Bashkimi Demokratik për Integrim, shqiptarët që jetojnë në RMV e kanë duruar 21 vite në pushtet. Ky subjekt politik ka bërë çfarëdo lloj manipulimi, intrige, keqtrajtimi dhe dhunimi ndaj popullit shqiptar dhe ky popull asnjëherë nuk ka reaguar me histeri ndaj BDI-së për këto sjellje të saj. Pra, themi "asnjëherë", sepse kështu ka qenë sjellja dhe raporti i popullit shqiptar ndaj subjektit politik që gjatë gjithë kohës ka qenë në pushtet në Republikën e Maqedonisë. E BDI nga ana tjetër nuk po mundet ta durojnë katër muaj pozicionimin e saj të merituar në opozitë.
Udheheqësit e këtij subjekti politik duhet të përkujtojnë se populli shqiptar që jeton në këtë shtet nuk e ka pasur lehtë me ta në pushtet; bile lirisht duhet thënë se ai e ka pasur shumë vështirë me një subjekt të tillë politik që nuk ishte i disponuar ta instalonte demokracinë, por e instaloi antipodin e saj, autokracinë. Bile, edhe më keq, sa ishin në pushtet këta të BDI-së, e instaluan praktikën e të bërit gjithçka që deshtën dhe ata bënë çfarë deshtën, apo, në të shumtën e rasteve, ata bënë shumë gjëra të këqija dhe të shëmtuara në dëm të popullit shqiptar. Dhe për çudi, të njëjtët nuk u përpoqën të jepnin llogari para këtij populli për ato gjëra që i bënë në dëm të tij.
Dhe çfarë është më e keqja, këta edhe në opozitë po mundohen t’u bëjnë keq, po dhe dëme dhe të këqija shqiptarëve. Mendoj se duhet të ketë një fund me këto praktika të tyre të mbrapshta. Për gjithçka duhet të ketë fund, pra edhe për të këqijat, detyrimisht duhet të ketë një "Mjaft më". Pra, populli shqiptar duhet t’i thotë "Mjaft më" BDI-së, pasi janë të padurueshme dhe të pajustifikueshme ato gjëra të pahijshme dhe të shëmtuara që po vazhdojnë t’i bëjnë udhëheqësit aktualë të BDI-së në luftën e tyre për t’u rikthyer me çdo kusht në pushtet. Nuk ka askush të drejtë t’u ndalojë apo t’ua mohojë subjekteve politike të drejtën e tyre të ligjshme për t’u pozicionuar në pushtet, kuptohet, nëse këto i fitojnë votat e qytetarëve në zgjedhje të drejta dhe të ndershme. Por, në rastin e BDI-së, duhet të zbatohen disa rregulla dhe parime të tjera.
Pra, një subjekt politik që e ka humbur pushtetin me meritë, siç është rasti me BDI-në, mund dhe duhet të kthehet në pushtet vetëm atëherë kur të ketë dhënë llogari para popullit për të bërat dhe të pabërat e tij gjatë kohës sa ka qenë në pushtet. Dhe pasi ky subjekt politik të jetë reformuar realisht dhe rrënjësisht. Mendoj se nëse BDI nuk i bën këto dy gjëra, kjo parti jo vetëm që nuk duhet ta ketë vendin në pushtet, por nuk guxon asesi ta ketë vendin në të. Kjo porosi vlen për qytetarët shqiptarë, sepse ata e kanë përjetuar dhe mund të vazhdojnë ta përjetojnë të keqiat dhe tmerret nga fakti i të qenit BDI në pushtet.
Ata e kanë përvojën e hidhur 21-vjeçare nga të qenit ky subjekt politik jo vetëm në skenën qendrore politike, por edhe në atë lokale. Pra, nuk do t’i numëroj të këqijat dhe tmerret e BDI-së, sepse vërtet më dhemb koka. Prandaj, derisa BDI të mos u japë llogari shqiptarëve për periudhat 2002-2006 dhe 2008-2023, që janë vitet e të qenit e saj në pozita qendrore dhe lokale, dhe nëse e njëjta parti nuk reformohet realisht dhe rrënjësisht, ajo duhet të ketë vendin e merituar në opozitë, e asesi në pushtet. Për këtë çështje duhet të vendosë populli shqiptar i RMV-së, dhe ai nuk duhet ta ripërsërisë gabimin 21-vjeçar që e bëri me BDI-në në pushtet.