Riemërtimi i Kosovës në Dardania hap i fundit drejtë sovranitetit dhe identitetit të plotë

Opinione

Riemërtimi i Kosovës në Dardania hap i fundit drejtë sovranitetit dhe identitetit të plotë

Nga: Ramiz Selimi Më: 18 nëntor 2024 Në ora: 17:09
Autori Ramiz Selimi

Gjuha dhe emërtimet e huaja që nuk kanë rrënjë të trashëgimisë dhe identitetit lokal nuk janë thjeshtë vetëm çështje simbolike, por janë një shkëputje nga trashëgimia e vërtet dhe rast ideal për armiqtë që të kontestojnë ekzistencën tënde. Prandaj, në raste të tilla, jo vetëm fshatrat, qytetet, rajonet, por edhe shteti duhet të ndryshojë emër.

Përtej diskutimeve emocionale, ideja për riemërtimin e Kosovës në Dardania duhet të bëhet aktuale për shumë arsye, si historike, politike, kulturore dhe strategjike, për interes të shtetit dhe popullit të Kosovës. Emri do të jetë, jo vetëm inspirim, por një mburrje e popullit me identitet, si pasardhës të sigurt të Dardanëve. E mira është se Serbia do të çarmatosej dhe do të gjunjëzohej në mungesë të idesë për bashkimin e këtij vendi me një shtet tjetër.

Ka shumë shtete në botë që kanë ndryshuar emrat, ca shtete koloniale e kanë përhap atë ndjenjën e shtypjes përmes konotacionit, ca tjera për shkaqe politike dhe disa edhe për dëshira, siç ishte rasti i Turqisë që nuk dëshironte ta shihte më emrin e saj nga anglishtja Turkey (pasi e kishte kuptimin e gjeldetit) duke e zëvendësuar me Turkiye, ose Çekisë nga Republika Czech në Czechia.

Në secilin shtet ka pakica, prandaj ndërrimi i emrit nuk mund të jetë i njëjtë për të gjitha grupet e popullsisë, por me rëndësi është që shumica absolute të ndihet rehat. Kështu që edhe Kosova e ka këtë të drejt, po aq sa ish Swazilandi.

Kemi raste kur për ndërrim emri arsyet janë të thjeshta p.sh. dëshira e Eswatinisë për t’u distancuar nga rrënjët koloniale hoqi emrin ndërkombëtarë Swaziland, pasi njerëzit ankoheshin jashtë Afrikës se e ngatërronin me Zvicrën. E kundërta ishte nga Kepi i Gjelbër e cila dëshironte ta kujtonte kohën koloniale të Portugalisë dhe me 2103 e ndërroi emrin, ose Republika e Kongos që doli nga Zaire, etj.....,

Ndryshimi më kompleks i emrit pa dyshim është ai Jugosllavisë që sot nuk ekziston, ku njëherë është quajtur Mbretëria Serbo Kroate Sllovene, pastaj Republika Federative e Jugosllavisë, dhe me 1963 e emërojnë Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe në fund kur vdiq, dolën shtatë emra të rinj.

Dardani është identiteti i vërtet i popullit të Kosovës. Pra, Kosova është Dardani!

Në kohën kur Kosova po përballet me sfida në arenën ndërkombëtare, jo vetëm politike, por edhe ekonomike, kulturore-sportive, pastaj me tensione fqinjësore, por edhe të brendshme etnike, riemërtimi i saj në Dardania, kujtoj që është hap i rëndësishëm që ndryshon narrativen dhe hap një kapitull të ri. Merre me mend se çfarë presioni kanë ekipet sportive kur lozin në vende që kanë lidhje të ngushta sllave. Nikoqirët posa e dëgjojnë emrin e Kosovës mendojnë se sportistët janë bijtë e një populli që ka zaptuar një tokë sllave, edhe pse në shumë vende fyerjet raciste organizohen nga serbët.

Gjeniu dhe arkitekti i shtetit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova gjithnjë e kishte në plane që ky vend një ditë do të quhej Dardania. Kjo dëshmohet nga stema dhe flamuri që i kishte gati.

Duhet ta pranojmë se emri Kosovë është një emër sllav që u vendos diku në shekullin e XIX nga Perandoria Osmane dhe atë me insistimin e rusëve. Emërtimin Kosovë që nuk ka asnjë lidhje me shqiptarët, por me sllavizmin, e gjen të dokumentuar në shkrimet e kohës si një lloji kompromisi për të kënaqur kërkesat ruse.

E kundërta, Dardania është një emër që lidhet me rrënjët e lashta ilire dhe përfaqëson një epokë të para pushtimeve, romake, bizantine, sllave dhe osmane. Ndryshimi i emrit do të ndihmonte në rikthimin e identitetit kombëtar duke theksuar rrënjët ilire dhe autoktone që kemi, pa pasur nevojë të theksohet se Kosova është Shqipëri, pasi Dardani dhe Albani ishin dhe janë vëllezër.

Emri Kosovë ka një histori më komplekse në krahasim me emrin Dardania që është term i pastër. Në veshët sllav, vet emri Kosovë tingëllon sikur të ishte një territor që ju përket atyre, prandaj ndryshimi në Dardania mund të perceptohej më lehtë nga ndërkombëtarët, pse jo edhe ta forcojë legjitimitetin e shtetit të ri.

Me bindje e them se nëse ky emër Kosovë do vazhdon të përdoret për shumë vite, jo që nuk do të ketë njohje nga Serbia, por ajo gjithnjë e më tepër do të pretendoj që ai vend si nga historia ashtu edhe nga emri i përket asaj.

Emri i shtetit Kosovë ishte një kompromis që serbët duhet të kënaqeshin, pastaj simbolet me ngjyrën e kaltër, duke larguar gjithçka shqiptare brenda tyre, po-ashtu ishte një kompromis i dhimbshëm në dobi të serbëve. Dhe, pasi të gjitha këto nuk mjaftuan për fqinjin verior, shtrohet pyetja, pse ne të mos jemi vetvetja, origjinali i njerëzve dhe tokës, pasardhësit e dardanëve?

Pra, Dardania do të forconte dhe do ta konsolidonte edhe me tepër identitetin e përbashkët shqiptarë, ku shumica absolute do të ndiheshin me sofër plotë. Emri Dardania do të forconte dhe përfundonte sovranitetin e plotë të Kosovës së tanishme.

Që shtetësia të kompletohej, populli duhet t’ia imponoj qeverisë ndryshimin politik

Është logjike që një iniciativë e tillë do të hasë në kundërshtarë të shumtë, jo vetëm nga minoriteti, por edhe nga njerëz të shumicës shqiptare që gjithçka kanë ndërtuar mbi ketë emër. Do të ketë edhe të atillë që emrin e ri e shohin si pengesë dhe të dëmshëm për konsolidimin e shtetësisë së pa përmbyllur. Mirëpo, sipas meje kjo nuk qëndron, pasi thënia. “Kur s’do vetën, s’të do askush!” është gjithnjë aktuale dhe emri Dardania është ndihma më e madhe për vetveten, sepse duke mbrojt identitetin, kulturën do të fitosh respekt të jashtëzakonshëm në botë.

Kemi edhe barrierën sa bjeshka, ku sipas planit të Ahtisarit, minoritarët në çdo ndryshim kushtetues duhet të votojnë patjetër dhe dihet ata gjithmonë do të jenë pengesë. Për të eliminuar këto barriera, një diskutim serioz duhej të fillonte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të vazhduar me shtetet mike evropiane dhe tek pastaj të hapej diskutimi në Kosovë.

Veç këtyre, natyrisht vendimi për ndryshimin e emrit lidhet me pasoja të shumta politike, sociale dhe mbi të gjitha ka edhe një ndikim financiar. Madje edhe ndryshimi i një vule të një kompanie kërkon shpenzime, e lerë më e një shteti. Por, ndryshimet janë të mundshme në botën e digjitalizimit dhe do të përfundonin më shpejtë edhe pse shteti është një aparat administrativ shumë i madh.

Disa shtete mendojnë që ndryshimi i emrit ka një kosto të lartë dhe për këtë arsye edhe sot, nuk mund ta bëjnë për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Por, unë jam i bindur që Kosova e ka këtë mundësi, pasi disa shtete evropiane janë të gatshme ta ndihmojnë financiarisht.

Nëse flasim për interesin aktual politik, emri Dardania, edhe vetëm si iniciativë do të përçonte mesazh të fuqishëm për një fillim të ri, për një shtet që synon t’i tejkalojë ndasitë nga e kaluara. Do të ishte një simbol i transformimit dhe përparimit të vendit drejt një të ardhme të sigurt. Një mundësi për të rilindur imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat