Idealizmi në shitje: 28 Nëntori, dita e Flamurit dhe realiteti që kemi ndërtuar

Opinione

Idealizmi në shitje: 28 Nëntori, dita e Flamurit dhe realiteti që kemi ndërtuar

Nga: Gëzim Mekuli Më: 24 nëntor 2024 Në ora: 19:16
Autori Gëzim Mekuli

Ju kujtohen Ismail Qemali, Adem Jashari, Isa Boletini, Shote Galica e luftëtarët e UÇK-së; ata nuk pyetën "çfarë fitoj unë?", por luftuan për një komb të lirë, për Pavaësi e për bashkim. Por sot? A e çmojmë vërtet këtë liri që kemi trashëguar?

"A nuk po t’paguajn a?"

Dua të ndaj një përvojë t'keqe personale. Që nga koha kur Vetëvendosje fitoi zgjedhjet dhe Albin Kurti erdhi në pushtet, njerëz të njohur e të panjohur më lodhnin duke më pyetur: Cilin post do te marrësh tani? Në cilën Ministër do të rehatosh? Çfarë do të te japë Albini? Po ti e ke ndihmuar me MekuliPress shumë më shumë Albinin? Ai duhet me ta shpërblyer… etj., etj.

Të shkretët nuk e kuptonin e nuk po e kuptojnë as sot. Kur u përgjigjesha këtyre gjynahave se asgjë nuk kërkoj dhe asgjë, bash hiq asgjë nuk pres, shihja mosbesimin, ndjeja habinë dhe, për të thënë të drejtën, edhe përbuzjen e tyre. Në mendjen e tyre prej kungulli, një njeri që punon aq shumë për ideal nuk ekziston! Vërtetë ndoshta egziston, por nëse egziston ajo/ai është injorant me ide të moçme, medemek i padishëm, ndoshta si Noka, me mend t'fëmive….

Të shkretët besojnë vetëm te ata që e bëjnë gjithçka për një interes personal; që marrin rroga, pozita, karierë, honorare, tenderë, lek nën e mbi tavolinë etj.,etj.

Më vjen keq të them, por ky është një mentalitet që po na mbyt e po na e zë frymën. Kultura e VIP-ave, Big Brother-it, blogerave, barbigazetarisë dhe butoksave e ka shkatërruar aftësinë tonë për të besuar te idealet.

Sot, gjindja nuk të pyesin për bindjet apo ëndrrat e tua, por për çmimin tënd; sa kushton?

Ndërkohë, shihni historinë botërore hmm. Francezët nuk e shitën lirinë pas Revolucionit të 1789-ës. Amerikanët, pas Luftës për Pavarësi, ndërtuan demokraci për të gjithë, jo për një grup të privilegjuar të pasluftës. Po ne? Ne po shesim gjithçka – nga liria, nga Flamuri deri te dinjiteti – për një vend pune, një tender apo një pushtet.

28 Nëntori më kujtoi diçka të rëndësishme

Kjo ditë nammadhe nuk është vetëm një datë paushalle në kalendar, por një kujtesë kolektive për ata që dhanë gjithçka. E historia jonë na mëson se liria nuk është falas, apo «gratis» siq e quajnë sot me shumë merak disa gazetarë/analistë “modern”. Kjo, liria pra, kërkon guxim, vendosmëri dhe shpeshherë, flijim.

Sa vlen liria për ne sot, të dashur lexues?

Kur Adem Jashari qëndroi deri në frymën e fundit me familjen e tij, pyetja e tij nuk ishte “çka do të marr nga kjo liri?”, por “a është kjo sakrificë e drejtë për brezat e ardhshëm?”.

Sot, kjo pyetje më provokon e më ngacmon: A do ta bënim ne të njëjtën sakrificë për Flamurin, për pavarësinë, për lirinë; për Shqipërinë?

Të nderuar lexues,

Kapërcimi nga “ne” te “unë” është taksirati i moçëm i përparimit tonë. Sepse ata që luftuan për këtë Flamur nuk menduan për veten, por për ty dhe për mua; për kombin.

E ne shofim se si sot në hapësirat tona - në Prishtinë, në Tiranë dhe Shkup - duket se kemi harruar këtë ideal. Solidariteti i dikurshëm ka lënë vend për një qasje individualiste ku parësore është “çfarë fitoj unë?”.

Materializmi dhe ndikimi i mediave alla Big Brother po na mbushin me ëndëra boshe dhe egocentrizëm. Po shohim një shoqëri që vrapon si budalla pas pasurive, pas shtëpive luksoze, pas karierës së pamerituar dhe pas famës së rreme në rrjete sociale.

Ju kujtohet, të nderuar lexues?

Pas shpalljes së pavarësisë më 1912, Isa Boletini deklaroi: “Unë jam mire kur është mire Shqipëria!” Ai nuk pyeti se çka do të përfitonte nga ajo gjysmëpavarësi, por si mund të ipte më shumë për të. Po kështu, Adem Jashari dhe mijëra luftëtarë të UÇK-së, të cilët dhanë jetën për t’i dhënë Flamurit tonë kuptimin që meriton.

Shtrohet pyetja, ku jemi ne shqiptarët sot?

A jemi ne sot të denjë për këtë trashëgimi politike, kulturore e historike?

A kemi ende atë ndjenjë të moçme bashkimi që i dha kuptim sakrificës së tyre? Apo kemi zgjedhur një rrugë që shkëlqen sall vetveten dhe harron të përgjithshmen?

A ishte kjo ëndrra e heronjve tanë?

Konsekuent deri në fund; Flamuri i përjetshëm kuqezi nuk është zhele për t’u valëvitur një ditë në vit. 28 Nëntori nuk është sall për

Flamuj e fjalime; është një thirrje për këndellje, sakrificë, punë dhe bashkim

Unë po e filloj me një hap. Po ti? Cili është hapi yt i radhës për Flamurin, për kombin dhe për atdheun?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat