A po kthehet Grenelli, ndarja e Kosovës në tavolinë?!

Opinione

A po kthehet Grenelli, ndarja e Kosovës në tavolinë?!

Nga: Faton Mehmeti Më: 16 dhjetor 2024 Në ora: 17:03
Autori Faton Mehmeti

Ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet i dërguari për misionet speciale i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. "Ric do të punojë në disa nga pikat më të nxehta në botë, duke përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut," shkroi Trump në platformën në internet Truth Social.

Për Kosovën, Grenell nuk është i panjohur; roli destruktiv gjatë administratës Trump I gati sa nuk prodhoi ndarjen e vendit. Të kujtojmë se ishte Grenelli, i entuziazmuar nga fitorja e Vuçiqit, mikut të tij, për të cilin ka bërë shumë përpjekje për ta mbështetur. Andaj, nuk mund të pritet tjetër nga njeriu që merr mirënjohje nga Vuçiqi dhe që është i “dashuruar” pas popullit serb. Kritikat ndaj Kurtit janë të natyrshme, kur shihet se ishte Albini që hodhi në koshin e mbeturinave idetë e tij me Thaçin dhe Vuçiqin për ndarjen e Kosovës.

Pavarësisht se nuk është përcaktuar specifikisht për Kosovën, pritet që Grenell të ketë ndikim në dialogun Kosovës - Serbi. Fatkeqësisht, opozita sheh tek Grenell një aleat kundër Kurtit, pavarësisht se a humb Kosova apo jo. Nuk besoj se Grenell ka ndryshuar mendim; ai mund ta jetësojë projektin serbo-rus për ndarje. Fatmirësisht, pjesa dërmuese e politikës dhe qytetarëve të Kosovës e refuzojnë këtë projekt, edhe nëse e mbështet Grenell me administratën Trump pas.

Shpresoj se Trump do të emërojë dikë të veçantë për Kosovën që është i paanshëm në dialogun Kosovë-Serbi, çka minimizon shanset e Grenell për të ndihmuar Vuçiqin në kurriz të Kosovës. Disa nga opozita u gëzuan me emërimin e tij në pozitën e re, me shpresën se kjo do t'i ndihmojë opozitës për të dëmtuar sa më shumë Albinin. Kosova meriton dhe duhet të mbrojë interesat e saj; politikanët dhe emisarët janë të përkohshëm, Kosova është e përjetshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat