Diskursi politik bashkëkohor është dukshëm në krizë, veçanërisht në Kosovë, ku po jemi dëshmitarë të mbizotërimit të interesave individuale mbi interesin e përgjithshëm, që ka dominuar në skenën tonë politike për një kohë të gjatë. Debatet në Kuvend, jashtë Kuvendit dhe në mjetet e informacionit publik po përdorin taktika të dialogut jo konstruktiv rreth çështjeve kapitale që preokupojnë sot shoqërinë tonë.
Aktorët politikë shpesh përdorin taktika që pasqyrojnë konflikte dhe zënka personale, duke i çuar në margjina qëllimisht idetë politike. Ky fenomen është bërë shqetësues për zhvillimin dhe proceset demokratike në Kosovën pas luftës.
Kjo është reflektim i një kulture të papërshtatshme politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për parlamentarët. Zënkat dhe lojërat politike në Kuvend, duke u marrë me çështje periferike, janë larg idealeve të larta për shtetndërtim dhe zhvillim të përgjithshëm. Pas luftës, është krijuar një narrativë injorante në lidhje me preokupimet e qytetarëve, të cilët votën e tyre e dhanë për zgjidhjen e çdo problemi shoqëror dhe politik, që do ta bënte jetën e tyre më të begatshme.
Në vend që të fokusohet në zhvillimin e politikave strategjike të vendit, po përdoren strategji se si të denigrohet njeri-tjetri. Kjo gjuhë denigruese po mbretëron edhe tek një pjesë e madhe e mediave dhe në rrjete të ndryshme sociale. Lojërat e tilla përfshijnë insinuata për lidhjet e kaluara politike, që sigurisht dikush mund të mos ketë një biografi të pastër, por ato nuk janë të rëndësishme për sfidat reale me të cilat përballet shoqëria. Shfaqjet e tilla teatrale e kanë lodhur popullin, i cili ka vuajtur shumë për të arritur lirinë dhe pavarësinë.
Po shohim në kohët e fundit, kur aktorët kryesorë të opozitës në mënyrë jo parimore u fokusuan në rrëzimin e Qeverisë, e cila ka punuar kryesisht mirë, sesa në zgjidhjen e problemeve të paraqitura. Një qasje e tillë krijon përçarje brenda shoqërisë dhe largon vëmendjen nga çështjet që janë thelbësore për të mirën e përbashkët. Mediat, në vend që të shërbejnë si roje të së vërtetës dhe të japin informacion objektiv, shpesh përfshihen në këtë lojë pasionesh të ulëta, si narrativë negative.
Disa figura të partive politike po përdorin platforma të tilla për të përhapur fyerje, informacione të pasakta që nuk i kontribuojnë të mirës së Kosovës dhe as të ardhmes së saj. Kjo vlen edhe për disa analistë, të cilët nuk po kontribuojnë sa duhet në proceset pozitive, as kur bëhet fjalë për dialogun Kosovë–Serbi. Në këtë atmosferë, humbet politika e lartë. Për t'u kthyer në një standard të lartë të politikës, është e nevojshme të rishikohen prioritetet, të cilat janë shumë të shumta. Njerëzit, mediat dhe aktorët politikë duhet të luftojnë së bashku kundër vendosjes së këtij lloji të narrativës. Është e nevojshme të promovohet një kulturë e dialogut. Vetëm në këtë mënyrë debatet politike bëhen mjet për arritjen e së mirës shoqërore dhe prosperitetit të Kosovës, për t'u bashkuar kështu me familjen e madhe evropiane.