Mos e përdorni Myrvetën sall për fotografi dhe për fasadë: Kujtoni dhe nderoni heroinën me veprime, jo me fjalë bosh, jo me retorikën parazgjedhore

Opinione

Mos e përdorni Myrvetën sall për fotografi dhe për fasadë: Kujtoni dhe nderoni heroinën me veprime, jo me fjalë bosh, jo me retorikën parazgjedhore

Nga: Gëzim Mekuli Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 16:59
Gëzim Mekuli

Në këtë 25-vjetor të rënies heroike të çikës sonë, Mervete Maksutaj, shqiptarët ndalen për të kujtuar vajzën e re të Kosovës, e cila dha jetën për liri, dinjitet, pavarësi, bashkim dhe drejtësi.

Shtrohet pyetja: Sa sinqerisht po kujtojmë sakrificën e saj? A mos vallë heronjtë tanë, sot heroina jonë, po përdoren për retorikë partiake nga ata që tradhtuan idealet për të cilat u derdh gjaku?

Të nderuar lexues,

Opozita në Prishtinë, e zhytur deri në fyt në manipulime dhe interesa të ngushta personale, sot na mban 'fjalime prekëse' e me plot emocion, ndërsa sulmon me turr qeverinë Kurti që po përpiqet të mbrojë Pavarësinë e vendit nga një Serbi agresive dhe shumë armiqësore.

Ju që akuzoni politikat larghedhëse të Albin Kurtit për përpjekje për të vendosur demokraci në veri të Kosovës, a e dini çfarë po bëni? Ju nuk sulmoni thjesht një kryeministër; po i ktheni shpinën idealeve të çikës sonë Myrvetes, të cilën sot, hajnisht, po e përdorni ditëvrasjen e vajzës sonë 21 vjeçare për fushatë parazgjedhore.

Historia botërore ka treguar shembuj të qartë: kur opozitat e papërgjegjshme dhe akademitë e heshtura bashkëpunojnë me forca të errëta, ato e dëmtojnë vendin e tyre. Le të kujtojmë Francën gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur disa liderë politikë dhe intelektualë bashkëpunuan me regjimin Vichy, duke dëmtuar lirinë e popullit të tyre.

A nuk po ndodh e njëjta gjë sot në Kosovë, kur opozita shërben si megafon për interesa që do të dobësojnë shtetin në çaste kritike?

Mediat dhe akademikët shqiptarë, që duhej të ishin zëri i së vërtetës dhe ndërgjegjja kombëtare, kanë zgjedhur heshtjen ose propagandën e vitit 1981. Ata që duhej të ngrinin zërin kundër manipulimeve dhe përçarjes kombëtare, kanë kthyer sytë nga "miqtë ndërkombëtarë", duke harruar se liria fitohet dhe ruhet me djersë e gjak, jo me puthje dore të secilit diplomat, pa dallim! Heshtja e juaj është një akt tradhtie ndaj dëshmorëve si Myrvete Maksutaj, e cila nuk luftoi për karrierat e askujt, as për aleancën e askujt, por për kombin shqiptar dhe të ardhmen e Kosovës politike.

Të dashur lexues,

Myrveta nuk do heshtje dhe as lot krokodili; ajo kërkon veprime. Ajo luftoi për një Kosovë ku politika nuk do të ishte lojë e ndyrë interesash, por shërbim i pastër për popullin dhe shtetin. Sot, kur opozita po e sulmon qeverinë në momentet më kritike, nuk po godet thjesht një person apo një parti, por po rrezikon seriozisht thelbin e pavarësisë së Kosovës.

Hej!

Nuk bëhet shteti duke shkelur mbi heronjtë e tij. Nuk ndërtohet demokracia duke përdorur varret e dëshmorëve për vota, fotografi dhe pushtet. Ndaj, para se të mbani fjalime për Myrveten, para se të shkruani në Facebook për Myrveten, pyetni veten: A po e mbani gjallë idealin e saj, apo po e tradhtoni?

Një Kosovë me mirëqenie dhe demokratike nuk kërkon fjalë të mëdha, por veprime të mëdha – dhe ndershmëri mbi të gjitha; edhe në politikë, pse jo?

Myrvete, na fal Myrvete!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat