Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë mbajti adresimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Fjalimi i presidentes shpërfaqi edhe njëherë pakënaqësitë e saj me qeverinë e drejtuar në kryeministri Albin Kurti dhe me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla që deri vonë e kishte bashkudhëtare në kauzën e saj kundër LDK-së dhe partive të tjera që kanë udhëhequr me vendin para Lëvizjes Vetëvendosje.
Osmani, e cila bashkë me Gërvallën krijuan Listën GUXO, tani duket sikur ka mbetur e vetme pasi nuk është parë se po e përkrahet as nga deputetët e këtij subjekti politik.
Në këto rrethana, presidentja ka nisur ta luaj rolin që i takon e që për katër vitet e kaluara nuk e luajti edhe aq, duke qenë vazhdimisht në “sinkronizim” me Qeverinë.
Pra, tek tash presidentja po e thekson me zë më të lartë rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të Kosovës me aleatët!
Fjalimi i presidentes Vjosa Osmani bëri bujë të madhe në opinion, ndërsa Kosova ndodhet në rrethanat para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2024.
Pas fjalimit në Kuvend, Osmani nuk u përshëndet me kryeministrin Kurt dhe as me ministren Gërvalla dhe kjo sikur ishte një “vulë” që vërtetoi spekulimet për përçarjen e tyre.
Ende nuk dihet se si do të reflektojë kjo përçarje brenda Listës GUXO ku Osmani është bashkëthemeluese me Gërvallën.
Madje, u fol se një pjesë e GUXO mund të kthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), gjë që tregon se marrëdhëniet brenda koalicionit mund të jenë të tensionuara.
Nëse kjo ndodh, natyrisht se mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në listën zgjedhore të GUXO e rrjedhimisht edhe atë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kështu mund të zvogëlohet mbështetja e elektoratit për GUXO.
E nëse këta individë kalojnë në LDK, kjo mund të jetë një indikacion që partia në fjalë po rimerr veten pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 ku kishte marr vetëm rreth 13 % të votave të elektoratit.
Nga ana tjetër, kjo mund të krijojë tensione në radhët e brendshme të LDK-së, që duhet të menaxhohen me kujdes.
Nga përvoja e dimë se kthesa të tilla ndodhin kur ka ndasi ideologjike ose kur individët ndihen të “nëpërkëmbur” brenda një partie ose koalicioni.
Nga ana tjetër, nëse vazhdojnë lëvizjet politike dhe pasiguria rreth qëndrueshmërisë së koalicionit VV-GUXO, ka mundësi që të ketë ndryshime edhe në përbërjen e qeverisë së ardhshme.
Aktualisht ka një periudhë tensioni dhe pasigurie për shkak të marrëdhënieve mes presidentes Osmani dhe ministres Gervalla. Por, se a do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në koalicionin qeverisës, mbetet të shihet.
Vlen të theksohet se Lëvizja Vetëvendosje për këto katër vite ka krijuar një pozicion të fortë politik në Kosovë, duke fituar mbështetje masive në zgjedhjet 14 shkurtit 2021.
Megjithatë, qëndrimi i VV në pushtet dhe ruajtja e fuqisë së saj politike varet nga disa faktorë të rëndësishëm duke nisur nga kenaxhimi i koalicionit dhe stabiliteti i qeverisë, përmbushja e premtimeve, menaxhimi i kritikave dhe papajtueshmërive të brendshme, marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare etj.
Në përgjithësi, VV ka mundësi të ruajë fuqinë e saj politike nëse arrin të menaxhojë pikat e cekura më lart.
Në të kundërtën çdo gabim në menaxhimin e këtyre faktorëve mund të krijojë pasiguri dhe të dëmtojë deri në njëfarë mase mbështetjen aktuale.