Edmond Tupja zbërthen fjalimin e kryeministrit dhe zbulon bisedën me Noc Rrokun: Sfida për Ramën me…

Opinione

Edmond Tupja zbërthen fjalimin e kryeministrit dhe zbulon bisedën me Noc Rrokun: Sfida për Ramën me…

Nga: Edmond Tupja Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 17:46
Edmond Tupja

"N’oc Rroku ka një kuptim të figurshëm tejet vulgar:N’oc Rroku shënjojnë organet gjinore të mashkullit dhe, sipas traditës falokratike(shkodrane), ai që i shqipton, në të njëjtën kohë duhet të kapë, duke i shtrënguar me të dyja duart, organet e tij gjinore me qëllim që ta fyejë edhe më rëndë bashkëbiseduesin e vet, por me përjashtimin absolut të rastit kur personit në fjalë ose i mungojnë ato sende fort të çmuara, ose i mungojnë të dyja duart, ose edhe sendet në fjalë, edhe duart."

Para se të hyj në thelb të çështjes që, siç mund dhe duhet ta kenë parandier lexueset dhe lexuesit e mi kureshtarë nga vetë titulli i këtij shkrimi, po e nis me një vërejtje themelore për një dukuri të çuditshme të pranishme jo vetëm ndër fjalorë të gjuhë sonë amtare, por edhe në të folurën tonë të përditshme, shpesh bisedore, madje edhe thjeshtligjërimore.

E kam fjalën për disa emra të përveçëm (shih “Fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe” me autor Jani Thomain, botimet EDFA, Tiranë, 2010) si Xhafer, Zeqo, Milo dhe Leme e Preme veçanërisht në shprehjet “E humbi si Xhaferi simiten” (në kuptimin ‘e humbi toruan e s’di ç’të bëjë’), “Flet si e ëma e Zeqos majë të thanës” (në kuptimin ‘flet kot, thotë gjepura’) dhe “Puthu me Milon” (në kuptimin ‘s’ke se çfarë të bësh tashti’), ndërsa “Merrja Lemes e jepja Premes” është një shprehje, me të cilën populli autokton i Tiranës i ka bërë jehonë shprehjes së lashtë franceze “déshabiller (saint) Pierre pour habiller (saint) Paul”, pra, fjalë për fjalë, “zhvish (shën) Pjetrin dhe vish (shën) Palin” (në kuptimin ‘merr borxh te dikush për të shlyer borxhin që i ke dikujt tjetër’, ‘zhvendose një vështirësi për të kapërcyer një tjetër’).

Përveç kësaj, në shqipe ekzistojnë dy emra të përveçëm, krejt të pafajshëm e të nderuar, Hajdar e Genc, që gojështhururit më vulgarë i përdorin si sinonime të fjalës “penis” (shih “Fjalorin erotik të gjuhës shqipe”, Botimet EDFA, Tiranë, 2010). Sigurisht, askujt që mban njërin apo tjetrin prej emrave të përveçëm të mësipërm, nuk i ka shkuar deri më sot mendja të ankohet pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe aq më pak ta hedhin në gjyq këtë institucion të nderuar sepse paska pasqyruar në fjalorë e shkrime të tjera leksikografike emrat në fjalë.

Mirëpo, para disa ditësh, një zotëri i vjetër, fort i edukuar, që, duke lexuar me laps në dorë një libër të trashë, priste në radhë te Bashkia e Tiranës për të marrë një dokument lidhur me një pronë të tij në kryeqytet, dëgjoi dikë, edhe ky pjesëtar i radhës, që, me shumë gjasë, i pakënaqur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, tha me zë të lartë diçka të ngjashme më një proverb a fjalë të urtë: “Dhentë e dhitë e Zeres, nami i Kapllan Qeres”. Zotëria i vjetër kërceu përpjetë dhe iu vërsul atij që sapo kishte nxjerrë pa të keq nga goja atë proverb, duke e kapur për fyti dhe duke i ulëritur: “Po ç’dreqin ke me mua, more i pacipë!”.

Të tjerët nuk e kuptuan gjithë këtë mllef, por shtangën në vend kur mësuan që zotëria i vjetër quhej pikërisht Kapllan Qerja, i cili madje e kërcënoi kundërshtarin e tij se do ta hidhte në gjyq për fyerje publike. Kur një mik ma tregoi këtë ngjarje në telefon, qesha me të madhe dhe, nga kureshtja, hapa fjalorin e lartpërmendur të Jani Thomait dhe, vërtet, mësova se bëhej fjalë për një proverb të mirëfilltë.

Të nesërmen, në darkë, e kisha harruar këtë ngjarje, por, duke parë lajmet, dëgjova zotin Kryeministër, i cili në një tubim publik me një numër banorësh të një qyteti provincial, por simpatik, përmendi dy a tri herë në adresë të opozitës emrin dhe mbiemrin e një zotërie, N’oc Rroku dhe u kujtova që këto dy fjalë, që i kam a s’i kam përdorur dy a tri herë në rininë time të hershme, kanë një kuptim të figurshëm tejet vulgar: Ato shënjojnë organet gjinore të mashkullit dhe, sipas traditës falokratike, ai që i shqipton, në të njëjtën kohë duhet të kapë, duke i shtrënguar me të dyja duart, organet e tij gjinore me qëllim që ta fyejë edhe më rëndë bashkëbiseduesin e vet, por me përjashtimin absolut të rastit kur personit në fjalë ose i mungojnë ato sende fort të çmuara, ose i mungojnë të dyja duart, ose edhe sendet në fjalë, edhe duart.

Sigurisht që zoti Kryeministër nuk pati guximin ta bënte një gjest të tillë (ndoshta ngaqë njërën dorë e kishte të zënë me mikrofonin, simbol falik në vetvete, të paktën sipas psikanalizës frojdiane), mirëpo çështja nuk u mbyll me kaq. Për habinë time, rreth njëzet e katër orë më vonë, më doli në skajp që nga Shkodra Aqif Qifa, komshi e mik i vjetër, i cili më mësoi se një qytetar shkodran, i quajtur Ndoc Rroku kishte vendosur ta hidhte në gjyq zotin Kryeministër për përdorim fyes të emrit e të mbiemrit të tij! Aqif Qifa e kishte këshilluar të fyerin të mos nxitohej sepse vetingu, si proces aseksual, ende nuk kishte përfunduar dhe se zoti Kryeministër, kushedi, mund të pendohej për fyerjen që dashur padashur i kishte bërë dhe ndoshta do t’i kërkonte ndjesë, çka ia kishte zbutur deri diku zemëratën Ndoc Rrokut.

Megjithatë, si shkodran me një ndjenjë humori tejet të zhvilluar, ky i kishte thënë Aqif Qifës: “Nëse zoti Kryeministër dëshiron vërtet që unë ta fal, atëherë do ta pranoja ndjesën e tij, por me një kusht: Që ne të dy, ai, Edi Rama dhe unë, Ndoc Rroku, që në shkodranishte të kulluar shqiptohet N’oc Rroku, të shkojmë me të ardhur vera në një plazh nudistësh jashtë shtetit dhe t’i tregojmë botës se si N’oc Rrokët e Shkodrës ia marrin në kthesë nocrrokëve të gjithë kryeministrave të botës pa asnjë përjashtim! Por nëse zoti Kryeministër nuk e pranon propozimin tim, atëherë do të jem në të drejtën time që ta përdor publikisht, të paktën një herë, edhe unë emrin e mbiemrin e tij me të njëjtin kuptim që e përdori ai emrin e mbiemrin tim, veçse do të bëj atë gjest që ai nuk guxoi ta bënte para disa ditësh faqe një numri banorësh të një qyteti provincial, por simpatik!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat