Bëni fushatë për Kosovën, por jo me Kosovën!

Opinione

Bëni fushatë për Kosovën, por jo me Kosovën!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 22 nëntor 2024 Në ora: 16:01
Ramush Haradinaj- Lumir Abdixhiku- Memli Krasniqi

Kosova gradualisht po futet në ethet e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të ardhshëm. Fillimisht partitë politike të mazhorancës dhe opozitës e nisën këtë fushatë me diasporën. Secila nga partitë e mëdha ka në diasporë përkrahësit e saj tradicionalë. Kjo nuk ndryshon. Vetëvendosja ndërkohë gjeti terren te pjesa e elektoratit gri të diasporës së shqiptarëve. Kjo pjesë dëshmoi në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 se ishte më e madhja ndër të gjitha pesët e tjera. Por Kurti dhe Gërvalla, në koalicion parazgjedhor së bashku, mesa duket patën frikë se mund të kishte rrjedhje të mbështetjes së mëparshme, ndaj dhe nisën kontaktet elektorale në Zvicër, Gjermani e gjetkë. Pas tyre udhëhoqën takime e mitingje edhe Abdixhiku e Bedri Hamza. Haradinaj gjithashtu tentoi të bëhej faktor.

Por gara elektorale zhvillohet kryesisht brenda Kosovës. Çdo përpjekje për ta transferuar atë jashtë saj nuk besoj se sjell dobi. Megjithatë as brenda kufijve të saj, as jashtë Kosovës nuk mund të bëhet fushatë me fatet e vendit. Mazhoranca duhet të heq dorë nga ndonjë përpjekje për të përdor asetet shtetërore në fushatë elektorale politike. Nuk mundet që në kohë fushate të ngreja paga e pensione. Ajo mund ta premtojë këtë për periudhën pas zgjedhjeve, por nuk mundet që një mazhorancë, cilado të jetë ajo, të përdor buxhetin e shtetit për qëllime elektorale. Edhe pse kjo ndodh rëndom në Shqipërinë tonë të çuditshme e pa parime, kjo nuk është e nuk mund të bëhet model për Kosovën. Nëse ndodh kjo, atëherë mazhoranca në Kosovë bëhet pjesë e manipulimit të zgjedhjeve dhe votave. Ky është dhe mbetet rreziku më i madh për zgjedhjet e lira dhe demokracinë në Kosovë.

Ndërkohë Kosovën e rrezikon edhe bërja fushatë nga ana e opozitës me fatin e saj, sidomos në raportet që ajo ka e duhet të rindërtojë me Serbinë. Ndër ne shqiptarët është i theksuar inati i brendshëm. Ndaj nuk zgjedhim mjetet në luftën ndaj njëri-tjetrit. Dhe jo pak raste “Për inat të vjehrrës shkojmë e flemë me mullixhinë”! Që do të thotë për inat të njëri-tjetrit harrojmë se ndihmojmë interesat dhe projektet serbe në Kosovë. Është e drejtë e mazhorancës ta përdorë në fushatë suksesin e saj për shtrirjen e sovranitetit të shtetit në të gjithë territorin dhe këtu është fjala për veriun e Kosovës. Dhe është e padrejtë që ky sukses të kundërshtohet edhe pa argumente nga ana e opozitës. Kundërshtia mund të jetë e dobishme deri te ajo fija e perit që nuk i jep kredite anti-Kosovë Beogradit.

Gjithkush nga njerëzit racionalë beson se nihilizmi nuk e ndihmon shoqërinë të civilizohet. Ndërsa në rastin e Kosovës ka raste që kthehet në bumerang për vetë interesat dhe fatin e saj. P.sh qeveria, presidentja dhe institucionet e tjera të Kosovës mund të kritikohen edhe për veprime të pakoordinuara me aleatët, por nuk mund të kritikohen për suksesin që kanë arritur në Banjskë dhe në aktet për të luftuar aktet terroriste e bandat kriminale të lidhura me Beogradin dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. 

Gjithkush duhet të kërkojë nga kryeministri më shumë maturi dhe bashkëpunim me aleatët, por edhe nëse kjo ka munguar në momente të caktuara, nuk mund të bëhet pengesë për të njohur meritat e shtrirjes së sundimit të ligjit në komunat veriore.

Është e kuptueshme se të bërit opozitë në Kosovë zhvillohet në pozicione shumë të vështira. Sepse Kosova nuk është ende subjekt i plotë ndërkombëtar shtetëror, pra nuk është anëtare e OKB-së, e për pasojë opozitarizmi klasik e bën atë të rrezikuar në momente të caktuara.

A ka Kosova burra dhe gra në pushtet e në opozitë që kanë aftësinë e ruajtjes së ekuilibrit midis të drejtës së të bërit opozitë dhe detyrimit për të ruajtur dhe për të mbrojtur interesin e Kosovës. Besoj se po. Por ka plot prej atyre që në garën elektorale e në luftën politike nuk e ruajnë këtë ekuilibër. Ndodhi telefonata e Mimoza Kusarit me Radoiçiq. Bisedën e publikoi pala serbe. Qëllimi dihej. Të krijonte konflikt politik të brendshëm. Të urtët në opozitë e kuptuan këtë skemë mashtrimi dhe heshtën. Të marrët e tejkaluan të drejtën e tyre në kritikën ndaj Kusari-Lilas, aq sa cenuan ekuilibrat e interesit nacional. Madje tentuan ta barazojnë një bisedë thuajse normale, më drekat, darkat dhe kompromiset e dhimbshme të mëparshme që vetë i kishin bërë. Ndërkohë qëllimi i Serbisë ishte të krijonte perceptimin se “Radoiçiq ishte i preferuari i të gjitha palëve politike në Kosovë e për pasojë një i tillë nuk mund të jetë terrorist”!

Mora vetëm këtë shembull për të thënë se Kosova nuk mund të rrezikohet për shkak të ambicieve të dikujt për pushtet, qofshin këta politikanë të mazhorancës, apo të opozitës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat