posterë me mbishkrimin “Ta bëjmë Serbinë sërish të madhe”.

Kurse, të martën që kaloi edhe në sheshin e Prishtinës u vendosën posterë me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, dhe ish-emisarin për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Mbishkrimi në fotografitë e Trumpit dhe Grenellit ishte “Bëjeni Kosovën të madhe sërish”.

Por, a është rastësi kjo?

Dashevci: Pankartat e vendosura në Prishtinë i shoh vetëm si kundërpërgjigje e atyre veprimeve politike në Serbi dhe asgjë më shumë se kaq

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pankartat në Serbi vinë prej atyre qarqeve destruktive dhe nuk është hera e parë, duke shtuar se në Kosovë janë kundërpërgjigje e atyre veprimeve politike në Serbi dhe asgjë më shumë se kaq.

Image
Arben Dashevci

“Politika e jashtme afatgjatë e SHBA -së nuk mendoj që ndryshon karshi Republikës së Kosovës në asnjë rast të vetëm.

Ka shumë fakte dhe njëra prej tyre është që ne jemi projekt amerikan dhe populli më pro amerikan.

Ato pankarta në Serbi vinë prej atyre qarqeve destruktive dhe nuk është hera e parë, pra e shoh si një veprim politik të dështuar nga ana e tyre sepse jemi në vitin 2024 dhe bota serbe ose Serbi të madhe nuk mund të ketë, pra ajo mendësi është e tejkaluar qysh moti dhe mbetet si e tillë e tejkaluar.

Kurse pankartat e vendosura në Prishtinë i shoh vetëm si kundërpërgjigje e atyre veprimeve politike në Serbi dhe asgjë më shumë se kaq”, thotë ai.

Ai thotë se Kosova është faktor stabiliteti në Ballkan, kurse Serbia faktor destabiliteti.

“Fokusi i Republikës së Kosovës duhet të jetë thellimi i bashkëpunimit të marrëdhënieve me aleatin e përjetshëm SHBA-të, aty duhet të jetë fokusi ynë kryesor, tjerat janë sekondare ose edhe terciare sipas mendimit tim.

SHBA e dinë shumë mirë se kush janë aleatët, ne kemi fatin të jemi aleati i tyre, ne jemi faktorë stabiliteti në Ballkan sa i përket sigurisë sepse jemi në bashkëveprim dhe koordinim me aleatët.

Sa i përket Serbisë dihet qasja e tyre me Rusinë, dhe janë faktorë destabiliteti në aspekt sigurie në Kosovë, lojërat e tyre politike me dy ulëse mendoj që po u vjen fundi”, përfundon ai.

Elezi: Të hetohet rasti

Bedri Elezi në një përgjigje për “Bota sot”, shprehet se Policia e Kosovës duhet t’i hetojë personat ose grupet të cilët i kanë vendosur këto posterë dhe të kuptohet qëllimi i tyre.

Image
Bedri Elezi

“Pavarësisht faktit se presidentit amerikan Donald Trump e ka mbështetur republikën e Kosovës edhe në të kaluarën kur dihet se në mandatin e tij Kosova kishte arritur që të sigurojë mbështetjen amerikanë dhe partnerëve të saj për ushtrinë e Kosovës, njëkohësisht kishin edhe njohjen nga Izraeli si dhe programe të ndryshme që kanë të bëjnë me mbështetjen e forcës së sigurisë në armatime të rënda.

Pavarësisht këtij fakti institucionet duhet të hetojnë vendosjen e këtyre posterëve sepse duhet të kuptojmë nëse qëllimet e këtyre posterëve kanë të bëjnë me çështje që nuk ndërlidhen me performacën e presidentit amerikan Trump dhe emisarit Richard Grenell por se ka mundësi që këto posterë të kenë qëllime të tjera. Prandaj, Policia e Kosovës ka për obligim të hetojë personat apo grupet që kanë vendosur këto mbishkrime dhe të dihet se mos është qëllimi i tyre për të dëmtuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe administratës së re Trump, duke konsideruar se i njëjti mund të tejkalojë autorizimet e tij për të mbështetur proceset me Kosovës”, shprehet ai.

Sipas tij, Kosova dhe SHBA kanë marrëdhënie të mira, por shton se rasti në fjalë duhet të ketë hetim sepse kjo mund edhe të ndikojë negativisht për Kosovën.

"Kosova dhe SHBA janë në marrëdhënie natyrale dhe presidenti Trump ashtu si Biden me Kosovën janë të lidhur në aspekte të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me mbështetje të kapaciteteve në zbatimin e ligjit, sigurisë dhe integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare.

Në këtë aspekt derisa nuk ka pasur ndonjë njoftim ose një profil të personave ose grupeve që i kanë vendosur këto posterë duhet t’i hetojnë dhe të njëjtin duhet të intervistohen për të kuptuar realisht qëllimet e tyre, e sidomos kur marrin parasysh faktin se gjëra të ngjashme kanë ndodhur edhe në Serbi dhe ndoshta këto veprime janë jo qëllimmira për Kosovën”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat