Pavarësisht se ende s’ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, partitë kanë filluar të mbajnë tubime në tërë vendin, si dhe jashtë vendit, në mërgatë. Partia e tretë në vend, LDK, ka nisur parafushatën me kryefjalën e emrit të presidentit historik, themeluesit të saj, Dr. Ibrahim Rugova.
Ndonëse publikisht nuk rreshtin se përmendin "Rugova, Rugova", kreu i saj aktual kishte larguar fotografinë e presidentit Rugova gjatë intervistës me gazetarin nga Shqipëria, Çim Peka. Pas deklaratës së z. Peka, nuk ka pasur asnjëherë reagim nga z. Abdigjiku, nëse ka qenë e vërtetë një gjë e tillë, me argumentin e përforcuar nga z. Peka, i cili ka sjellë edhe foto nga stafi i tij, ku fotografia e presidentit Rugova ishte lënë anash.
Sipas Pekës, Abdixhiku e kishte bërë këtë veprim që "LDK të identifikohej tashmë me të dhe jo me Rugovën". Lumir, me vet faktin që nuk e ka demantuar asnjëherë një gjë të tillë, bie të jetë e vërtetë, çka e shton edhe më shumë "tragjedinë" e kësaj historie. Nuk mund të bëhesh lider i madh duke tentuar të fshish nga historia të tjerët, por duke respektuar dhe mësuar nga ata.
Nga kjo del në pah falsiteti i gjoja respektit ndaj figurës së Rugovës nga ana e kryetarit aktual. Lumiri nuk ka asgjë të përbashkët me presidentin Rugova; janë të ndryshëm në karakter dhe vizione. Kur thirresh në rugovizëm pa ditur as çfarë përfaqëson rugovizmi, është e tmerrshme për ata që shkojnë pas Lumirit duke pandehur se janë në partinë e Rugovës.
Përveç rugovizmit, sot në LDK ka titizëm, soristë e oristë, por rugovistë të vërtetë jo, aq më tepër në kryesi. Fshehja e fotografisë së Dr. Rugovës shpërfaq fytyrën e vërtetë të Lumirit, njeriut pa formim të pastër politik, veçse vazhdim i mendësisë politike të Isa Mustafës.