Në kohën kur asetet Kombëtare të Shtetit të Kosovës, Liqeni i Ujmanit, u godit nga terrorizmi i bandave serbe, qytetarët e Kosovës ende janë të traumatizuar nga mungesa e ujit dhe reduktimet e rrymës për shkak të këtij akti makabër, grupet e caktuara të interesit dhe mbeturinat e shoqërisë kanë paralajmëruar protesta kundër Qeverisë dhe Institucioneve të Shtetit të Kosovës.
Kësaj valle famëkeqe me dekada po i prin Rrahman Jashari, i ashtuquajturi “Kryetar i përjetshëm i Shoqatave të Sindikatave të Arsimit”, i cili është përgjegjësi kryesor në bllokimin e punës normale dhe në pengimin e reformave në Sistemin e Arsimit në Kosovë. Kështu, në emër të ashtuquajturës Shoqata Sindikale e Arsimit, Rrahman Jashari paralajmëroi protesta më 4 dhjetor të këtij viti. Duke u thirrur në kontratën kolektive, ai po i instrumentalizon të ashtuquajturat Shoqata Sindikale në emër të interesave të punëtorëve të Arsimit.
Kjo po ndodh pikërisht në momentin kur Kosova po përballet me agresionin subversiv të Serbisë ndaj infrastrukturës – ndaj aseteve kombëtare të Republikës së Kosovës. Nuk befason veprimi skandaloz i Rrahman Jasharit, i cili vite me radhë është shndërruar në zëdhënës të interesave të partive politike sa herë që Kosova mban zgjedhje. Kërcënimi dhe pretendimi i këtij grupi të ashtuquajtur "sindikalist", ka prapavijë të vjeljes së votave për subjektet e caktuara. Rrahman Jashari, mjerisht, po kërcënon me protesta duke penguar edhe iniciativën e Reformës në Shkollat e Komunës së Prishtinës, të cilën e filloi Drejtoresha e Arsimit të kësaj Komune, Profesoresha Jehona Lushaku.
Reformimi i punës edukativo-arsimore dhe organizimi i ri që ka filluar të zhvillohet në Prishtinë po tregon suksese dhe po përkrahet gjithandej nga nxënësit, prindërit dhe këshillat e shkollave kudo. Është e dhimbshme dhe e pafalshme që të pengohet apo të ndërpritet nisma e programit reformues organizativ që filloi në shumë shkolla të Komunës së Prishtinës, si reforma e parë adekuate për të cilën është punuar me përkushtim të madh, si në aspektin organizativ, teknik dhe shkencor nga Profesoresha – drejtoresha e Arsimit, Pr. Dr. Jehona Lushaku.
Sistemi i Arsimit në Kosovë që nga paslufta është përcjellë me shumë probleme dhe dështime, të cilat gjeneratës së re i kanë shkaktuar shumë dëm në arritjen e cilësisë në Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Andaj, nisma në organizimin e protestave, të cilat më parë u shndërruan edhe në greva, padyshim i kanë sjellë vendit dëme të pariparueshme, duke humbur me qindra mijëra orë mësimi, e ku kanë pësuar nxënësit e pafajshëm. Veprimet e ngjashme nga mbeturinat e shoqërisë janë prezente edhe në shumë lami të tjera të Shoqërisë Kosovare, të cilat po shihen në vazhdimësi nëpër mediumet, televizionet dhe në debate të ndryshme, të cilat janë bërë opozitë destruktive kundër vlerave, duke shkaktuar nxitje dhe dëmtuar marrëdhëniet ndërnjerëzore të qytetarëve të Kosovës.