Jemi dëshmitarë që për çdo ditë lajme nga më të ndryshmet drakonike po dëgjohen. Vuajtjet shpirtërore nuk kanë të sosur. Dikush bënn qejf, dikush bën histori, dikush bën “politikë” dhe dikush qeverisë me politikën, por asnjëri politikisht nuk mendon. Shtrohet pyetja: Për cilin popull janë të paguar dhe pse kaq thellë po e varrosin inteligjencën dhe popullin shqiptar në vendin tonë?
Në tokat shqiptare për fat të keq, po sundon bota e matrapazëve, sahanlëpirësve, bashibozukëve, bota e mjerimit, bota e krimit dhe bota e fundosjes së shqiptarëve përgjithmonë prej hises të vet.
Historikisht jemi të lodhur, fillimisht prej otomanëve, pastaj prej sllavëve, por më e rënda është lodhja e këtij populli prej vet shqiptarëve “patriot” dhe të paaftë. Prej tyre (politikanëve shqiptar), dëgjohen dhe çka nuk dëgjohen, ata bëjnë gara sa më i shëmtuar të duket shqiptari, politikisht i pa organizuar, etnikisht të mos ndihet se është shqiptar dhe çdo i ri sa më parë të largohet dhe vetëm të iki ka të mundi dhe ti shohin sytë, që mos ti pengojë kuajt e Teveqelëve. Sepse, kuajt e Teveqelëve e bëjnë ligjin, presin dallomën e drejtësisë, sepse udhëheqin pushtetin, për ti mjeruar shqiptarët!!
Për çdo ditë po shtohen masat e tru shpëlarjeve dhe të injorantëve dhe është duke u zvogëluar elita intelektualëve!
Ky mjerim kurrë nuk ka ekzistuar dhe ma i vështirë s'ka për të ardhur.
Në viset malore, siç janë Hasi, Shala, Tropoja, Gollaku, viset e Maleve të Sharrit e të Koretnikut, të Pashtrikut, në Grykë të Rugovës apo në viset malore të jugut të Shqipërisë, shikon shtëpi të zbrazëta, nuk dëgjohet zë, qetësi mortore, shikon katunde të vdekura, memzi sheh ndonjë plak që del nga shtëpia për një zor të madh. Ndërsa aty këtu, shikon pleqtë e lodhur nga skamja që ja jep Qeveria 100€ vetëm e vetëm të mbijetojnë që as për barna nuk i mjaftojnë!
Shikon shkollat me klasa banka dhe karrige të zbrazët pa nxënës sa të duhesh, që dikur në të kaluarën jo fort të largët gumëzhinin nga nxënësit, tash shikon zërin e arsimtarit i humbur dhe mallëngjyes. Po ashtu këta pak fëmijë që kanë mbetur aty këtu, sa të rriten edhe pak, marrin rrugën e pakthimit.
Për fat të keq këto vendbanime i goditi shkopi i shurdhmemecit, (të pushteteve) të veshur me rrobat e vdekjes. Si duket kanë për qëllim që zemrat e këtyre vendbanimeve malore, vazhdojnë të pushojnë së rrahuri, për të mos patur më jetë!
Nuk dëgjohen më zëra njerëzish si dikur, kënga dhe vaji kanë humbur në largësi. Nuk dëgjon qeshje fëmijësh, ndërsa të moshuarit nuk kolliten më. Aty këtu dëgjon psherëtimat e nënave për bijtë e larguar që humbën në terrin e nëmur të braktisjes. As, mjaullimat e maceve nuk dëgjohen më, ashtu edhe gjelat e katundit nuk ngrefosen dhe krekosën më, sepse kënga e tyre u ngri në agim. Rrugët e këtyre katundeve malore të harruara nga pushteti, gjarpërojnë pa frymë, ndërsa hingëllimat e kuajve kanë mbetur jehonë. Edhe burimet e krojeve i sheh të shteruna, e mos të flasim për blegërimat e qengjave të porsalindur, në kërkim të nënës bardhoke që janë ngjirur. Të kujton sorrat e zeza që nëmin fantazmën e zezë për jetën e lënur në harresë, për këto katunde të vdekura të mbetura vetëm në kujtesë.
Me fjalë të tjera vendbanimet malore, kanë marrë pamjen të trishtueshme, më shumë sheh qen rrugëve se sa njerëz. Sidomos në malësinë e mbi Shkodrës, Pollogut, Mirditës, Vrrinit, Lumës, Dibrës e të Korçës, Gollakut, Hasit e të Anamoravës dhe në të gjitha katundet shqiptare. Dhe kur i shikon qentë pa të zot, mendon se bëjnë gara për banor të këtyre vendbanimeve. Nëse sheh dikënd rrugëve, i sheh fytyrat e tyre si portrete të mjerueshme dhe plot mall me ankth. Shikon vendbanime që kanë mbetur vetëm muret e zbrazura dhe bukuritë e natyrës, të cilat kanë mbet të pikturuara si në letër, pa i shkelur njeri.
Shikon tokat e ngelua pa zot shtëpie, janë mbushur plot thera, nuk ka kush të mbjelli sallata, perime, të kultivojë rrushin e pemët me bollëk si dikur. A nuk ju shohin sytë, o ju liderë partiakë e qeveritarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, e ju paria shqiptare e Malit të Zi e të Kosovës Lindore? A jeni të vetëdijshëm se, zbrazja e atdheut është tragjedia që po luhet nga vet Ju?
Jeni bërë legjenda të trishtimit… A nuk shikoni se; Nuk ka klube sportive dhe Shoqëri kulturore artistike si dikur! A nuk shqetësoheni që vendi po boshatiset dhe s’ka mbetur rini? Ajo rini që ka ngelur janë bë nga 40 vjet të pa martuar dhe të pa-interesuar për martesë dhe për jetë. Ndërsa ka raste që vajzat shqiptare, të ndërmjetësuara nga matrapazë dhe tuxharë po martohen me bijtë e serbëve e të maqedonasve për një grusht pare (3000€)!
Numri i tyre rritet si për djem dhe vajza, o Zot çka na shohin sytë. Në vend që ato vajza të mbajnë fëmijë në prehrin e tyre, në kullat e bekuara stërgjyshore, ato mbajnë kukulla plastike. Turp! Paskemi qen shumë të mallkuar, kujt i kemi bërë kaq keq të na dënojë. E nuk sheh djepa të mbushur me fëmijë shqiptarë dhe të këndohen ninulla të trashëguara brez pas brezi.
Dikur buçiste kënga dhe gumëzhimi i fëmijëve kudo, tash dëgjohen të lehurat e qenve dhe ulërima, sa herë që thërrasin ezanin hoxhallarët e bien këmbanat e kishave.
Asnjë dritë nuk ndizet dhe asnjë gëzim nuk e sheh. Secili me mobil në dorë dhe në vesh duke folur, i lodhur dhe i përlotur në ankesa dhe demoralizim. Njeriu njeriun ka frikë ta pyes se si e organizon jetën.
Mjerimi ka kapluar dhe është i shpërndarë në të gjitha drejtimet prej te bujku e deri te intelektuali, e keqja ka dhanë metastazë.
Ndjenjat atdhetare, në viset shqiptare jashtë shteteve (Shqipëri-Kosovë)nuk ekzistojnë, gjuha shqipe përdoret në treg vetëm për të blerë e jo për të shitur. Se për të blerë mall të kuptojnë të gjithë, e për të shitur se shet asnjë.
Kuajt dhe pelat e Teveqelëve hingëllojnë kudo, dëgjohet hingëllima e tyre, por jo në Parlament. Ashtu dëgjohen në konaqe, në morta dhe dasma se sa mirë ja bam këtij, apo ati, iu hakmorëm atij dhe e dënuam atë, nuk ja pranuam djalin, vajzën dhe kështu me radhë o ku je o mjerimi skamnor.
Djemtë dhe vajzat me dy fakultete edhe magjistratura rijnë në shtëpi të papunë dhe të heshtur, se kanë frikë edhe punë të kërkojnë, se në vend të punës marrin dhurata dënimi e çka jo. Disa prej tyre punojnë në restorante si Kamarier të përbuzur. Në ndërtimtari vazhdojnë të ndërtohen pallate të larta shumë katëshe, kryesisht nga të ashtuquajtura "firma" të pa regjistruara dhe pa kurrfarë sigurimi për punëtorët e gjorë. Herë pas here dëgjohen lajme se ; një punëtor ra nga kati i 7-të , i ndjeri ishte pa shenja jete! Hetimet vazhdojnë. Familjarëve u komunikohet lajmi nga të ashtuquajturit "firmash" se ndjejnë dhimbje…Taksirat e ka pas! Ndërsa, ndërtohen pallate pa kritere urbanistike dhe pa skele mbrojtëse. Këto dukuri të gjithë i shohin. Që nga Presidenca, kryeministri, ministrat e deri te kryetari i komunës. Të gjithë heshtin. A nuk është kjo torturë …
Këto dukuri të gjithë ne i shohim, por shtiremi gjoja se po habitemi. Shtiremi me sherr, sepse referenca po tregon një realitet të hidhur. Ndërsa, Kosova e mjerë, është mbushur me shtëpi publike në të katër anët, me motele e hotele që haptas ofrojnë “pushim për pesë euro”, me shërbime masazhi që ofrojnë shërbime seksi, me fëlliqëti të shumta. Prandaj, edhe kjo lloj “habie”, provon hipokrizinë në këtë shoqëri. Lufta kundër të keqes bëhet shumë më larg se sa bëhet në jetën reale. Minimalisht, bëhet afër shtëpive, ku gëlojnë shtëpitë publike dhe masazhhanet. Por s’dëshiron të kuptojnë hipokritët!
