10 vjet më parë u arrit të formohej koalicioni PDK-PDK, përmes të cilit Thaçi do të zgjidhej president në vitin tjetër, ndërsa qeverinë do ta udhëhoqte Isa Mustafa, duke shënuar kështu një nga tre gabimet fatale të LDK-së në karrierën e saj politike, që çuan deri në rënien e saj të madhe.
Thaçi realizoi synimin e tij për t'u bërë president, ndërsa në vitin 2017 e rrëzoi qeverinë me votat e PDK-së. Pavarësisht se zyrtarët e kohës në PDK thanë se dështimet ishin arsyeja e rrëzimit, duket se arsyeja kryesore ishte Gjykata Speciale. Këtë e theksoi vetë Ganimete Musliu, e cila tha se "deputetët e LDK-së, Anton Quni dhe Adem Salihaj, janë dëshmitarë në Gjykatën Speciale dhe se këtë ia ka thënë një koleg nga LDK-ja".
Pavarësisht se u mohua nga Salihaj dhe Quni, kjo deklaratë e saj në ditën e rrëzimit të qeverisë shpjegon më së miri se kjo ishte arsyeja. Pas kësaj, vazhdoi përplasja mes Anton Qunit, Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit. Ishte Anton Quni, që në vazhdën e përplasjes për Specialen, dyshes së PDK-së iu tha: "Ju më bëni të qëndroj në parlament, derisa t’i shoh prapa grilave", duke shtuar se kishte dashur të dorëhiqej nga politika, por po qëndron për shkak të Veselit dhe Thaçit.
Frika nga Gjykata Speciale tek Thaçi ishte aq e madhe, sa ai ishte në gjendje të bënte çdo gjë që të shmangte atë, madje edhe të përfshihej në projektin serbo-rus për ndarje. Nuk është e habitshme që pikërisht dyshimi i tij se zoti Salihaj dhe Quni janë dëshmitarë ka nxitur që ai të prishte koalicionin.
LDK ka gabuar që disa herë është shndërruar në vegël të Thaçit për interesa të tij, fatkeqësisht ende nuk e kanë kuptuar këtë, çka reflektohet edhe në gjendjen e saj të mjerë. Specialja, hija që Thaçin e ndiqte pas, ka bërë shumë dëm për t'i shpëtuar, por nuk ia arriti dot.