Rasti i fundit në veri, respektivisht në Ibër-Lepenc, sulmi terrorist nga ana e Serbisë përmes terroristëve të saj të drejtuar nga Vuçiqi dhe Radojiçiqi, shton nevojën që të ketë më shumë siguri. Si masë shtesë do të ishte edhe FSK, me ndalimin si pasojë e zotimit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi për mosshkarkimin në veri të saj. Është e pafalshme të ndalohet shkuarja e FSK-së në veri pa asnjë arsye të fortë, pavarësisht nga kërkesa e komandantit të KFOR-it.
Nuk duhej të kishte ndodhur një zotim i tillë, së paku të ishte për ndonjë periudhë kohore, disi do të ishte e kuptueshme, por pa afat të përcaktuar dhe pa arsye bindëse është në vetvete tradhëti për FSK-në.
Sigurisht, kërkesa e komandatës së KFOR-it ishte produkt i presionit nga ana e Serbisë, në të cilin presion ra Thaçi me goditjen e madhe ndaj FSK-së. Dhe sot, KFOR-i, duke u bazuar në atë marrëveshje, nuk lejon që FSK të shkojë në veri, me nevojën e madhe për të luftuar grupet kriminale bashkë me policinë dhe KFOR-in. Me praninë e FSK-së në veri do të shtohej siguria për qytetarët atje dhe rastet si Banja dhe Ibër-Lepenci nuk do të përsëriteshin më. T
haçi kishte hequr dorë nga territori i vendit, për të cilin është shpallur dhe njohur Kosova, duke i dhënë hapësirë propagandës serbe për shkëputje të asaj pjese të vendit. Kështu, Kosova me FSK-në mbetën peng të marrëveshjeve të dëmshme të bëra nga Thaçi dhe e gjithë gardhi i vjetër; fatkeqësisht, ato nuk janë të pakta. Asnjëherë nuk kanë menduar për të ardhmen, vendimet kanë qenë të pamenduara dhe si pasojë e tyre kanë prodhuar efekte të dëmshme. Pasojat e këtyre vendimeve të dëmshme do të vuajmë gjatë, me ndalimin e FSK-së si njëra ndër më kryesoret.