Duket sikur jeton në një botë paralele, aq sa shkëputja nga realiteti e bën të duket qesharak. Ramush Haradinaj, përveç se në këndim u bë gazi i botës, edhe në politikë nuk është aspak më mirë. Thua se Ramushi e vendos kush është kryeministër e kush jo, apo, në rolin e Baba Vengas, jep parashikimin se "Kurti nuk është më kryeministër. Ju kam thënë edhe më herët kështu.
"Nuk do të jetë më kryeministër Albin Kurti, nuk qeverisë Vetëvendosje më". Kështu thonin edhe para zgjedhjeve të vitit 2021, kur Memli Krasniqi bënte shaka me sondazhet që i jepnin Albinit mbi 50%, por u pa se si doli e vërteta.
Me këtë qasje, opozita vetëm sa e forcon pozicionin e Albinit. Duke jetuar në një tjetër realitet, qytetarët nuk kanë opsion tjetër besueshëm përveç Kurtit. Si mund të flasin në emër të popullit ata që mezi kanë kaluar pragun? Aq më tepër, me besim të madh, thuajse vërtetë është ashtu si thonë.
Jo veç kaq, Ramushi kërkon rikthimin e PAN-it, plus LDK-në si pjesë e saj, pra PLAN me Ramushin kryeministër. Nuk besoj se PDK do të bëjë gabimin e mëhershëm, ashtu siç nuk dua të besoj se, në rast hipotetik që VV nuk kalon 50%, mund të bëhet pjesë e skenarëve të tillë.
Nëse ia duan të mirën Ramushit, dikush nga familjarët, miqtë apo edhe këshilltarët e tij duhet t’i ndihmojnë të shërohet nga urrejtja patologjike ndaj Kurtit, dhe ta shohë realitetin ashtu siç është. Edhe më tepër, Ramushi bën mirë të largohet nga politika, pasi nuk ka treguar as aftësi, as rezultate për të cilat mund të krenohet; për t’u turpëruar, ka shumë.