Sfidat e arsimit shqip në RMV

Opinione

Sfidat e arsimit shqip në RMV

Nga: Naim Kurtishi Më: 2 dhjetor 2024 Në ora: 21:33
Naim Kurtishi

Politika e papërgjegjshme arsimore në RMV, vazhdimisht po e eklipson profesionin tonë dhe arsimin në përgjithësi në të gjitha nivelet, veçanërisht në arsimin fillor dhe të mesëm dhe, për fat të keq, kjo praktikë, në mënyrën dhe formën më të sofistikuar, ende po vazhdon. Kur përmendim kompozitën: arsim dhe edukim, në këtë rast, menjëherë në horizont të “shpërfaqet” një nebulozë a mjegullnajë, e cila drejtpërdrejtë po gjeneron në “krizë”. Dhe, në këtë kontekst, Hannah Arend do të përgjigjej në vend: “ Një krizë kthehet në katastrofë, vetëm atëherë kur asaj i qasemi apo i përgjigjemi me gjykime të parakonceptuara, përkatësisht me paragjykime”.

Ajo që dua të them drejtpërdrejtë në këtë rast (nga përvoja ime në arsim), është fakti se, në këtë rrugëtim profesional kam arritur në një konstatim të thjeshtë empirik, i cili më “detyron” të nënkuptoj apo të bindem, se, “Shkolla jonë e deritanishme ka synuar dhe po pretendon akoma - mbushjen e kokës së fëmijës e, jo formimin e tij.” Dhe, kur kësaj problematike i shtojmë edhe stereotipet predominante me primesa të ndasive ndëretnike, të cilat reflektohen në këto përmasa dhe dimensione në këtë realitet multietnik, multigjuhësor e multikulturor, në mënyrë të padiskutueshme dhe imediate “ndryshimet” apo reformat po ngulfaten në vend dhe, më në fund mbesin vetëm një dëshirë në letër.

...Të futemi më në thelb të çështjes, duke filluar nga hartuesit e planeve dhe programeve mësimore, ku përgjithësisht, me ndryshimet e reja në planet dhe programet e kl.I e IV dhe kl.II e V, dhe që po dëshmohet se akoma në këto praktika nuk po respektohet përfaqësimi adekuat i të gjithë participientëve në përpunimin dhe përgatitjen e dokumenteve të tilla, prandaj, si bashkëpunëtor profesional (pedagog shkollor) shumëvjeçar, në raport me tendencat dhe pretendimet e MASH për “reformimin” e sistemit arsimor (në arsimin nëntëvjeçar), i parashtroj këto pyetje:

1. Pse mbi 90% e “autoriteteve” të arsimit (grupeve të punës) për azhaurimin dhe koncipimin e planeve dhe programeve arsimore i përkasin vetëm njërës bashkësi etnike, gjegjësisht-përkatësisë etnike maqedone?

2. Pse nxënësit e bashkësisë etnike shqiptare (por edhe të bashkësive tjera etnike në vend) sipas planeve ekzistuese mësimore për arsimin fillor nëntëvjeçar, nuk kanë fond javor të barabartë të orëve mësimore dhe numër të barabartë të orëve ditore mësimore?

3. Me faktin e mësipërm, autoritetet arsimore si lejojnë të cënohet e drejta për barabarësi të të gjithë fëmijëve pa dallim të përkatësisë etnike, fetare, gjuhësore, por pse jo edhe të proveniencës kulturore në shtet?

4. Pse për një grup nxënësish, e njëjta lëndë mësimore është “lëndë e detyrueshme” nga klasa e katër, ndërsa për grupin e tjetër të nxënësve, nga klasa gjashtë nuk është e “obligueshme”, që do të thotë se ndryshon tretmani i lëndës me status: “Lëndë zgjedhore”?

5. Pse dukuria e ashtuquajtur “mbingarkesë” tek nxënësit e bashkësive tjera etnike (përveç maqedonasve), të jetë me prevalencë më të madhe?

6. Pse të mos suprimohet apo të hiqet ndonjë lëndë mësimore, qoftë nga ato të obligueshme apo zgjedhore, dhe të barazohet apo nivelizohet fondi javor i orëve mësimore për të gjithë nxënësit në RMV)?

7. Kur dijmë që 40% e nxënësve në vend mësojnë në gjuhë tjetër nga maqedonishtja, pse të mos jenë, të paktën, 40% të hartuesve të teksteve - autorë jomaqedonasë?

8. E,pse edhe pas 30 vjet të tranzicionit të shoqërisë akoma, në vend të reformave në arsim, politika manifeston më tepër ekzibicionizëm sesa ndryshime të vërteta që do të avansonin kualitetin e mësimit dhe dijes në shkollën tonë të dergjur nën kthetrat e politikës gllabëruese e arogante?

9. Pse hala po hesht mësuesi ynë?

10. Pse lejohet që, ende të bëjë teatër e të luajë “majtap” politika me punën më të shenjtë të shoqërisë së përparuar?

E, për fund

Një “Pse” galopante dhe mjaft indikative:

Pse në arsimin dhe për zhvillimin e arsimit tonë në RMV, akoma po “krijohen kushte” nga autoritetet arsimore, dhe, prindët, nxënësit dhe punëtorët arsimorë të parashtrojnë me miliona “Pse”?...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat