Është konstatim i pasaktë, se maqedonasit i kemi miq..!

Opinione

Është konstatim i pasaktë, se maqedonasit i kemi miq..!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 21 nëntor 2024 Në ora: 14:31
Autori Rexhep Elezaj

Në shkrimin autorial në FB, lidhur me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, e mbajtur të hënën në Prishtinë, kryeministri Kurti, ndër të tjera shkruan, se; “Ne jemi fqinj, miq dhe partnerë”, gjë që, se jemi fqinj dhe partnerë, kjo është shumë e vërtetë, por se jemi miq me maqedonasit, kjo nuk është aspak e sakët, sepse miqësi mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk ka pasur kurrë gjatë historisë në marrëdhëniet e tyre fqinjësore, gjë të cilën e dëshmojnë shumë ngjarje tragjike, mosmarrëveshje dhe konflikte fizike, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore (1945) e deri në vitin 2001 me arritjen e marrëveshjes së Ohrit.

Se, sa dëme dhe tragjedi i kanë sjellë popullit shqiptar sllavo-maqedonasit, sidomos nga koha kur Tito i bëri komb dhe shtet në mbledhjen e -II-të të AVNOJ-it në Jajcë në vitin 1943, që kurrë më përpara nuk janë njohur si popull dhe si shtet me vete, pra kur Maqedonia do bëhet republika e gjashtë bashkë me 5 republikat tjera jugosllave, brenda të cilës do jetojnë me mijëra shqiptarë autokton, por të përndjekur dhe të burgosur nga organet e sigurimit shtetëror serbo-maqedono-jugosllav, UDB-ja, si njerëz të rendit të dytë dhe të tretë shoqëror-social, pa të drejta elementare njerëzore dhe nacionale, gjendje e cila do vazhdon deri në marrëveshjen e Ohrit me 13 gusht 2001, me të cilën do i jepet fund konfliktit mes UÇK-së dhe regjimit fashist maqedonas mbi shqiptarët.

një fjalë, pozita e shqiptarëve në Maqedoni ka qenë gjithmonë e rënd dhe diskriminuese, ku me vite dhe dekada nuk kanë pasur të drejta për shkollim në gjuhën amtare, ku përdorimi i gjuhës shqipe ka qenë i ndaluar në administratën shtetërore, madje në një periudhë kohore regjimi racist maqedonas shqiptarëve ua kufizonte edhe lindjet, ua rrënonte muret e shtëpive dhe rrethojat e oborreve, vetëm se i takonin Fesë islame, etj., duke i fyer dhe ofenduar me lloj-lloj etiketimesh dhe sharjesh banale, vetëm pse ishin shqiptarë. Mjafton të përmendet vetëm teksti i Enciklopedisë, e përpiluar nga Akademia e shkencave maqedone, në të cilën shqiptarët nuk përfshihen fare, duke e mohuar ekzistencën e tyre në Maqedoni, si përpjekje për deformimin e historisë përmes një një projekti “shkencor” që të shqiptarëve t’iu mohohet e drejta historike dhe natyrore mbi territorin e tyre autokton.

Në vitin 1991 shqiptarët nuk dolën në referendumin maqedonas, veçse organizuan referendum paralel në përpjekje për të fituar autonomi politike-territoriale, të cilën e emëruan “Iliridë”, ku gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave në fillim të viteve të 90-ta, ky lloj autonomie iu ofrohej pakicave të mbetura jashtë shteteve të tyre amë, por ku mjerisht kërkesat e shqiptarëve për avancim të statusit të tyre nuk u realizuan, as ato për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, ngase maqedonasit nuk i pranonin shqiptarët si popull me të drejta të barabarta me ta, veçse i trajtonin si pakicë kombëtare, madje deri në ditët e sotme.

Majorizimi i shprehur ndaj shqiptarëve nga regjimet diskriminuese maqedonase, përmes parullës, se “ju keni të drejtë të kërkoni të drejta, të shpreheni lirshëm, por shumica vendos”, ishte kjo ndër formulat më antishqiptare, dhe këtë e dëshmon fakti, se asnjë kërkesë e shqiptarëve në dhjetë vitet e para pas pavarësisë së Maqedonisë nuk u plotësua, siç është përdorimi i gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare të shqiptarëve, pranë asaj se ishin aprovuar disa ligje për përdorimin e gjuhëve në vitin 2008 dhe 2011, ngase realiteti në teren tregonte, se gjuha shqipe trajtohej si gjuhë e një populli pakicë, dhe jo si e drejtë elementare që del nga përkatësia kombëtare shqiptare, por edhe nga të qenit popull autokton si dhe element shtet formues në Maqedoni.

Mjerisht, sot 16 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, gjuha dhe kultura shqiptare në Maqedoni janë të nëpërkëmbura nga pushteti racist maqedonas, ndërsa në institucionet financiare, të sigurisë, inteligjencës dhe mbrojtjes gjuha shqipe nuk përdorët fare. Gjuha shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni përdorët në nivel lokal ku folësit janë 20% ose më shumë, që nënkupton shqiptarët, por jo e përfshirë edhe në Kushtetutën e saj.

Se, për çfarë arsyeje maqedonasit rrezikun nga shqiptarët e shohim më të madh se sa rrezikun nga serbët, nga bullgarët dhe grekët, edhe pse serbët ende nuk e pranojnë kishën autoqefale maqedonase, grekët nuk ua pranojnë shtetin, ndërsa bullgarët identitetin, edhe pranë faktit, se vetëm shqiptarët nuk e mohojnë ekzistencën e tyre si popull dhe si shtet, kjo armiqësi e tyre ndaj shqiptarëve gjithnjë do mbetet një enigmë politike, të cilën faktori shqiptar duhet ta zbërthejë, në mos për asgjë tjetër, atëherë për hir të historisë paqësore të shqiptarëve ndaj maqedonasve.

Po ashtu, nuk ka asnjë dyshim, se gabimi më i madh historik i maqedonasve ka qenë përqafimi i tezave fashiste serbe ndaj shqiptarëve, duke krijuar një hendek të madh mes popullit shqiptar dhe atij maqedonas, me të cilin kanë jetuar me shekuj në të njëjtin truall dhe nën të njëjtin qiell, madje në veprat e historianëve maqedonas s’mund të gjesh asgjë afirmative për shqiptarët, përkundrazi, vetëm fyerje dhe vlerësime negative.

Madje, edhe pse Marrëveshja e Ohrit (2001) i mbylli disa çështje të hapura që i ngarkonin marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase, duke i zbutur në një masë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, duke e rritur edhe përqindjen e shqiptarëve të punësuar në administratë, grupe nacionaliste maqedonase do bëjnë propagandë të egër antishqiptare, siç është VMRO-DPMNE, me gënjeshtra, se shqiptarët janë ardhacakë në Maqedoni, duke mos u pajtuar as me ngritjen e nivelit te të drejtave të shqiptarëve për arsim, kulturë, etj.

Sidoqoftë, shqiptarët në Maqedoni janë “të dënuar” të jetojnë bashkë me maqedonasit, urrejtës të shqiptarëve, dhe kjo u krijon ndjenjën e pakënaqësisë së madhe, që shteti maqedon të mos u garanton jetë dhe barazi nacionale, ku 30% të popullsisë në këtë shtet e përbëjnë shqiptarët, faktor ky pa të cilin Maqedonia kurrë nuk do mund të bëhej dhe as të ekzistonte si shtet.

Prandaj, shqiptarët që e përbëjnë sot 30% të banorëve të Maqedonisë, e kanë obligim kombëtar që kurrë mos të heqin dorë nga të drejtat e tyre historike që të jetojnë në tokat e tyre shekullore me të drejta të plota dhe të barabarta me popullin maqedonas, i cili kurrë nuk ka shfaqur simpati dhe miqësi ndaj shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat