LDK, me katër-pesë autobusë me të njëjtit njerëz kudo në Kosovë, po mashtron veten se janë rritur

Opinione

LDK, me katër-pesë autobusë me të njëjtit njerëz kudo në Kosovë, po mashtron veten se janë rritur

Nga: Faton Mehmeti Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 15:40
Autori Faton Mehmeti

Mashtrimi ndaj vetes është një nga fatkeqësitë më të mëdha që njeriu ia krijon vetes, kurdo që realiteti e përballon me mashtrimin. Me fillimin e parafushatës, partitë politike synojnë të përçojnë mesazhe tek qytetarët se janë në rritje, duke ushtruar presion psikologjik për të grumbulluar sa më shumë qytetarë rreth vetes. Shqiptarët e kanë në gjen të shkojnë pas turmës, një aspekt psikologjik me të cilin po luajnë partitë politike.

Një gjë të tillë po e bën edhe LDK, e cila, në mungesë të elektoratit, e ka të pamundur të dërgojë mesazhin e mësipërm. Prandaj, të njëjtit njerëz po i shëtit nëpër Kosovë. Nuk besoj se janë më shumë se katër, pesë autobusa me figura të njejta kudo. Ky mashtrim ndaj vetes nuk i bën mirë LDK-së dhe as që i sjell ndonjë përfitim me 9 shkurtin, që do të jetë një shuplakë e fortë kur të përballen me realitetin.

Krejt e kundërta ndodhi me LDK-në e Rugovës, e cila dukej e qetë, por ishte një vullkan nga brenda. Kjo e sotmja është një parti e ekzaltimeve, e fasadës dhe makiazhit, që nuk i shërben për rritjen e besimit. LDK duhet të përballet me realitetin si e vetmja formë për të ecur tutje, çdo gjë ndryshe është e kotë dhe vetëm një përsiatje brenda rrethit vicioz, pa sjellë ndonjë produkt. Askush nuk mund të ngrihet pa u përballur me të vërtetën, pa pranuar të kaluarën dhe pa ndryshuar. Edhe LDK-ja, me këtë qasje, pa kërkuar falje dhe pa reflektuar për të kaluarën, nuk mund të ecë tutje.

Kot po i mbush autobusët me të njëjtit njerëz, njësoj si Isa Mustafa kur mendonte se do të dilte partia e parë, ndërkohë që krejt populli e pa se po fundoseshin. Aktualisht nuk ka ndryshim, është thjesht një vazhdimësi e gënjeshtrës ndaj vetes, me 9 shkurtin që do t'i këndellë, njësoj si 14 shkurti i 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat