E duam Nëntorin, sepse na rikujton ngjarjet e mëdha historike. Është koha që lidhet me identitetin tonë kombëtar dhe nxit ndjenjën dhe qëndrimin patriotik. Është datë e përpjekjeve të pandërprera të popullit tonë për liri e pavarësi dhe si e tillë, Dita e Flamurit është festë e të gjithë shqiptarëve.
28 Nëntori-Dita e Flamurit na shpie në të kaluarën tonë të hidhur, në një periudhë të mbushur me ngjarje e dhembje të madhe, e përshkruar me plotë vuajtje e sakrifica, vetëm e vetëm për të mbijetuar e ruajtur identitetin tonë kombëtar. Shqiptarët, si në trojet e tyre etnike, ashtu edhe jashtë saj, me respekt e nderim kujtojnë këtë datë.
28 Nëntori i vitit 1912-të, shënon një kthesë historike për popullin shqiptar. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.
Kombin dhe atdheun duhet ta duam çdoherë, jo vetëm një ditë!
Sa herë afrohet muaji nëntor ne entuziazmohemi. Por, e keni parë sa patriotë bëhemi gjatë festave të Nëntorit ?. Valëvitja e flamurit apo veshja me ngjyrat e simbolet kombëtare vetëm për festa, nuk të bëjnë patriot të madh. Ky është vetëm një patriotizëm folklorik. Kombin dhe atdheun duhet ta duam çdo ditë dhe jo vetëm një herë në vit!. Patriotizmin duhet ta kemi në gjak, ta kemi në gjene. Veshja kuq e zi dhe mbajtja e simboleve kombëtare nuk është e mjaftueshme.Të qenurit patriot i mirëfilltë nënkupton shumë më tepër.Madje, shpesh ata që brënda një nate bëhën patriotë dhe hiqen e shiten si patriot të mëdhenj, me paraqitjen dhe retorikën e tyre, janë shpesh edhe nëpërkëmbësit më të mëdhenj të interesave kombëtare dhe maskën patriotike e mbajnë pikërisht për të fshehur mungesën e patriotizmit të vërtetë.
Patriotizmi është një ndjenjë dashurie që duhet mbjellur e ushqyer çdo herë për tokën atërore, për vendin që kemi lindur dhe jetojmë si komb e popull. Atdhedashuria është përmbushje e gjithë porosive dhe amaneti i të parëve tanë.Të jesh patriot do të thotë; të japësh kontributin tënd për vendin dhe të kujdesesh për të. Patriotizmi i vërtet tregohet me punë dhe kontribut të përbashkët për kombin dhe atdheun.
Patriotizmin duhet ta shfaqin jo vetëm me fjalë e në rrjetet sociale, por mbi të gjitha duhet me veprime konkrete. Nuk jam kundër shprehjes së dashurisë për atdheun nëpërmjet fjalëve, por duhet veprime konkrete dhe kontribut i vërtetë për vendin!.
Shpesh kur diskutojmë ose shkruajmë për nevojën e ringjalljes së patriotizmit shqiptar, disa e konsiderojnë atë si një ndjenjë të tejkaluar, ose si një relike të panevojshme në epokën e këtij shekulli. Por unë mendoj se patriotizmi shqiptar mbetet një komponent jetike për të ruajtur unitetin kombëtar. Me patriotizëm sot , nuk do të thotë të refuzojmë vlerat universale, por është një thirrje për të përqafuar botën e qytetruar, duke ruajtur njëkohësisht atë që na bën shqiptarë. Vetëm kështu, duke qëndruar të bashkuar dhe duke kujtuar rrënjët tona, mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.
Dashuria e atdheut mbart në vete ndjenjën e përgjegjësisë morale dhe atë kombëtare. Dashurinë për atdheun ne e mësuam nga prindërit, nga gjyshërit tanë, nga mësimdhënësit. Ajo kohë, ishte dashuri pa kushte e pa ambicie personale. Ata nuk i përkisnin asnjë partie politike, ishin në gjendje të sakrifikonin çdo gjë për atdheun dhe kombin. Ndërsa, kur flasim për të tashmen jemi dëshmitarë të një kategorie njerëzish të cilët atdhedashurinë e kanë të kushtëzuar.Të tillët, patriotizmin e kanë të shtrirë në drejtim të interesave të tyre personale, ku në veprimet e tyre vetëm patriotizëm nuk gjen. Atdheut i duhen shpirtra të sinqertë, për ta ndërtuar dhe ngritur lart, në mesin e vendeve të përparuara. Andaj , patriotizmi është një virtyt i lart shekullor, është baza e moralit, është një kauzë për një segment të gjatë dhe një qëllim. Është ndjenja e dashurisë, e përkushtimit për atdheun, duke përfshirë aspektet etnike, kulturore, politike e historike etj.
