Doktrina “Rebus Sic Stantibus”, mundëson prishjen e marrëveshjes të Asociacionit

Opinione

Doktrina “Rebus Sic Stantibus”, mundëson prishjen e marrëveshjes të Asociacionit

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 17 dhjetor 2024 Në ora: 08:01
Foto ilustrim

Opozita destruktive e ndjellakeqe, e prirë nga PAN-i mafioz, i cili ia bëri gjëmën Kosovës, me vrasjet serike politike dhe hajninë zyrtare, është bërë palë me Serbinë, për ta bërë Asociacionin, madje pavarësisht llojit të tij! Shqiptarët e Kosovës, në veçanti, dhe ata të përbotshëm, në përgjithësi, kanë shqetësimin e madh, sepse çfarëdo lloji i Asociacionit, me apo pa kompetenca ekzekutive, për komunat me shumicë serbe, është parathënie e ndarjes të Kosovës. Dhe, këtë e dëshmon Asociacioni i 14 komunave në Bosnje-Hercegovinë, i cili prodhoi Republika Srpska të modelit Dodik.

Deri tani Lëvizja Vetëvendosje ishte e vetme në rezistencë e kundërshti të bazuar, se Asociacioni që kërkon Serbia dhe aprovojnë ndërkombëtarët dhe opozita aleate e Serbisë, është nënshkruar në mënyrë paushalle dhe moskokëçarëse, nën presion dhe shantazh, me dosje faktike të krimeve serike, të Hashimit me shokë. Së fundi, edhe LDK-ja ka një mendim ndryshe nga opozita e kriminalizuar e Kosovës. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, deklaroi se "ajo që është nënshkruar në Bruksel, ka mundësi të ndryshohet". Pra, krijimi i Asociacionit mund të përjashtohet, duke u dhënë siguri për të drejtat bazike minoritetit serb dhe pakicave tjera në Kosovë. Dhe, shteti i Kosovës e ka dëshmuar këtë përgjatë këtij çerek shekulli. Monitorimet e specializuara të institucioneve ndërkombëtare, për liritë dhe të drejtat e njeriut, e pranojnë se Kosova shquhet për demokraci prijetare, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë në Evropë dhe botë. Në veçanti, trajtimi i minoriteteve gëzon liri dhe të drejta shtesë, në raport me shtetet tjera.

Zhurmimi i çakorduar serbo-sllav, me aleatët e tij, dashakëqinj ndaj Kosovës, trumbeton, mashtrueshëm dhe rrejshëm, se, gjoja, serbët në Kosovë trajtohen keq. Edhe vetë shqiptarët habitën me -shpirtin kristian-, në kuptimin klasik të kësaj shprehje. Dhe, për asnjë çast nuk i janë referuar hakmarrjes, "qerim hesapësh, ndaj popullatës serbe, bijtë bastardë të së cilës përgjakën Kosovën. Populli i Kosovës vazhdon të jetojë nën ankthin e madh, për të sotmen dhe të ardhmen e tij. Jemi në prag të zgjedhjeve qendrore dhe opozita e shantazhuar nga Beogradi zyrtar, me aleatë, me dosjet kriminale të luftës dhe pas saj, zotohet se do ta krijojë Asociacionin. Ndërkohë, shpresë ka zgjuar deklarata e tanishme e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel mund të ndryshohet. Rrjedhimisht, gjithçka varet nga të menduarit dhe të kuptuarit drejtë nga elektorati shqiptar, se të shantazhuarëve PAN-istë, nuk duhet t`u jipet mundësia për kthimin në pushtet, në këtë kohë zezonë për Kosovën. Andaj, aleanca, koalicioni LDK-LVV mbetet i paalternativë, për ta përballuar presionin, sa të padrejtë, aq edhe kriminal, të Serbisë, me aleatët e saj, armiq të Kosovës, për krijimin e Asociacionit njëetnik serb.

Doktrina "Rebus Sic Stantibus", normë juridike, e cila anulon kontrata e marrëveshje ndërkombëtare

Para disa viteve hasa  në Doktrinën juridike ndërkombëtare: Klauzula "REBUS SIC STANTIBUS" dhe më pëlqeu që shtetarët dhe pushtetarët tanë t`i referohen asaj, për ta zhvlërsuar, deri në zhbërje, Marrëveshjen për themelimin e Acociacionit  të komunave me shumicë serbe. Megjithatë, nuk shoh ndonjë lëvizje, interesim në këtë drejtim! Madje e kam përsëritur disa herë në shkrimet e mia. Dhe, e kam arsyetuar me dy të dhëna faktike:

Asociacioni është nënshkruar në kushte e rrethana super specifike, nga njerëz të shantazhuar dhe të kërcënuar nga Serbia, me dosjet e krimeve faktike - maltretimin dhe vrasjet seriale e numerike të kundërshtarëve politikë shqiptarë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, për karrierë dhe pasurim të disa biçim "komandantësh" pa ushtarë!

