Përkujtohen luftëtarët e lirisë, oficeri i Policisë së Kosovës Arben Sejdiu, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj

Opinione

Përkujtohen luftëtarët e lirisë, oficeri i Policisë së Kosovës Arben Sejdiu, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj

Nga: Milazim Maraj Më: 24 nëntor 2024 Në ora: 17:33
Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj

Më 22 Nëntor 2024, përkujtuam bashkëluftëtarin tonë, policin ushtarak të Brigadës 138, “Agim Ramadani”, Arben Sejdiu. Era e fuqishme dhe shiu në Koshare avullohej nga trupat e bashkëluftëtarëve dhe familjarëve të Arbenit. Ata nuk ndienin të ftohtin e kësaj dite. Ishte varri i Arbenit dhe i bashkëluftëtarëve tanë që na jepte forcë dhe na ngrohte shpirtin. Ndiheshim mirë që i patëm dhe borxh që vrasësit e tyre nuk u gjendën. Në këtë ditë, në këtë fërfëllizë, na kujtoheshin momentet më të mira me Arbenin.

Na kujtohej edhe dita plot dhimbje dhe zhgënjim kur dëgjuam se në gjoksin e Arbenit kishte shkaktuar dora tradhtare nga një grup kriminelësh. Eh... zhgënjimi sa vinte e shtohej, madje shtohej dhe venitja e besimit në organet tona të hetuesisë. Nuk u gjet krimineli, nuk u gjet rrjeti i kriminelëve që vranë luftëtarët e lirisë. Nuk u zbuluan apo u mbuluan.

Po këtë ditë pranë varrit të Arbenit bënë homazhe edhe Policia e Kosovës, kolegë dhe bashkëluftëtarë të tij, me shumë respekt e krenari që i patën bashkëluftëtarë dhe kolegë. Por, në këtë ditë nuk ishin hetuesia e Kosovës, nuk ishin as prokuroria e Kosovës, nuk ishin përgjegjësit për zbulimin e këtyre krimeve. Ata, në këtë ditë, nuk mund të ishin krenarë. Pra, nuk ishin ata që do të duhej të ishin pas grilave, kriminelët që vepruan kundër interesave kombëtare të shqiptarëve. Sot, Arbeni ishte më i gjallë se të gjithë ata që duhej ta zbuluanin krimin. Arbeni sot dhe gjithmonë do të dëshmojë se si duhet të luftohet për të çliruar vendin dhe si duhet ndërtuar liria në një vend të lirë. Asgjë nuk vlen pa çmim, sepse Arbeni dhe shokët e tij e sakrifikuan jetën e tyre.

Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj u përkujtuan sot në Pejë, para Policisë së Kosovës. Bashkëluftëtarë dhe familjarë të këtyre dy heronjve të Kosovës vendosën lule përkujtimi dhe mall para Lapidarit në Pejë, në vendin ku ndodhi krimi në Raushiq, pranë varrit të heroinës Sebahate Tolaj në Pobergjë dhe varrit të heroit të Kosovës në Koshare. Sot, më 24.11.2024, përkujtuam shokët tanë të luftës, të cilët u vranë pikërisht në këtë datë. Ata u vranë ndërsa po shkonin në detyrë. Vetë e kishin vendosur detyrë që të zbulojnë kriminelët që vazhdonin vrasjet aty ku i kishin lënë kriminelët serbë. Sot kujtuam aktivitetin e këtyre heronjve, aksionet dhe kontributet në luftë, punën profesionale të tyre në Policinë e Kosovës

. Sebahate Tolaj pati edhe një tentim atentati këtë vit, nga ata që kishin marrë përsipër të tregojnë se si ishin torturuar nga UDB-shët shqiptarë, ndërkohë që nuk ishin torturuar fare nga ata serbë. Tentimi për atentat ndodhi 21 vjet pas vrasjes së saj. Pse ndodhi kjo vepër makabre? Para kësaj ngjarje, sa të dhimbshme aq edhe të turpshme, shumë lënduese për familjen dhe për të gjithë ata që punuan dhe e njohën Sebahaten, atentati i saj 21 vjet pas vrasjes lëndoi thellë. Pas këtij turpi, ngrihen shumë pyetje: Pse etiketohet luftëtarja dhe policja e guximshme dhe profesionale e Kosovës? A kishin këta njerëz gisht në vrasjen apo porositë për vrasjen e Sebahatës? A do të duhej që organet që nuk e zbuluan vrasjen e saj dhe të 11 policëve të tjerë të Kosovës të merren me këtë informacion për studim?

A e quajtën edhe atëherë UDB-shë kur e vranë? Pse u mbulua ky rast? Rasti për këtë heroinë u përfol edhe një herë në emisionin e Ermal Pandurit, duke lënduar rëndë edhe njëherë familjen e saj. Ky rast ose do të mbyllej me kërkim falje nga ata që gënjyen, sepse Sebahate Tolaj nuk ka punuar kurrë në UDB. Këtë e dëshmojnë kolegët e saj, madje as në Aeroportin Civil. Sot, për familjen dhe bashkëluftëtarët, ishte edhe një dhimbje shtesë nga këta “patriotë”. Çfarë kërkuan këta “patriotë”? Të rehabilitojnë vrasësit apo të tregojnë se ishin në dijeni për këtë ngjarje që do të ndodhte? Lavdi të rënëve, respekt për familjet e tyre. Sot, po ashtu, nga të gjithë u kërkua që të zbulohen kriminelët dhe të dënohen në bazë të legjislacionit në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat