Kur u përmendet e vërteta që për 20 vjet kanë shkatërruar, degraduar dhe futur në humnerë vendin, opozita mburret se kur ishin në pushtet kanë ndërtuar rrugë, shkolla etj. Sigurisht, është dashur të ndërtohet diçka për të vjedhur, pasi vetëm Konferenca e Donatorëve pas luftës ka dhuruar 1.2 miliardë euro, fati i të cilave nuk dihet, ose dihet shumë pak.
Me gjithë ato para që janë derdhur në Kosovë, është dashur të bëhej Dubai, e lëre pastaj që edhe sot e kësaj dite qytetarët në disa vende nuk kanë ujë të pijshëm, kanalizime dhe as rrugë të shtruara. Me Kosovën e vogël dhe gjithë ato mjete të mëdha shpërfaqet anomalia, ku mbetën gjithë ato para? Sigurisht në vila të politikanëve, në toka, dhe kush e di çfarë fshehje tjetër mund të ketë, për të cilat vetëm djalli mund ta dijë.
E sot, të njëjtit, pa fije turpi, promovohen si shpresa e vendit, e ardhmja, duke thënë se do të bëhet më mirë me ardhjen e tyre në pushtet. A thua, një njeri me logjikë të shëndoshë, me dije të paktë dhe integritet moral e njerëzor, si mund të besojë tek ata që edhe në varreza të dëshmorëve kanë vjedhur?
Si mund t'i mbështesë dikush këta hajna tipikë? Për më tepër, mungesa e reflektimit është një tjetër element shumë domethënës për psikologjinë e tyre të të vepruarit, pasi nuk kërkojnë asnjëherë pendesë, sepse nuk e vlerësojnë se kanë bërë gabime.
Dhe kjo është edhe më e trishtë, aq më tepër që hipotetikisht ardhja e tyre në pushtet do të vazhdojë rrënimin aty ku e lanë. Me këtë qasje dhe mendësi, ardhja e tyre në pushtet është shumë e rrezikshme, për fatin e madh të këndëlljës së votuesve që nuk duhet t’u japin besim atyre që shtetin e konsiderojnë si pronë të huaj, nga ku gjithçka duhet vjedhur e shkatërruar.