Patriotizmi është mjaft i nevojshëm
Rilindësit tanë kishin një projekt të qartë, ku ndër sfidat kryesore ka qenë masivizimi i vetëdijes kombëtare. Ndërsa, sot politikanët shqiptarë, shpesh rrisin dozën e tyre të patriotizmit, kryesisht në kohën e zgjedhjeve, sidomos kur jemi ne prag të zgjedhjeve. Andaj, gjithë këta që bërtasin rrugëve, medieve, portaleve e në facebook janë patriot të votave dhe ëndërrimtar të një karrige udhëheqëse.Patriotizmi duhet të mos jetë ekskluzivisht i lidhur me të kaluarën, por të jetë më shumë një projekt i së ardhmes që lidhet më konsolidimin e kombit tonë. Patriotizmi nuk është asgjë tjetër veçse dashuria për atdheun e për popullin e vet dhe gatishmëria për t'u shërbyer atyre me besnikëri, është ndjenja e lartë e detyrës për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe të popullit të vet.
Edhe këtë vit, 28 Nëntori u festua kudo ku jetojnë shqiptarët, ku më shumë e ku më pak. Kësaj radhe do të veçoja qytetin e lashtë të kulturës, e të traditës- Shkodrën. Çuditërisht, me habiti fakti, se atë ditë në Shkodër, mungonte atmosfera festive, çdo gjë m’u duk e zbeht dhe nuk i përgjante një feste kombëtare, përveç nisjes së Maratonës së Pavarësisë Shkodër-Ulqin, që tanimë është jetësuar. Si për çudi edhe në Kalanë e lashtë shekullore, në maje të Rozafës mungonte ai flamuri që dikur valvitej me kranari dhe qëndronte lart sikur na përshëndeste dhe na uronte kurdoherë mirëseardhje në qytetin e lashtë, në qytetin e kulturës !
Por jo vetëm,në Shkodër,por edhe në Ulqin mungonte atmosfera festive. Përveç mbrëmjes se asaj dite, në Ulqin e Anë të Malit (në SH F “Bedri Elezaga) u shënua kjo datë, por nuk u shënua në institucione të tjera. Këtu habit fakti se edhe përkundër ftesave të bëra nga organizatorët e manifestimit për shënimin e kësaj date të madhe kombëtare, si shumëherë nungonin prania e shumë “intelektualëve” e në veçanti punonjësve të arsimit dhe struktura të tjera. Po jo vetëm kaq! edhe gjatë ditës së festës, shumë nga qytetarët e rastit dhe nxënës të grup moshave të ndryeshme të pyetur nga autori i këtij shkrimi, me rezultoj, se ata as që e kishin në mendje idenë e kësaj date!. Kjo është një mungesë e kulturës kombëtare, e aq më tepër e mësimdhënëseve dhe prindërve në përgjithësi, të cilët nuk iu mishërojnë këtë datë të madhe kombëtare. Andaj, me një angazhim intensiv të çdo individi, sot kemi nevojë të rimëkëmbim më shumë vetëdijen kombëtare .
Koha për një vetëdije më të lartë
Secili nga ne duhet të jemi pak patriot, për një patriotizëm modern, të kulturuar. Çka nënkuptojmë me patriotizëm modern e të kulturuar ?. Ne duhet në mënyrë intelektuale dhe institucionale t’i ndjekim proceset demokratike, të kërkojmë të drejta tona, të mbrojmë historinë, traditën, kulturën, të mbrojmë kushtetutën etj. Kultura është shpesh një aspekt integral i patriotizmitqë është thelbësore për identitetin dhe ruajtjen e kulturës tradicionale.
Udhëheqësit tanë duhet të punojmë më shumë në forcimin e identitetit kombëtar dhe të jetësohet një lidhje e qëndrueshme me të gjitha vendet si : Shqipëri, Kosovë, Mali të Zi, Maqedoni,Luginë të Preshevës, Greqi, Turqi e vende të tjera ku jetojnë shqiptarët. Kjo është mënyra e vetme e forcimit të unitetit shqiptar. E rëndësishme është të jemi të unifikuar, të ekzistojë raporti shqiptaro-shqiptar, kjo është ajo që na duhet.
Andaj, në qoftë se duhet t’i shërbejmë dhe ta lartësojmë kombin, duhet të kultivojmë atdhedashuri të përgjegjshme, të dëshmojmë vlera kombëtare çdo ditë, e jo vetëm një ditë, (kur është ditë feste ). Patriotizmi nuk është vetëm një ndjenjë që e shprehim në ditë festash, por duhet një përkushtim që reflektohet në veprimet tona të përditshme.
Dashuria për atdheun matet me kontributin që secili prej nesh jep për zhvillimin dhe përparimin e kombit në përgjithësi. Puna me ndershmëri dhe përkushtim të përbashkët, duke investuar në dijen dhe aftësitë tona, në përhapjen e vlerave tona pozitive, ne kontribuojmë për një të ardhme më të mirë për vendin dhe kombin në përgjithësi. Të gjithë së bashkë mund ta bëjmë kombin tonë më të fortë dhe më të begatë!