Opstruksionet e opozitës ndaj Qeverisë dhe Parlamentit

Opinione

Opstruksionet e opozitës ndaj Qeverisë dhe Parlamentit

Nga: Ismail Muçiqi Më: 15 dhjetor 2024 Në ora: 16:34
Autori Ismail Muçiqi

Ajo që po ndodh në Republikën e Kosovës është rast sui generis në shtetet e botës demokratike ku funksionon sistemi parlamentar. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është shndërruar në (filial) të partive politike opozitare, të cilat përmes kësaj Gjykate po mundohen të bllokojnë çdo nismë ligjore që del nga Qeveria dhe miratohet në Parlamentin e Kosovës. Në një shtet demokratik, ku pushtetet janë të ndara dhe ku përgjegjësia për zbatimin e ligjit dhe rendit kushtetues duhet ta bartin njerëzit e dëshmuar me integritet profesional, të cilët në biografinë e tyre kanë lënë gjurmë profesionale dhe shkencore, me një fjalë kanë kredibilitet dhe besim tek qytetarët, nuk do duhej të vihen në pikëpyetje aktvendimet kredibile që dalin nga këto institucione.

Por shtrohet pyetja: A ka ndërtuar Kosova një sistem të mirëfilltë të drejtësisë për të përmbushur standardet e sistemit parlamentar dhe ato të Bashkimit Evropian? Raportet që dalin nga institucionet kredibile që monitorojnë sistemin e drejtësisë në vazhdimësi kanë konstatuar se sistemi i drejtësisë në përgjithësi në Republikën e Kosovës ka probleme të natyrave të ndryshme, të cilat kanë mbetur të pa reformuara, duke bllokuar vetingun në sistemin e drejtësisë.

Nuk ka dyshim se ligji (apo “Byroja”) për vlerësimin e prejardhjes dhe pasurisë së pajustifikueshme të klasës politike dhe personave të caktuar, të cilët me vite janë përfolur se janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, është shkaktari kryesor që grupet e caktuara të partive politike po vrapojnë tek Gjykata Kushtetuese me qëllim të bllokimit dhe dështimit të këtij procesi, i cili është pritur me vite me entuziazëm nga qytetarët e Kosovës. Po ky ligj, i cili duhet të zbatohet sa më parë edhe në Kosovë, mori dritën e gjelbër edhe nga Komisioni i Venecias. Po të kishte fare ndërgjegje dhe moral, çdo njeri i këtij vendi do duhej të përkrahte këtë iniciativë në të mirë të qytetarëve dhe të sistemit të drejtësisë.

Nuk ka dyshim se vite me radhë qytetarët e Republikës së Kosovës me shumë entuziazëm e kanë përkrahur themelimin e “Byrosë” për konfiskimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme të individëve që kanë arritur pasuri marramendëse. Koha po tregon se na mungon vetëdija dhe jemi në lajthitje, duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme, duke e ditur se Gjykata Kushtetuese përbëhet nga njerëz të këtij vendi, të cilët e thithin ajrin dhe e pinë ujin e Kosovës, dhe të cilët janë pjesë e mentalitetit dhe vetëdijes së kësaj shoqërie në të cilën po jetojmë. Kjo që po ndodh tani në bllokimin e proceseve është lajm i keq për të ardhmen e këtij vendi.

Duhet ta dimë se askush nuk mund të dalë mbi shtetin. Qeveria e një shteti është organ ekzekutiv që e ka zgjedhur dhe votuar Parlamenti në mënyrën më demokratike, përmes vullnetit që ka dalë nga bekimi i popullit. Andaj, duhet ta kuptojmë se pavarësisht ndarjes së pushteteve, qeveria dhe Parlamenti janë piramida që e drejtojnë shtetin dhe askush nuk mund ta bllokojë dhe kontestojë këtë. Këtë duhet ta dijë edhe Gjykata Kushtetuese, e cila me vendimet e saj racionale, juridike dhe kushtetuese duhet të veprojë në drejtim të bllokimit të nismave që i sjellin shtetit të Kosovës probleme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat