Kudo ka studentë në Serbi që protestojnë. Ditët e fundit ata vërshuan në rrugët e Beogradit, Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevacit. Këto universitete nuk funksionojnë. Janë bllokuar së paku 40 fakultete universitare. Studentët serbë kanë dalë me moton: - Nuk heshtin më! Me këtë moto ata janë mobilizuar kundër regjimit të Aleksandër Vuçiq. Ata kërkojnë për momentin ndjekjen penale të fajtorëve për aksidentin në stacionin hekurudhor të Novi-Sadit në Vojvodinë, ku humbën jetën 15 persona. Duan gjithashtu gjejtjen e autorëve të kësaj vrasjeje, si dhe të autorëve të sulmeve kundër studentëve e profesorëve në protestat që ata po zhvillojnë që prej 26 nëntorit.
Fillimisht protesta e studentëve serbë nisi me bllokada dhe bojkot të mësimit. Por presidenti autoritar i vendit, Aleksandër Vuçiq, i
akuzoi studentët dhe profesorët protestues se “po përpiqen ta rrëzojnë atë nga pushteti”. Madje i cilësoi si “mercenarë të huaj”, “dhunues dhe rrugaçë”! Reagimi i kreut të shtetit duket si përsëritje e akuzave që çdo shef i regjimeve autoritare e totalitare në botë bën kundër qytetarëve të vet, kësaj radhe kundër studentëve dhe profesorëve. Ndaj dhe kjo që thotë Vuçiq i ka revoltuar akoma më shumë ata. Sipas studentëve, është solidariteti me njerëzit që vuajnë dhimbjen e qeverisjes së Vuçiq, ajo që i ka nxitur ata në luftën e tyre për liri.
Megjithatë presidenti i Serbisë u përpoq në një deklaratë tjetër të qetësojë zemërimin popullor, kur premtoi se ai do ta publikonte të gjithë dokumantacionin e rikonstruksionit të stacionit hekurudhor në Novi Sad. Ndërsa qeveria e tij të enjten e shkuar mori vendimin përkatës për këtë. Por kjo nuk i ka ndaluar studentët e profesorët serbë. Ata vazhdojnë protestat e tyre. Gjithçka nisi më 26 nëntor 2024 në fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd dhe pastaj, për shkak të dhunës kundër tyre, u solidarizuan shumë universitete. Derisa të enjten e shkuar studentët bllokuan edhe rektoratin e universitetit të Beogradit. Ata japin çdo ditë deklarata në të cilat shprehin shqetësimin e tyre për gjendjen e shoqërisë serbe në përgjithësi nën regjimin propagandistik të Aleksandër Vuçiq.
Ndërkohë që të premten, më 13 dhjetor, një sindikatë organizoi gjithashtu një protestë një orëshe 11.45 deri 12.45 në të gjitha shkollat në Serbi. Kurse Forumi i Gjimnazeve të Beogradit, ku bëjnë pjesë më shumë se 500 mësues, ka shprehur mbështetje absolute për studentët dhe profesorët. Por edhe sindikatat e punonjësve të arsimit në Serbi kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit në Serbi dhe ndalimin e formave të represionit kundër studentëve. Ndërsa ministrja i ka akuzuar protestuesit për “politizim të arsimit” dhe kundërshton dorëheqjen e saj.
Në Serbi studentët dhe profesorët kanë krijuar një traditë të protestave të tyre. Së paku nga viti 1991 e deri sot. Protestat e vitit të kaluar ishin të fuqishme. Duket se edhe kësaj radhe ata nuk do të ndalen në kërkesat e tyre dhe se këto kërkesa do të adresohen si politike. Revolta studentore në qytetet serbe u shkaktua kryesisht nga ngjarja tragjike e Novi Sadit dhe u injektua akoma më shumë për shkak të dhunës së policisë e disa grupeve pro-qeveritare, të cilat u përleshën ditët e fundit me studentët protestues. Duket se kësaj radhe gjithçka do të zhvillohet me një projekt anti-regjim. Konflikti në thelb është politik. Zgjidhja do të vijë si e tillë.
Eshtë interesant fakti se regjimi i Aleksandër Vuçiq në Beograd u instalua dhe konsolidua në të njëjtën kohë e me të njëjtat metoda si edhe regjimi i Edi Ramës në Tiranë. Të dy këta liderë regjimesh autoritare në Ballkanin Perendimor kanë shumë të përbashkëta. Një prej tyre është qeverisja me dorën e hekurt të secilit prej tyre në vendin e vet dhe përqëndrimi i pushteteve në dorë të të dy autoritarëve ballkanikë. Tipari tjetër është shpërfillja e opinionin poblik dhe marrja e vendimeve në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën e vendit. Korrupsioni është gjithashtu nyje e përbashkët e lidhjeve të ngushta midis të dy regjimeve. Dhe sikur të mos mjaftonin këto hallka të zingjirit lidhës, të gjithave këtyre u shtohen lidhjet me krimin e organizuar dhe organizatat mafioze. Si për çudi, edhe pjestarët e familjes së të dy liderëve autokratë, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama, akuzohen për lidhje korrupsioni dhe me krimin e organizuar. Në Serbi është akuzuar djali dhe vëllai i presidentit, ndërsa në Shqipëri vëllai dhe bashkëshortja e kryeministrit.
Duket qartë se djajtë, pra krerët e regjimeve autoritare, ngjajnë shumë me njëri-tjetrin. Madje ata ngjajnë edhe me ish- kreun e regjimit të Sirisë, Bashar Al Assad, të cilin revolta popullore e detyroi të kërkonte azyl në Rusi. Presidenti i Serbisë u zotua se “Nuk ka ndërmend të kërkojë azil diku gjetkë, si Assad”, por derisa e ka shkuar këtë gjë në mendje, ai së paku pret një furtunë të papërballueshme protestash në vendin e tij. Ndërsa kryeministrit të Shqipërisë opozita i ka kërkuar dorëheqjen dhe krijimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të lira, qytetarë, prindër dhe nxënës të shumtë kanë protestuar për vrasjen e djalit 14 vjeçar Martin Cani dhe kërkojnë dorëheqjen e ministres së Arsimit, Manistirliu. Edhe në këtë rast kërkesat e qytetarëve të Tiranës hasin në vesh të shurdhër. Spikerja e Parlamentit i konsideron këto kërkesa si politike.
Megjithatë është koha që edhe Tirana dhe të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë të përfshihen në levizjen e madhe të luftës kundër regjimit të narco-shtetit të Tiranës e të Edi Ramës. Studentë, profesorë, nxënës e mësues të shkollave të mesme dhe shkollave tetëvjeçare duhet të krijojnë këshillat e protestave dhe të marrin në dorë edhe njëherë fatin e Shqipërisë. Ndryshe, akoma më keq se në Serbi, pas pak kohësh do të shohim sërishmi që Shqipëria vetëm të zvoglohet. Ndoshta atëherë do të jetë vonë! Motoja mund të jetë e njëjta: “Nuk heshtim më”!