Politika redaktuese editorale përplot lajme sensacionale

Opinione

Politika redaktuese editorale përplot lajme sensacionale

Nga: Ismail Muçiqi Më: 17 nëntor 2024 Në ora: 21:39
Autori Ismail Muçiqi

Shumë mjete të informimit në Kosovë, edhe pas dy dekadave të themelimit dhe të Pavarësisë së tyre, asesi nuk po arrijnë të profilizohen në aspektin informativ profesional për ta informuar opinionin në mënyrë të drejtë dhe të saktë. Në ditarin e Radio Televizionit, i cili u emitua të Dielën, më 17 Nëntor, në orën 18:30, moderatorja e lajmeve e hapi Ditarin me lajmin sensacional, duke e goditur Ministrinë e Bujqësisë, përkatësisht Ministrin Faton Peci. Po të kishte profesionalizëm dhe politikë redaktuese të pavarur dhe të mirëfilltë, lajmi i parë që do duhej servuar shikuesve do të ishte mbledhja e nesërme e dy Qeverive, të asaj të Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, e cila do të mbahet të hënën në Prishtinë.

Këto gafë me plotë lajme sensacionaliste po e irritojnë audiencën në përgjithësi. Të rralla janë lajmet apo reportazhet të karakterit stimulues, me energji pozitive, për të cilat qytetarët i presin me ditë, muaj dhe vite të tëra. Se me të vërtetë, shumë mjete të informimit, përkatësisht televizione, janë prezentë në Republikën e Kosovës, janë bërë mollë sherri në dëm të qytetarëve dhe të vendit në përgjithësi.

Kjo nuk do koment. Kultura e komunikimit, etika e moralit, profesionalizmi dhe një varg vlerash që duhet të ishin prezente gjithmonë në mjetet tona të informimit, kanë degraduar skajshmërisht. Tani, në prag të zgjedhjeve të reja kombëtare, të cilat priten të mbahen më 9 Shkurt, fjalori retorik, shpifjet dhe akuzat më të ulëta kanë filluar të shfaqen nëpër emisione e debate politike, të cilat janë bërë të gërditshme për opinionin. Kjo klimë aspak e këndshme ka depërtuar në një numër të televizioneve private, të gazetave dhe portaleve private, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me politikën e mirëfilltë redaktuese të mediumit informativ.

Kemi shkruar edhe më herët se mjetet e informimit në Kosovë kanë liri të pakufishme, dhe këtë mund ta shohim për çdo ditë, ku gazetarët i tejkalojnë kodet e etikës pa u sanksionuar fare, me lajme dhe informata të cilat nuk i pranon njeriu normal. Këtij kaosi mediatik po i ndihmojnë partitë politike dhe grupet e interesit, mafia biznesore, të cilat përmes formave më të ndryshme janë të lidhura me pronarët dhe bizneset e tyre (informative). Sot, paraja dhe interesi materialo-financiar kanë depërtuar në të gjitha poret e jetës, e më së shumti në disa mjetet e informimit.

Një numër i gazetarëve dhe i redaktorëve nuk është në gjendje të kuptojë misionin e profesionit të gazetarit, si profesion shumëdimensional në informimin dhe edukimin e audiencës, duke sjellë klimë dhe energji pozitive, e cila ndërton ura të bashkëpunimit dhe ruajtjen e raporteve ndërmjet njerëzve. Qytetarët e Kosovës janë ngopur me lajme sensacionaliste, që nga shekulli i kaluar, me trauma të luftës që i shkaktoi Serbia, me trauma të egzodit, me humbjen e më të dashurve, me krizat sociale, me sëmundje të ndryshme dhe halle të cilat ende nuk kanë arritur t'i shërojnë (t'i riparojnë). Në fund, më thotë mendja se njerëzit pa integritet, duke u thirrur në emër të Demokracisë dhe Lirisë së Shtypit, në vazhdimësi po e keqpërdorin profesionin në mediumet e ndryshme, dhe kjo do të vazhdojë derisa shtresa e inteligjencës të jetojë në gjumë pa e qa kokën për rrjedhat dhe pasojat negative në mjetet e informimit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat