Më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për një lidership të mençur dhe strategjik që të shfrytëzojë momentet e favorshme në arenën ndërkombëtare. Administrata Biden, një nga mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës dhe të drejtave shqiptare, përfaqësoi një mundësi historike për të avancuar interesat tona shtetërore. Fatkeqësisht, kjo periudhë duket se u la të kalojë pa rezultatet që mund të ishin arritur.
Gjatë këtyre katër viteve, Kosova mund të kishte formuluar një draft të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të bazuar në Kushtetutën dhe interesat tona. Ky draft mund të ishte konvertuar në një fitore diplomatike, duke siguruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Përkundrazi, mungesa e një qasjeje të qartë dhe strategjike ka lënë hapësirë për pasiguri, duke forcuar pozitat e Serbisë dhe duke dobësuar ato të Kosovës.
Me ndryshimin e administratës amerikane në vitin 2025, Kosova përballet me një situatë të paqartë. Tani kur Donald Trump po rikthehet në pushtet, rajoni mund të rikthehet në një periudhë të paqëndrueshme politike. Qeveria e ardhshme e Kosovës do të përballet me sfida të dyfishta: ruajtjen e mbështetjes ndërkombëtare dhe frenimin e përpjekjeve për destabilizim, që mund të përfshijnë edhe rrezikun e copëtimit të territorit.
Kjo situatë kërkon një reflektim të thellë dhe një qasje të re. Kosova nuk mund të vazhdojë të mbështetet vetëm në mbështetjen historike të aleatëve, pa ndërmarrë hapa të qartë dhe konkret për të avancuar interesat e saj. Nevojitet një plan afatgjatë që të përfshijë formulimin e politikave të qarta, ndërtimin e një konsensusi të brendshëm dhe angazhimin aktiv me partnerët ndërkombëtarë.
Shteti ynë nuk mund të përballojë më humbjen e rasteve të tilla. Çdo moment i humbur forcon pozitat e kundërshtarëve tanë dhe dobëson ato të shtetit tonë. Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës nuk ka kohë të merret më me retorika, siç bëri gjatë gjithë mandatit kjo qeveri në ikje. Ka ardhur koha të kalohet nga retorika në veprime konkrete, për të siguruar që e ardhmja e vendit të mos varet nga rastësia, por nga vendimet tona strategjike.