Shkëlqimi i rremë dhe dekonspirimi i Hashim Thaçit

Opinione

Shkëlqimi i rremë dhe dekonspirimi i Hashim Thaçit

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 12 dhjetor 2024 Në ora: 17:05
Hashim Thaçi

Shtetet dhe kombet kanë rritur dhe ushqyer lloje të ndryshme liderësh. Ndër ta shumica kanë dështuar në jetë dhe ka nga ata që janë rrëzuar e janë ngritur njëmijë herë e në fund kanë fituar. Dështakët i përkasin kategorisë së politikanëve dhe liderëve të injektuar në historinë e popujve, kombeve dhe shteteve.

Akuza e fundit kundër Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale të Hagës, gjithnjë nëse provohet, dekonspiron shkëlqimin e rremë të Hashim Thaçit edhe në periudhat me të cilat ai mburret për jetën e vet. Të thërrasësh në takim miqtë e bashkëpunëtorët e tu, t’u japësh atyre informacione dhe të ndash me ta sekrete hetimore, me qëllim presionin dhe intimidimin e dëshmitarëve të mbrojtur, kjo është akuza më përçudnuese dhe më turpëruese për një lider dhe për një politikan. Ne i kemi dëgjuar të thonë se “Nuk kemi qenë në vijat e frontit”, se “Shtabi i Përgjithshëm nuk ka patur kompetrenca” madje “nuk ka ekzistuar”, se, se… Dhe opinioni publik ka mbajtur qëndrim për kontradiksione qëndrimesh e pohimesh të Thaçit dhe atyre që gjykohen në Hagë.

Por që një ish lider, ish-komandant ushtrie çkirimtare, ish kryeministër dhe ish-president i vendit tim, të arrijë deri te manipulimi i dëshmitarëve, me qëllim që t’i ikë përgjegjësisë për akuzat themelore që atij i janë ngritur, kjo nuk do t’i kishte shkuar në mendje asnjë fantazisti në glob. Aq më tepër në kushtet e izolimit në qelinë e kësaj gjykate në Hagë. Ky akt ishte dëshmi e dy akuzave që Specialja i ka thënë që në formulimin e parë të akuzës kundër Thaçit. Është dëshmi e faktit se “Thaçi së paku ka frikë se dënohet për krime lufte” dhe se “Ai ka deformuar drejtësinë në Kosovë, deri te akuza se janë eliminuar dëshmitarët okularë”. Pra e ka deformuar atë nga një instrument drejtësie në një instrument padrejtësie.

Nëse Kosova e di faktin se në përfundim të luftës dhe pas saj janë likuiduar rreth 200 politikanë dhe aktivistë kundërshtarë të Hashim Thaçit dhe partisë që ai ka drejtuar në këtë vend, asnjë prej kosovarëve nuk e njeh të shpallur fajtor qoftë edhe një prej vrasësve të këtyre viktimave. Dhe akti i zbuluar dhe denoncuar kohët e fundit për porosi të ish komandantit për të vënë nën presion ose për të likuiduar dëshmitarët e mbrojtur, pra anonimë në Kosovë, mbetet akti më i shëmtuar në historinë politike të pas pavarësisë. Është akt qyqar në kushtet e një dëshpërimi të paparë. Është akt që kryhet vetëm në kushtet e panikut, madje me idenë se “Nuk kam më çfarë të humbas më shumë”! Por në të vërtetë humbet dinjiteti dhe integriteti njerëzor.

Të gjitha sapo ndodhin na provojnë se Hashim Thaçi ishte një prodhim i rrejshëm që në kohën e luftës në Kosovë. Shpeshherë themi se ishte produkt i Rognerit dhe Vilës 31 të ish-diktatorit Enver Hoxha në Tiranë. Aty ai u ngrit dhe u propagandua si “një yll i ri për Kosovën”. E pompuan socialistët e Nanos në Tiranë, besa edhe me ndihmën e Sabri Godos. Dhe e promovoi në Rambuje sekretarja e Shtetit, Olbright. Vetëm Ibrahim Rugova e kishte njohur mirë. Nuk e pati njohur as Joe Biden në pozitën e nënpresidentit të SHBA-ve kur e krahasoi me George Washingtonin e madh. Ishin socialistët e Tiranës që ia krijuan menjëherë pas lufte partinë. Ishin amerikanët që e trajnuan se si duhej të buzëqeshte. Gjithçka e injektuan te Hashim Thaçi dhe prova e dështimit të eksperimenteve të tilla është sjella e tij në Hagë.

Edhe liderët përballen me drejtësinë. Por lideri mbetet lider edhe në bankën e të akuzuarve, edhe përballë prokurorëve, policëve dhe gjykatësve. Lideri sillet si lider. Dhe kjo ndodh, nëse ke lindur si i tillë, e jo në rastet kur je intubuar në reaminacion për të kaluar testin formal të të qenit lider. Hashim Thaçin e lëshoi shpejt narkoza e intubimit liderial. Ai dëshmoi se ka paguar “qimet e kokës” sigurisht nga taksat e qytetarëve të Kosovës, për autorrët e librit, ku citohet Biden ta ketë cilësuar “George Washingtoni i Kosovës”! Kam shkruar që atëherë, se loja për ta paraqit rrezatime të rreme për Thaçin ishte akt korrupsioni. Qëndrimi i tij në Hagë e provoi plotësisht këtë maksimë.

Me aktet dhe porositë e tij Thaçi mori më qafë edhe njerëzit e tij më të ngushtë. Bashkëpunëtorët e tij. Ka kompromentuar edhe vetë shtetin e Kosovës, kur ka përdorur shefin e AKI-së dhe zv. Kryeministrin e tij për manipulimin e dëshmitarëve. Unë besoj se Hajredin Kuçi mund t’i ketë premtuar Thaçit se do bënte diçka në favor të tij. Por nuk besoj se ka vepruar në praktikë. Ndërsa Smakaj, nuk guxoi në seancën gjyqësore të kundërshtojë akuzën. Gjithçka do ta shohim gjatë procesit gjyqësor.

Sido që të jetë, Partia Demokratike e Kosovës, nuk duhet t’i mëshojë trashëgimisë së Thaçit. Duhet të ndalojë së promovuari djemtë e politikanëve të fortë në radhët e veta. Duhet të distancohet madje qoftë dhe në heshtje nga ajo që shohim të ndodhë në Hagë. Nëse do të vijojë të kundërtën, atëherë nuk ka Bedri e as Çitak që e mbron dhe i jep shanse në zgjedhjet e 9 shkurtit. Kosova është e pjekur politikisht më shumë se çdo vend tjetër në rajon. Ajo sheh veprat dhe jo fjalët e premtimet e politikanëve. Po të ishte për fjalë, Hashimi i kishte më me bollëk se të gjithë politikanët e PDK-së të marrë së bashku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat