Në kohën ku lufta dhe paqja qëndrojnë pezull mbi kokën e një populli, media duhet të jetë mburojë, jo shpatë kundër tij.
Megjithatë, në Kosovë, duket se disa media shqipe kanë zgjedhur një rrugë të errët, duke bashkëtingëlluar me propagandën e Beogradit.
Deklarata absurde e gazetarit serb Branislav Kërstiq, që pretendonte se gruaja e Kryeministrit Albin Kurti punon dhe jeton në Beograd, është një shembull i fundit i kësaj taktike. Dhe çfarë ndodh pas këtij lajmi të bujshëm? Një "falje" e vonuar dhe e pamjaftueshme. Por siç ndodh shpesh, demtimi është bërë – lajmi i rremë mbetet i ngulitur, ndërsa kërkimfalja kalon pa zhurmë.
Lajmi i parë godet, kërkimfalja përkedhel
Spin-doctorët politikë, këta zanatçi të errët të manipulimit, e dinë mirë këtë formulë: hedh një gënjeshtër në hapsirë, shiko se si merr zjarr dhe pastaj ofro një kërkimfalje të zbehtë. Në këtë mënyrë, publiku bombardohen me lajmin fillestar dhe e vërteta mbetet një shënim i vogël në fund të faqes. Ky model nuk është i ri. Në vitin 2016, gjatë fushatës presidenciale amerikane, lajmet e rreme për lidhjet e Hillary Clinton me një rrjet pedofilësh në "Pizzagate" u shpërndanë masivisht. Kur u vërtetua se ishte një trillim i plotë, dëmi tashmë ishte bërë. Pavarësisht kërkimfaljeve, shumë njerëz ende besojnë në këtë teori konspirative.
Kosova nën zjarrin e armikut dhe të mediave të sajuara
Sot, situata në Kosovë është më e brishtë se kurrë. Ja, dy bomba u hodhën sot mbi policinë tonë në veri të Mitrovicës; një tjetër akt terrorizmi që tregon se Serbia nuk ka hequr dorë nga synimet e saj destabilizuese kundër Kosovës sonë të dashur. Por, në vend që të qëndrojmë të bashkuar kundër këtij agresori të përhershëm, disa media shqiptare, të Prishtinës dhe Tiranës, duket se kanë zgjedhur të jenë jehona e zërit të moçëm të Beogradit. Lajme si ai i Kërstiqit nuk janë të rastësishme; ato janë pjesë e një fushate të qëllimshme për të dobësuar qeverinë e Kosovës dhe për të krijuar konfuzion në opinionin publik.
Të dashur lexues,
A mund të imagjinoni që në prag lufte, media britanike do të përhapte propagandën naziste? Apo që gjatë pushtimit të Irakut, media amerikane të mbështeste retorikën e Saddam Husseinit? Jo, sepse popujt që e kuptojnë seriozitetin e situatës i mbajnë mediat të përgjegjshme dhe i shohin si mbrojtëse të interesit kombëtar, jo si shërbëtore të armikut.
Kur media bëhet kalë trojan
Sot, Kosova është në prag të rrezikut nga Serbia e moçme, një shtet që bashkë me aleatët si Putini, e përdor gazetarinë si një armë hibride.
Propaganda është më e fuqishme se një ushtri. Një fjali e thënë nga një gazetar mund të godasë më shumë se një predhë mortaje. Të lejojmë që media shqiptare të flirtojë me propagandën serbe është sikur të ftojmë armikun brenda mureve të kështjellës. Dhe kjo nuk është një metaforë e zbukuruar; është një realitet i rrezikshëm që po përjetojmë çdo ditë si shqiptarë, si njerëz e si popull politik.
Shembujt botërorë të rezistencës ndaj mediave të pabesa
Liderët e mëdhenj historikë kanë njohur fuqinë e medias dhe rrezikun e saj kur ajo bëhet vegël e armikut. Winston Churchill e quante median e dobët një "kalë të pabesë që të godet pas shpines". Edhe Abraham Lincoln, në mes të luftës civile, kritikoi ashpër gazetat që përhapnin propagandën e Konfederatës. Ata e kuptuan se media duhet të jetë një forcë për liri dhe drejtësi, jo një instrument i armiqve të demokracisë.
Koha për pastrim mediatik në Kosovë
Kosova jonë e dashur nuk mund të lejojë të ketë media që, në vend të ndihmojnë për të ndriçuar të vërtetën, mbjellin errësirë, frikë, panikë dhe konfuzion. Një shtet që përballet me kërcënime fashiste të vazhdueshme, media duhet të jetë mbrojtëse e paepur e interesave kombëtare, jo një zë i dreqit e i huaj që përçon sall propagandë e rrena të maskuara si lajm.
Të dashur lexues,
Në këtë kohë kritike, kur retë e luftës po grumbullohen mbi Kosovë, ne duhet të pyesim: a do të vazhdojmë të tolerojmë mediat/gazetarët dhe analistët që bashkërendisin propagandën me armikun, apo do të kërkojmë një mbrojtje të vërtetë të demokracisë dhe lirisë? Dhe nëse ne nuk ndërmarrim veprime syhapëse tani, kush do të jetë viktima e radhës e këtij dezinformimi të rrezikshëm?
Kosova le ta themelojë pra "Qendrën e Zbulimit të Dezinformatës dhe lajmit të Rremë"; sot e jo nesër!