Planet mafioze kurdisen atje në parti, kundër atyre që nuk janë anëtar të mafies politike.
Populli i shkret i mjerë, i lodhur, i strukur në mjerimin e gjatë pret dhe vetëm pret të dëgjojë një fjalë të ëmbël, e të butë, se iu dogj shpirti prej këtij fatziu…
Nëse e ndez TV, nuk ke programe kulturore me peshë edukative dhe kombëtare. Sheh filma serial të Turqisë, o Zot e vrau e preu e dhunoi dhe e la shtatëzëne, e lindi "kopilin" e shiti drogën e mbyti dhe ashtu pa asnjë vlerë. Na mbyti Turqia me kësi “dhuratash” edukative, me Shivana, me "rrospia" hatixhe dhe çka jo. Pastaj programet degjeneruese, "Big Brother Vip Kosova" dhe "Big Brother Vip Albania", të cilët janë të gërditshëm, të mjerë e me ndikim të keq në shoqëri.
Janë gërdi, mjerim, ofenduese, analfabetizëm e po ashtu ndikim shumë i keq në aspektin edukativ. Edhe pse për fat të keq përfaqëson një pjesë të madhe të realitetit tonë shoqëror. Ndonëse kam pa shumë pak për të bërë ndonjë koment të mirëfilltë dhe pa dashur t’i hyjë në hak askujt por, është e mjaftueshme sa për t’u revoltuar e irrituar besa edhe tmerruar me nivelin në të cilin kemi rënë dhe çka po i ofrojmë shoqërisë si programe argëtuese në këtë periudhë krize që ka përfshirë çdo fushë të jetës, sidomos atë të edukimit e moralit kombëtar.
Janë të pafalshme sidomos nëse i tolerojmë nëpër emisione e programe mediale dhe nuk reagojmë e protestojmë kundër kësaj shëmtie në rritje drastike. Pastaj nëse e tolerojmë s’kemi pse befasohemi kur të njëjta sjellje ndodhin ndaj nënave tona, motrave, mbesave dhe shoqeve. Aty shohim shumë GOMARË të estradës kur ngacmimin seksual e demonstrojnë në formë humori dhe argëtimi mbi kurrizin dhe përbuzjen e grave.
Si njeri, i rritur mbi vuajtjet e gëzimet e kësaj shoqërie do të dëshiroja që lëshime të këtilla së paku të filtrohen e ndalohen nëse për asgjë tjetër për hir të etikës profesionale nëse jo për shkak të asaj që quajmë kulturë, veriut e moral kombëtar .
Periudha në të cilën po jetojmë është mjaftueshëm e rrezikshme, ekseprimentale e sidomos interneti ka shumë ndikim tek secili prej nesh andaj kishte me qenë investim kombëtar për shoqëri sa më të shëndoshë nëse do të kishte më shumë kujdes rreth përmbajtjes mediale. Në vend se të ofrojnë programe që për bazë kanë edukimin, mediat tona ofrojnë degjenerimin.
Ka edhe shumë gjëra tjera pa thanë, lista e ankesave është shumë e gjatë dhe e mjerueshme, por ndoshta i numëron edhe dikush tjetër.
O ju liderë partiakë e qeveritarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, e ju paria shqiptare e Malit të Zi e të Kosovës Lindore, qytetarët shqiptarë në trojet tona duan të jenë të barabartë dhe mjaft i keni sorollatur. Ju me paaftësinë tuaj politike, bëni burrëri të merrni rrugën e dorëzimit dhe largohuni me nder nga politika, mos krijoni turpe dhe cikrke në ato Parlamente (Kuvende) të mynxyrave, të njëmijëta që janë duke u bërë. Vetëm punë të hairit nuk ka. Shqiptarët duan hisen e tyre dhe duan përgjegjësi për këtë, pse po i maltretoni.
Për qytetarët rrugë tjetër nuk ka, ka vetëm drejtësi dhe trajtim të barabartë, apo do të vazhdoni të hani salçiqe që turpi i mjerimit të vazhdoj lulëzimin në trojet tona.
Unë kam besim dhe kam shpresë se kjo hamulli politike do të shembet shumë shpejt, prandaj nuk mendoj se shqiptarët do të bëhet përshesh…
Vetëm lufta kundër korrupsionit, vendosja e shtetit ligjor dhe meritokracia janë zgjidhje. Të tjerat i rregullon tregu i lirë.
Ky besim për të gjithë ne është te SHBA, NATO dhe Bashkësia Evropiane.
15 dhjetor 2024
Haki Latifi