Para disa muajsh, në një reagim në facebook, Bashkia e Lezhës (respekt për punët e shumta të realizuara!) hodhi një status, në esencë të të cilit kuptohej krenaria se që në vitin e parë të mandatit të saj ishin realizuar shumë objektiva që i kishin premtuar për katër vitet e mandatit e ku “mallkohej” hapur kushdo që i shihte ato rezultate ndryshe, duke premtuar “zhgënjimin” e tyre në fund të kësaj periudhe.
Si një qytetar që e dua Lezhën, vendin e zgjedhur pa asnjë sforco e në moshë madhore për të jetuar (jo dhuratë e fatit, apo ndonjë rastësi!) reagova ndaj atij statusi, në esencë, duke shënuar se rezultatet ishin të dukshme, por edhe se secili prej nesh kishte të drejtën t’i “lexonte” ato në përputhje me përmirësimin e kushteve të jetesës e rritjen e mirëqënies aty ku jetonte ai, përjashtuar atyre “që lakmonin” karrigen e humbur, e që në funksion të saj, “kishin të drejtë” të ngrinin “stuhi në gotë” kundër çka thuhej në atë status, e atyre punëve që janë realizuar e do të realizohshin në vijimësi. Solla si shembull, për të ilustruar mendimin apo opinionin tim, lagjen ku jetoj, e ku prej 34 vitesh nuk hidhet “një lopatë” beton, ku s’hyn zjarrfiksja as ambulanca, ku s’ka e s’mund të ketë trotuare e ndriçim edhe pse është vetëm 50 metra larg nga rruga kryesore e qytetit. Reagimi ishte i disbalancuar! U munduan t’a injorojnë opinionin tim me plot 12 a 13 kundërreagime, ku thuhej se duhej pritur data 1 shtator dhe pastaj: Gjithshka do të jetë ndryshe! Unë kam pritur plot 26 vjet këtu, e lagjja për të cilën bëj fjalë ka pritur 34 vite demokraci, e si të mos kisha durim të prisja unë dhe banorët e saj edhe 2 - 3 muaj. Por…!
Tjetër doja të shprehja përmes reagimit tim atëherë, e tjetër dua të sjell në vemendje të lexuesve sot, se lagjja ime e njëjta mbetet edhe me 1 dhjetor 2024, veç disa shenjave “kuq e blu” në ato pak betone që gjenden, e që i lexojnë ata që i kanë hedhur, si shenjë shprese se puna mund të nis jo larg në kohë.
Ne jemi ajo siç na “fotografojnë” të tjerët.
Lezha dhe e gjithë Shqipëria në këto vitet e fundit ka ndryshuar shumë e pozitivisht. Të mohosh këtë, ose duhet të jesh pa sy, ose duhet të jesh pa shpirt. Shpirti u takon atyre që, ose përjetojnë projektet në 3D e ekzaltohen me to, ose janë mohues të qëllimshëm të arritjeve për shkak të objektivave të tyre politike, ndërsa syri është fotografuesi më real i realitetit, ndonëse edhe të zhgënjen ndonjëherë, por jo për gjëra që dukshëm bëjnë diferencën. E kam mirëpritur projektin e Rilindjes Urbane si njërin nga gjetjet më të bukura të qeverisjes së piktorit - qytetar Edi Rama. Lezha, si shumica e qyteteve në Shqipëri, në saj të këtij projekti, ka ndryshuar shumë, dhe pozitivisht. Qendra e qytetit ka rilindur dhe është bërë këndshëm e vizitueshme dhe cilësisht e jetueshme. Shumë veta e kanë konsideruar të ashtuquajturin “projekt i fasadave” si mashtrim piktori, por unë e kam vlerësuar edhe atë shumë, në formë dhe në përmbajtje. Edhe në këtë projekt Lezha ka bërë dukshëm ndryshime e kjo as që mund të mohohet. Unë as nuk dua t’a bëj këtë! Gjithë qyteti të ofron jo vetëm një panoramë të këndshme për syrin, por edhe kushte më komode jetese për banorët dhe rritje të vlerës së tregut të banesave. Lagja e bregdrinit, pjesë e lagjes “Besëlidhja”, ka rilindur totalisht, jo vetëm në saj të tyre. Por, thënë të gjitha këto, nuk mund të “rehatohemi” e të duartrokasim gjithshka. Shumë gjëra bëhen “fasadë” pa qenë të tilla, ndërkohë që fasadat reale shihen ndryshe. Pushteti lokal, pa ia mohuar aspak vizionin, përgjegjshmërinë e përgjegjësinë për punët e përspektivës, është administrator i përditshmërisë tonë, e aty ne edhe e matim suksesin, ose jo të tyre. Duke qenë “i dënuar” të kemë një zyrë pune private prej 12 vitesh në pjesën kryesore të qytetit, nuk mund të mos vërej disa gjëra të vogla që reflektojnë shumë.
Mu në prezantim - hyrjen e qytetit është ndërtesa hibride, gjysëm private e gjysëm shtetërore, ajo që dikur ishte banka e kursimeve. Një mjedis në pamje e brendi që e prezanton keq Lezhën. Sidomos tani, bën kontrast të dukshëm edhe me lagjen bregdrinase, dikur me ndërtesat më të vjetra e të keqmirëmbajtura në qytet. Jo vetëm fasada, por kryesisht brendia e totalisht funksioni i saj të bën të mendosh, se minimalisht pushteti lokal është i papërgjegjshëm, e maksimalisht pas tij qëndrojnë interesa korruptive për të sotmen e të ardhmen. Të sotmen, duke marrë zyra me qira tek privatët në vend të ristrukturimit të këtyre që janë pronë e saj dhe të perspektivës, duke lënë që objekti të zhvlerësohet e pastaj të privatizohet me interes të lartë prej tyre, apo dashamirësve të tyre, duke qenë në nyjen më të lakmuar tregtare të qytetit.
Ecim më tej…
Ndërsa unë “fiksoj” me aparatin tim si amator, sa herë më jepet rasti, sheshin kryesorë, fasadat e rilindura e sidomos shetitoren e bukur plot gjallëri e përspektivë bregdrinase, apo lulishtet përreth, që më dhurojnë kënaqësi, të huajt e shumtë që vizitojnë qytetin objektivin e aparatit të tyre e drejtojnë tek dy “këpucarët ambulantë pa këpucëtari”, mu në hyrje të qytetit, sapo kalon urën, në pritje për të vizituar qendrën historike të tij, apo për “të devijuar” majtas për tek kompleksi historiko - arkeologjiko - turistik ku gjendet vendvarrimi i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. E njëjta gjë ndodh edhe me bujtësit, fatmirësisht të shumtë, tek hotel “Liss”, ku një këpucar “i pret” me rrahjet e çekiçit e një lypsar i përcjell me lutje n’emër të Krishtit! Nuk besoj se e bëjnë këtë me syrin e “dashakeqësit”, apo atyre që n’a kanë “halë në sy” për arritjet tona, por për kontrastin e dukshëm që paraqesin këto pamje me çfarë i rrethon ato. Ata janë njerëz e duhet të jetojnë, si të gjithë lezhjanët e shqiptarët, me mundin e djersën e tyre, e këta rreshta s’kanë të bëjnë me ta, por me bashkinë tonë sepse:
- Ky imazh i tyre s’është përfaqësues i Lezhës, por një imponim për shkak të pozicionit të papërshtatshëm;
- Ata duhet t’a ushtrojnë profesionin e tyre në një vend, e në kushte më dinjitoze se këto, në radhë të parë për dinjitetin e shëndetin e tyre, por edhe për imazhin e qytetit. Poshtë urës, me investime thuajse të papërfillshme, mund të bëhej një vend për ta, edhe duke i respektuar ata, edhe duke respektuar veten dhe qytetin tonë të bukur.
Kryesorja, ambienti rreth tyre, për shkak të punës, kulturës e mënyrës së sjelljes, reflekton dukshëm diferenca pastërtie me pjesët e tjera. Mirë që nuk paguajnë asnjë lek tarifë pastrimi, ndërkohë që unë paguaj si të tillë 35 mijë lekë në vit, për maksimalisht një qese letra që e hedh në kosh çdo javë. Ok, për këtë, por që gjithë puna për mbajtjen pastër të qytetit të barazohet me zero nga këta, kjo nuk më duket normale.
Lezha është qytet turistik. Të huajt vizitorë, janë prezentë jo vetëm në verë e në plazhet Shëngjin e Tale, por në të gjitha vendet kulturore dhe historike të saj, sidomos kohët e fundit, kur fatmirësisht janë shtuar shumë. Por, vërej se ata kanë nevojë për më shumë “guida” turistike. E kuptoj këtë, se shumë prej tyre më drejtohen mua për ndonjë informacion e unë me anglishten time, më pak se gjysmake, mundohem t’i orientoj, por merreni me mend ç’ngjet kur ata u drejtohen këtyre dy - tre këpucëtarëve që ndodhen në rrugë, apo ndonjë lypsari që ua “urojnë mirëseardhjen”. Ja pra sa bukur informohen! Vetëm afganët, refugjatë tashmë të vjetër, ua kanë mësuar gjuhën e profesionit e të pazarit! Jo vetëm informacionin “turistik” apo atë topografik mbi vendndodhjen e institucioneve lokale, të shpërndara si zogjtë e korbit, e kërkojnë dhe e marrin prej tyre, por edhe informacionet politike kombëtare, aty gjejnë zgjidhje…
Rruga kryesore e qytetit, ajo “Gjergj Fishta” është edhe pjesa që rrihet më shumë nga të gjithë kalimtarët, vendas e vizitorë. Ajo lidhet bukur me kompleksin memorial kushtuar heroit tonë kombëtarë, Gjergj Kastrioti, vijon me sheshin administrativ para bashkisë e ku spikat shtatorja e Atë Gjergj Fishtës, e instutucionet e rilindura të Pallatit Kulturës e Bibliotekës së qytetit, pastaj me monumentin kushtuar Besëlidhjes Shqiptare të 2 Marsit 1444 e me simbolin e Lahutës së Atë Gjergj Fishtës, duke dhuruar kënaqësi për të gjithë. Është kjo pjesa që është transformuar thuajse rrënjësisht me projektin e Rilindjes Urbane, por edhe me lulishtet e përmirësuara në vijimësi. Por në realizimin e këtij projekti të rendësishëm, tri gjëra stonojnë “suksesshëm” në krejt këtë bukuri: e para, një statujë që shoqëron atë të kolosit Fishta, të cilës vendi ku është vendosur ia humb edhe vlerat artistike që ka si vepër arti (asnjë lidhje me Fishtën e Madh!); e dyta, telat linjave të televizioneve kabllore e të internetit të ngatërruara kudo mbi pemë e shtylla, a thue se këtu është “qendra botërore e transmetimeve” gjithëfarëshe, dhe e treta, mungesa e statujës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu në sheshin administrativ, afër kompleksit memorial, në një kohë kur një statujë e tillë po vihet në disa qytete e vende pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me heroin dhe aktivitetin e Tij, përveçse janë teritore me banim nga shqiptarët. Shumë mënyra të tjera, vërtetë përfaqësuese, mund e duhet të gjenden, për t’a paraqitur Lezhën në dimensionin e saj real e për të ndihmuar që imazhi i paplotë e i pasaktë dhe dezinformacioni të mos dominojnë realitetin, pa e lënë këtë çeshtje në dorë të rastësisë.
Në vend të mbylljes.
Lezha nuk është kjo sigurisht, por kjo është “pasqyra” ku çdo ditë e disa herë në ditë (fryjnë shumë erëra në Lezhë!), “krihen” lezhjanë e jo lezhjanë…
Një miku im që e lexoi në parapërgatitje këtë opinion, më tha:
- A s’ke friké?!
- Jo! - i them, s’kam frikë se nuk them asgjë që nuk është reale, nuk fsheh asgjë pas fjalëve të shkruara, nuk përfitoj asgjë e nuk pres asgjë!
- S’kam frikë se me frikë s’mund të ndryshojë asgjë.
- Nuk kam frikë se e vërteta dhe e drejta s’duhet të kenë kurrë frikë!