Një djalë 14 vjeç u vra nga bashkëmoshatari i tij. Vrasësi po 14 vjeç pas kësaj mori thikën vrastare dhe bëri foto me të në rrjetet sociale. Shtrëngoi dorën grusht, sikur të thoshte “Po, ia arrita, tani jam cub, jam i fortë”! Mburrej me viktimën e tij, sikur të kishte bërë një vepër heroike, ose një akt moral të admirueshëm nga shoqëria.
Në fakt ai veproi nën psikozën e moralit të forcës. Sipas tij, nëse tregon forcë, nëse reagon fuqishëm, pra edhe nëse vret dikë, kjo të bën të vlefshëm, të dobishëm dhe të famshëm. Kjo është arsyeja kryesore pse u vra Martin Cami. Vrasësi e identifikoi vetën me famozët e mëdhenj të këtij vendi, P.sh me Shullazin, e qindra shullazë të tjerë, të cilët kanë koordinatorin e tyre në godinën e kryeministrisë, madje në një zyrë pranë zyrës së kryeministrit të vendit. Agasi i koordinimit të bandave kriminale e mafioze është aty, merr e jep me kryeministrin e Shqipërisë, ku më së shumti marrin forcë njerëzit e krimit.
Pastaj kjo shëmti kryeministrore vjen dhe na shfaqet në parlament. Sërishmi është ai, padishahu i Rilindjes, që na shfaqet me shprehjet e forcës “Na, Noc Rrokun do të merrni”! “Sa të jem unë, ju kurrë nuk do të fitoni”! Pastaj vijojnë lëpirësit e kryeministrit në ekranet televizive e diskutojnë me termat e moralit të forcës. “Kush do t’i fitojë zgjedhjet? Dhe vjen përgjigja parafabrikat: “I forti do të fitojë dhe dihet kush është i forti, Ramsi”! Adoleshentët para ekranit e në rrjetet sociale ndjekin Ramsin dhe ramsat e tjerë e thonë “Dua të bëhem si Ramsi”! Pra i fortë! Të marr pushtet, e përmes tij ta grabis e ta vras Shqipërinë”!
Ky paraadoleshent ose adoleshent ëndërron të sundojë me forcë. Njësoj si kryeministri i vendit. E gjen frymëzimin te tik toku, Podcasti, FB apo Twiter-i i Edi Ramës. Mjafton të ndjekësh për tre-katër muaj këto rrjete të Ramës dhe pa e kuptuar bëhesh kriminel, ose së paku imitues i kriminelit. Se i tillë është fjalori i kryeministrit tonë, të tilla janë kërcënimet që bën ai, janë sjelljet e deri mimikat që shpreh në publik. Tipik pozat e shprehjet e kriminelëve. Më tej akoma adolenshenti vrasës me siguri që ka parë e ka ndjekur edhe përvojën kriminale të deputetëve, kryetarëve të bashkive, ministrave, zv. ministrave, drejtorëve dhe strategjikëve të kryeministrit Rama.
“Ej, shprehej një nga adoleshentët e një shkolle afër 15 katëshit në Tiranë. Ai strategjiku i Ramësit në Shkodër kishte urdhëruar vrasje për të zaptuar 330 mijë m2 tokë në Velipojë. Edhe unë do të bëhem i fortë si ai! Ndryshe nuk bëhesh i pasur”! Ja këto është mesazhet që kryeministri i Shqipërisë u jep shqiptarëve dhe sidomos brezit të ri të paformuar tek ne! Dhe pastaj del e na thotë
“Do ta mbyll, Tik-Tokun”, sikur tik-toku shpik adrenalinën kriminale që Edi Rama përçon përmes këtij rrjeti social.
Ose një hembull tjetër: - Ministri i Drejtësië papritmas u shfaq pronar tokash në Tiranë. Erdhi nga Peshkopia, iu vardis kryeministrit, u bë deputet e ministër, gënjeu e mashtroi një fakir në periferi të Tiranës dhe fap, fap, fap u bë “latifondist”! Tani është pra investitor i ndërtimeve të mëdha. Si ia arriti Ulsiu të ngjitet deri këtu? Ku i mori paratë? A e heton njeri atë? Apo duhet hetuar, izoluar e dënuar kundërshtari politik i Ramës dhe Ulsiut, pse ai zhvilloi pronën e trashëguar nga të parët e tij?! Nuk ka rëndësi Ulsiu. Ulsiu përmes Dumanit e arreston zhvilluesin e pronës së trashëguar në mënyrë demonstrative në të vetmin aeroport të Shqipërisë, ku ta shihnin forcën e Edit dhe Ulsiut mijëra njerëz. Pastaj adoleshenti sheh se si përdoret forca e policisë kundër një ish-presidenti dhe ish-kryeministri!
Në këto kushte pse ai adoleshenti të mos frymëzohet nga forca e pushtetarëve?! Modeli janë ata. Janë deputetët e Rilindjes që bëjnë nga një skandal vrasjeje, dhune e force çdo muaj. Janë ministrat që bredhin me çanta parash në biçikletë. Janë rilindësit patronazhistë, të cilët të pyesin në ashensor: - Pse nuk del në pension?!
Modeli është shteti. Shteti i të gjatit dhe fikaxhiut që prish banesa dhe le njerëzit në rrugë. Është bashkia që çon fadromat për të prishur shkolla (Edith Durham), pa vënë në dijëni drejtorin apo mësuesit e saj. Pse? Në emër të forcës! Në emër të korrupsionit, nga i cili shteti dhe zyrtarët e tij marrin gjithashtu forcë.
Shteti, ashtu si familja, edukojnë me sjelljen e tyre, me imazhin që krijojnë, me veprat që kryejnë. Shteti, media e manipuluar prej tij, rrjetet sociale me personazhe politikanët, edukojnë frymën e hakmarrjes, urrejtjes e forcës së shfrenuar. Ndaj dhe ndodhi vrasja e 14 vjeçarit, Martin Cami! Shteti dhe forca e tij në bashkëveprim me krimin e organizuar dhe mafien kanë paralizuar gjithçka, jetën kulturore, edukimin moral, veprimin e mësuesit e të shkollës e madje edhe të prindit dhe shoqërisë.
Tashmë jemi para një kolapsi shoqëror e jo vetëm politik! Megjithatë mediat tona, gazetarët tanë pro-qeveritarë vazhdojnë të fajësojnë familjen, mësuesit, shkollën, klasën, psikologët, rojet e sigurisë. Gjithkush ka faj për atë vrasje, vetëm shteti është i pafajshëm. Shteti është engjëlli, të tjerët, gjithkush, edhe viktima 14 vjeçare, për shtetin janë fajtorë të përjetshëm. Kështu ndodhi në rastin e protestave për armët kimike. Saliu ishte fajtor! Po kjo ndodhi kur protestuan studentët: - Profesorët u fajësuan! Më pas u fajësuan mjekët, infermieret, sërishmi profesorët! Vetëm Edi Rama është, sipas Lapajt, uji i pastër I këtij vendi! Kur në fakt ai është burimi kryesor i dhunës terrorizuese në Shqipëri!