Fotografia që sfidoi hienat e pasluftës

Opinione

Fotografia që sfidoi hienat e pasluftës

Nga: Xhevdet Mazrekaj Më: 7 dhjetor 2024 Në ora: 16:56
Xhevdet Mazrekaj

Pamjet flasin vetë. Kjo fotografi mbetet një dëshmi e fuqishme historike për të hedhur poshtë akuzat e pabaza të hienave të pasluftës, të cilët u përpoqën të njollosin figurën e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ata përhapën trillime se ai ishte në konflikt me familjen e Komandantit legjendar Adem Jashari.

Image
Fotografia që tronditi opinionin shqiptar më 6 mars të vitit 2000
Foto galeri

E realizuar në Tiranë, kjo fotografi dëshmon marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin ndërmjet Rugovës dhe Jasharit në kohë kritike për organizimin dhe formimin e celulave të para të UÇK-së. Adem Jashari e ka dashur Ibrahim Rugovën dhe e ka quajtur komandant – një shprehje që përçon respektin e tij të madh për vizionin politik të Rugovës dhe për rolin e tij si lider i Kosovës në një kohë të vështirë.

Unë e kisha ruajtur këtë fotografi me fanatizëm, duke pritur momentin e duhur për të shpërfaqur të vërtetën ndaj atyre që e mohonin. Më 6 mars 2000, gazeta “Bota sot” publikoi këtë imazh historik, duke sfiduar përpjekjet e fuqishme të kundërshtarëve politikë të Ibrahim Rugovës për të blerë të gjitha kopjet e gazetës dhe për të penguar publikimin e saj.

Kjo manovër e tyre e dëshpëruar tregoi sa e vërteta ishte e fuqishme dhe e pakontestueshme. Qëllimi i tyre i ulët, për të fshehur një dëshmi kaq të qartë për raportet Rugova-Jashari, dështoi.

Prandaj, kjo fotografi mbetet si një dëshmi e përjetshme e unitetit dhe bashkëpunimit të udhëheqësve të mëdhenj të Kosovës, duke i qëndruar kohës dhe sulmeve të padrejta. Një dëshmi që na kujton përkushtimin dhe vizionin e tyre për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.

comment31 komente
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat