Cilët janë në të vërtetë të verbër dhe antishqiptarë, o Edi Rama...?

Opinione

Cilët janë në të vërtetë të verbër dhe antishqiptarë, o Edi Rama...?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 09:12
Xhevat Mustafa

Në takimin me emigrantë shqiptarë në Londër në mesditën e 24 nëntorit 2024 kryeministri Edi Rama, padrejtësisht dhe papërgjegjshmërisht, i cilësoi si "të verbër" dhe "antishqiptarë" kundërshtarët e tij para e brenda sallës, që "i kujtuan" dhe kërkuan ikjen nga froni kryeministror apo "mbretëror" dhe e fajësuan për ortekët e të këqijave që kanë rënë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë 11 viteve të "epokës Edi Rama"!? Por, për shumëkënd në Shqipëri, në Londër e në mbarë Britaninë e Madhe, këto epitete të Edi Ramës janë të pasaktë, të padrejtë, adresuar gabimisht! Apo, që i shkojnë shumë më tepër atij dhe shumicës të tjerëve në atë sallë, marrë me vete sidomos nga Shqipëria dhe gjetur e mbledhur si me qiri nëpër Britani, proces i lehtësuar nga e shkuara dhe e sotmja e tyre, e dokumentuar vetë apo nga prindërit dhe gjyshërit, si sigurimsa, aparataçikë, enveristë, edramistë, sorosistë, patronazhistë...!

E pra le t'i japim një përgjigje më SHQIP dhe më SHQIPTARISHT Edi Ramës dhe tufave, që e duan për inat e për të keqen e Shqipërisë, Kosovës, Kombit...:

Cilët janë në të vërtetë të verbër dhe antishqiptarë, o Edi Rama dhe ju të gjithë të kopesë së tij në salla-stalla e në sheshe në Shqipëri dhe në botë, në Diasporë? Ata që nuk e duan dhe nuk votojnë atë që gjatë 11 viteve të qeverisjes apo mbretërimit të tij ka detyruar rreth 1 milionë shqiptarë në mosha 20- 50 vjeç, nëpërmjet papunësisë dhe varfërisë, të braktisin Shqipërinë e të ikin emigrantë në vende të afërta e të largëta të Perëndimit apo ata që e duartrokasin dhe përgëzojnë për këtë gjëmë që i është bërë Shqipërisë dhe Kombit...?

Cilët janë në të vërtetë të verbër dhe antishqiptarë, o Edi Rama dhe ju të gjithë që e duartrokisni dhe votoni, edhe kur këto i meriton më shumë nga Xhorxh Soros, nga serbët, grekët, rusët...? Ata që nuk e duan dhe nuk votojnë atë njeri e kryeministër që e ka përmbytur Shqipërinë me papunësi, varfëri, korrupsion, kanabiz shqiptar, kulla, më së shumti me themele e kate drogrash ardhur me anije dhe kointeniere nga Ekuadori dhe vende të tjera latino- amerikane? Apo ata gjase shqiptarë që "nuk i shikojnë" këto, për më keq, që i puthin duart e rrahin supet për këto "bume", "arritje", të cilat edhe në klasifikimet fare të freskëta ndërkombëtare na nxjerrin e na lënë, paanësisht apo me “meritë të plotë” ndër të fundit në Evropë dhe në botë për treguesit e zhvillimit modern, të mirëqenies, të demokratizimit, të drejtësisë e ndër të parët për plot të këqia ...?

Cilët janë në të vërtetë të verbër dhe anikombëtarë, o Edi Rama e ju enveristë, edramistë, patronazhistë...”britanikë”?

Ata që "të kujtojnë" se në Shqipërinë e sotme, edhe pas 11 vjetësh në qeverisje, me plotpushtshmëri si mbret, dhe me shumicën e çmimeve 25- 100% më të lartë se në Greqi, Itali, Gjermani, Poloni..., janë rreth 500 mijë pensionistë me pensione rreth 100- 200 euro në muaj; rreth 150 mijë me pensione 200- 300 euro në muaj; rreth 200 mijë punonjës të thjeshtë me paga 250- 350 euro në muaj, një pjesë e madhe e të cilëve mund të llogariten edhe si familje, duke pasur gratë të papuna ...? Apo ata, të cilëve edhe nga New Jorku, Selaniku, Londra...u nxjerr mallin e Enverit, që të duartrokasin e të përgjërohen në vend e në botë që ta vazhdosh varfërimin, mplakjen dhe mpakjen e Shqipërisë duke mbetur në kolltukun kryeministror, deri në frymën e fundit...?!

Cilët janë në të vërtetë të verbër dhe antishqiptarë, o Edi Rama dhe ju të gjithë “tifozët” e tij në salla-stalla e në sheshe, që e duartrokisni edhe “kur bën pambarim faulla të rëndë” në dëm të shumicës së shqiptarëve? Ata që nuk ia falin dhe nuk ia harrojnë veprat e panumurta si varrmihës i shtetit ligjor e social funksional në Shqipëri; i DEMOKRACISË dhe DREJTËSISË; i zgjedhjeve të lira e të ndershme; i standardeve të përparuar për integrim të denjë e të merituar në BE apo ata që këto dështime, skandale e turpe ia vlerësojnë dhe duartrokasin si merita dhe suksese individuale, ekipore, partiake...?!

Cilët janë në të vërtetë të verbër dhe antishqiptarë, o Edi Rama dhe ju të gjithë të tufave së tij në salla-stalla, në sheshe, në parcela, magazina, laboratorë, komplekse turistikë e tregtarë, kulla...drogrash? Ata që nuk e duan dhe nuk e votojnë skenarin dhe projektin e Edi Ramës dhe të Aleksandar Vuçiçit për "Ballkanin e hapur", thellësisht e qartësisht në dëm të Kosovës apo ata që e duan më shumë se vetet, familjet, Shqipërinë dhe e brohorasin dhe e votojnë symbyllur edhe për këto akte, që mbajnë erë të fortë pikërisht për atë që i akuzon ai, si dikur Enveri viktimat e tij në Byronë Politike, Komitetin Qendror, nëpër ministri..., domethënë si “antishqiptar”...e si “antikombëtar”?

Cilët janë në të vërtetë të verbër dhe antishqiptarë, o Edi Rama dhe ju të gjithë të “ushtrisë” së tij, ushtarë që dridheni edhe nga një vështrim i Edit, si dikur gjyshërit e baballarët tuaj para Enverit? Ata që nuk e duan, nuk e votojnë, nuk e duartrokasin dhe nuk e brohorasin nëpër salla e sheshe mitingjesh partiake për qindra bijtë e bijat e vrarë, plagosur, masakruar fizikisht përjetë gjatë 11 viteve nga tritolë, plumba, thika..., për konflikte trafiqesh apo krejt ordinere, edhe në mes të ditës, në mes të rrugëve e rrugicave, shkollave..., “nën hundën” e kamerave apo të policëve të Edi Ramës? Apo ata, që nuk ia kujtojnë e ia falin bujarisht e pa ndjerë dhimbje edhe këto jetë bijsh e bijash nënash shqiptare, sikur të ishin gjela apo pula deti, qengja, keca, gica..., me të cilat mbushen tavolinat dhe barqet në festat e fundvitit...?

Cilët janë në të vërtetë të verbër dhe antishqiptarë, o Edi Rama dhe ju të gjithë vartësit e tij partiakë e administratistë, që për pasurimin tuaj individual e familjar sakrifikoni dinjitet e shtet...? Ata që janë SHQIPTARË me zemra, shpirtra, vepra, vota...apo ata që janë “shqiptarë” për nga pasaportat, parullat, pankartat, brohoritjet, këngët për Enverin dhe Edi Ramën, postet...dhe votat për t’i përdorur si kapital politik e si karrem për të shtuar lejet e ndërtimit, katet e pallateve, numrin e apartamenteve e të vilave, stivat e milionave në lekë shqiptare dhe në euro, dollarë, franga zvicerane, paund apo në flori...???

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat