Zgjedhjet e 9 shkurtit kanë shtuar aktivitetet e spektrit politik në vendin tonë, me takime me qytetarë, koalicione dhe mobilizim. Kështu, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka njoftuar një koalicion parazgjedhor me Nuredin Lushtakun, lider i Listës Ideale. Besoj se emri i Nuredin Lushtakut është i njohur më tepër për moslejimin e pjesëmarrjes së TMK-së në varrimin e dr. Ibrahim Rugovës sesa për ndonjë gjë tjetër.
Pikërisht Lushtaku, si ish-komandant i Gardës së Kosovës në vitin 2006, që kishte refuzuar t’i dërgonte pjesëtarët e TMK-së në funeralin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, thotë se nuk është penduar për veprimin e tij. Për më tepër, sipas tij, të njëjtën gjë do të bënte përsëri nëse do të ndodhej në pozitën e njëjtë. I njëjti njeri e quan veten si një person për të cilin ka ardhur koha që vendin ta udhëheqin ata që kanë dhënë për vendin, e jo ata që e kanë gjetur gjithçka gati dhe tani, sipas tij, po mundohen ta shfrytëzojnë njerëzimin dhe shtetin.
Këta njerëz, që Lushtaku i quan "njerëz që kanë dhënë gjithçka", ndoshta e ka fjalën për tendera, pasi që ata nuk kanë sakrifikuar asgjë për të mirën e vendit. Janë ata njerëz që kanë vjedhur për 20 vjet, kanë degraduar shtetin deri në palcë. Koha e tyre ka përfunduar, bashkë me ata, edhe koha e atyre që nuk e kanë çmuar dhe respektuar kontributin e Rugovës, arkitektit të pavarësisë.
Mbi rrugën e trasuar nga presidenti Rugova është ndërtuar shteti, me nderimet më të larta nga e gjithë bota. Nuredini, për të cilin Rugova do të mbetej mbi dhe, nuk meriton as respektin dhe as votën. Fatmirësisht, qytetarët janë vetëdijësuar dhe nuk besojnë tek ata që nuk nderojnë as Rugovën, dhe as faktin se Kosova është më e sigurt pa hajna.