EU (për mos bindje) shumë lehtë dhe si duket me kënaqësi iu hakmor Kosovës me sanksione. Udhëheqësit e saj Borrell, Lajçak dhe Stano, nuk e kishin të vështirë vendimin, pasi vinin nga shtetet, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Dy nga ta, Lajçak dhe Stano po ashtu janë me prejardhje sllave, të cilët solidarizohen me vëllaçkon e tyre Vuçiqin. Dhe së bashku me Borrellin, që të tre së bashku, e vajtonin „Viktimizimin” e Vuçiqit dhe popullsisë serbe në Kosovë.
Albin Kurti nuk kishte se si të viktimizohej. Askush si merrte parasysh kërkesat dhe ankesat e tij e të Kosovës. Para këmbëve të tyre shtrihej Vuçiqi, duke e vajtuar Serbinë dhe popullin serb, nga „Verimet dhe terrorin” e Kurtit ndaj Serbisë dhe serbëve.
Pra EU nën udhëheqjen e treshes, së cilës nuk u pëlqen pavarësia e Kosovës, Borrell, Lajçak dhe Stano, „Nuk u mbetej tjetër”, përpos ta ndëshkonin Kosovën.
Loja e tyre, as sot nuk ka përfunduar: Serbia organizon dhe udhëheq aksione terroriste brenda territorit në Kosovë, kurse Lajçak pa kurrfarë turpi, cakton data mbi takimet për bisedime të destinuara për dështim. Kjo është një hipokrizi e qartë, po ç’ti bësh burokracisë së tillë të EU, të cilën as vetë nuk e kuptojnë.
Këta zotërinj edhe po i pyete, nuk flasin gjatë. Ky është qëndrimi i EU, të përgjigjen, dhe me kaq përfundon. Të pëlqeu ty apo jo.
Të njëjtin hall e kishte Turqia me një burokraci të tillë, derisa pothuaj hoqi dorë nga anëtarësimi i saj në EU.
Të shpejtë dhe të pa kompromis janë sidomos, nëse vjen çështja e sanksioneve. Për këtë kanë përvojë, apo e kanë shabllonin e gatshëm, të cilin vetëm duhet ta aktivizojnë. Por, po erdh puna që t´i anulojnë ato, vaj halli. Nëse shpreson në drejtësi dhe korrektësi të tyre, të detyrojnë që ta mallkosh vetveten, dhe nuk ta presin litarin.
Ndoshta edhe kjo ka ndikuar që tash SHBA, dolën me qëndrimin e tyre. Ata shpallën sanksione ndaj Serbisë, e cila po bashkëpunon haptas me firmat e sanksionuara ruse të naftës.
Diktatori Vuçiq, mbi sanksionet e paralajmëruara amerikane, deklaroi se po e pret arsyetimin me shkrim. Arsyetimi i tij i paralajmëruar është se po e pret inaugurimin e Trumpit, dhe tash edhe emërimin e Grenellit, në mënyrë që ta kursejnë Serbinë nga këto sanksione.
Për administratën e Trumpit sanksionet e tilla ndaj Serbisë ndoshta janë të mirëseardhura, sepse do ta kenë mundësinë që edhe ndaj Serbisë të ushtrojnë presion, për arritjen e marrëveshjes me Kosovën.
Deri më tash, të gjithë ushtronin presion vetëm ndaj Kosovës, po tash e tutje ky presion mund të orientohet ndaj dy palëve.
Për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, janë të gatshëm edhe të gjithë liderët e opozitës, duke premtuar përmirësimin e marrëdhënieve me EU, SHBA dhe perëndimin, po problemi numër një mbetet, Albin Kurti.
Albin Kurti nuk i përshtatet as EU, e cila ia ka vërë syrin litiumit serb. Trump po ashtu nuk e don Kurtin, i cili nuk lëshon pe mbi territorin e Kosovës, dhe kështu bëhet pengesë mbi marrëveshjen. Ardhja e opozitës në pushtet, do ta zgjidhte këtë problem, madhor për perëndimin, po çështja do të ishte si ta marrin pushtetin.
Si të bindet populli i Kosovës që të heq dorë nga Albin Kurti, kjo është çështja? Si duket kemi mbetur në një pat pozicion.
Si do të veproi Serbia, Rusia, SHBA, EU dhe Kosova në krye me Albin Kurtin, mbetet të shihet muajt në vijim. Ndikim pa dyshim do të ketë edhe zgjidhja e luftës Ukrainë - Rusi.