Nuk kalon java pa u lajmëruar ciceroni i EU zoti Stano, me lajmet e tij rreth Kosovës: sidomos mbi sanksionet e aprovuara nga ai, Borrell dhe lajçak, apo mbi Asociacionin, në të cilin siç duket është personalisht i dashuruar.
Deklaratat e Stanos dhe dy të tjerëve të lartpërmendur, me qëllim apo pa dashje, po e trimërojnë Vuçiqin me aparatin e tij qeveritar, por edhe Putinin që të vazhdojnë me rrugët e tyre mbi botën ruse, e botën serbe.
Nuk është plotësisht e sigurt se sa është i vetëdijshëm perëndimi për qëndrimet e Borrelit, Lajçakut e Stanos, mbi rolin e tyre kontrovers, kur është në pyetje mbrojtja e rolit të EU, nga ata të cilët me paramendim përpiqen për bllokimin, rrënimin dhe shpërbërjen e saj.
Do të mjaftonte vetëm t´i hidhej një sy marrëveshjes së Dejtonit mbi Bosnjën, të cilën e kanë bllokuar tërësisht, për ta kuptuar të vërtetën se çfarë po synohet me Asociacionin mbi Kosovën.
Ky argument mjafton për udhëheqjen e Kosovës për ta refuzuar njëherë e përgjithmonë këtë kërkesë monstruoze, të cilin pothuaj çdo javë ia kërkon Stano, Kosovës.
Stano nuk dihet edhe sa kohë do të jetë në këtë pozitë, si cicëron i EU, që së bashku me Borrellin e Lajçakun t´ia thonë këngës së tyre mbi Asociacionin, po shpresohet që nuk do ta kenë gjatë.
Në fund të mandatit të tyre do t´i kishim porositur që Asociacionin ta marrin si kujtim me vete, dhe nëse vërtetë e shohin se janë të dashuruar në te, ta aplikojnë në vendet e tyre.
Ky do të ishte ngushëllimi më i madh për karrierën e tyre në EU, po edhe kujtimi se si i kanë shërbyer këtij institucioni, të cilin çdo ditë e më shumë po e mbytë burokracia, prej së cilës duket se po rrugëton pa timon.
Se si do të vlerësohen për punën e tyre Borrell, Lajçak e Stano nga EU, mbetet çështje e këtij institucioni, por po të pyeten shqiptarët do të thoshin se kanë qenë të njëanshëm, të zhgënjyer prej tyre, jo kompetentet dhe jo serioz. Ata me qëndrimet e papërgjegjshme të tyre, e kanë dëmtuar mjaft shumë imazhin e EU, imazh të cilin EU me mund duhet të bëjë përpjekje që ta kthej sërish.
Që të tre këta zotërinj, që nga fillimi vallëzonin sipas melodisë së Vuçiqit, melodi e cila nuk ndryshon aspak nga ajo e dirigjuar nga Putini.
Shtrohet pyetja se Borrell, Laçak dhe Stano, a po ndikohen nga propaganda e sofistikuar e Rusisë, Serbisë e Sputnikut rus, apo jetojnë ende nën hijen e socializmit që mbretëronte në vendin e tyre, Sllovaki (Lajçak e Stano).
EU, për të mos rënë pre nga persona të tillë, të infiltruar nga propaganda, para se t´u dhuroi poste të tilla udhëheqëse, do të duhej t´i hidhte së pari në shoshë, për t´i parë se cilët janë. E shpijnë përpara misionin e EU, apo e sabotojnë dhe rrezikojnë të ardhmen e saj?