Ish-drejtori gjeneral i Shërbimit Sekret Francez, DGSE, Pierre Siramy, në një dokumentar special, CANAL +, thotë se "Hashim Thaçi është agjent i ynë, agjent i Francës. Në historinë e rekrutimit të Thaçit, është përfshirë Arnaud Danjean, dhendërr i Serbisë, i cili flet gjuhën serbe në familje, në atë kohë, oficer hulumtues për çështje të Ballkanit. Thaçi ishte dhe vazhdon të jetë agjent i këtij Shërbimi".

"Gjithçka çfarë duhet të dijë agjenti, është se ekziston një dosje për të, me kaq mjafton",- thotë ish-shefi i Shërbimit Sekret francez Siramy.

Kur ndërkombëtarët, -en blok-,  aprovuan kërkesën e Serbisë, për themelimin e Asociacionit në fjalë, festuan- njëheresh: serbët e Kosovës dhe të Serbisë; Beogradi zyrtar; serbët në Bosnje Hercegovinë dhe Mal të Zi; si dhe Moska zyrtare, se u krijua "Republika Srpska" e dytë në Ballkan.

Festa gjithë-serbe, mjaftueshëm, dëshmoi qëllimin e kërkesës ngulmuese, për krijimin e Asociacionit. Nisur nga praktika intitucionale, e ndjekur nga serbët e Bosnjes, ndarja e Kosovës do të ishte e pashmangshme. Bota akademike botërore, në veçanti, ajo amerikane, angleze, gjermane ..., apelojnë, përsëritshëm, që Kosova me asnjë çmim të mos e bëjë Asociacionin, sepse ai, fillimisht, do të ishte kanceri i Kosovës, deri në realizimin e shkëputjes.

Pikërisht, Doktrina "REBUS SIC STANTIBUS", e parasheh prishjen e Kontratave dhe të Marrëveshjeve Ndërkombëtare, kur njëra palë nënshkruese dëmtohet dhe e vënë në rrezik shtetin. Për mrekullitë e kësaj Doktrine, në korrigjimet, ndër shekuj e dekada, të Marrëveshjeve të dëmshme ndërkombëtare, janë bindëse dhe guidë për veprim.

Profilaksia, si në shëndetësi, ashtu edhe në politikë, është e shëndetshme, parandaluese e të këqijave. 

"Gabova që e binda Ukrainën të heq dorë, nga programi bërthamor", - rrëfehet Presidenti Bill Cllinton!

"Gabova që lejova dhe aprovova krijimin e Asociacionit të 14 komunave serbe në Bosnje", - thotë Christopher Hill! 

Dhe, çfarë vlere kanë sot pendesat e këtyre burrështetasve, për krimet, tashmë, të bëra, kur Ukraina po përgjakët, në mungesë të armës atomike dhe Bosnja e Hercegovina është asfiksuar si shtet, pikërisht, nga krijimi i Asociacionit për 14 komunave me shumësi serbe, Asociacion që prodhoi "Republika Srpska", pothuajse, një shtet brenda shtetit. 

Mendoj se autoritetet e Kosovës, duhet t`i drejtohen presidentit Macron, të sqarojë pse qytetari francez, zyrtar i lartë, përdori autoritetin e shtetit të tij, për ta bërë shtetasin e Kosovës agjent të dyfishtë, të Francës dhe të Serrbisë - njëherësh. Agjenti i DGSE, Arnaud Danjean, me agjenturën e tij, nga një hiç, zero, e bëri agjentin e tij, Hashim Thaçin: themelues të UÇK-së; drejtor politik të UÇK-së; kryesues të delegacionit në Rambuje; shpallës të dhunshëm të pavarësisë, edhe pse nuk po shpallej e pavarur qeveria, por shteti i Kosovës. Dhe, atij nuk i takonte leximi i Deklaratës të Pavarësisë të Republikës të Kosovës. Ndërkohë që, kuadrot e LPK-së e thonë hapur se asnjë strukturë partiake apo ushtarake, nuk e ka zgjedhur Hashim Thaçin në asnjërën nga këto pozita!

Është kriminale të abuzosh me emrin e Demaçit, se, kinse, ai po pengonte nënshkrimin e Marrëveshjes në Rambuje. Analizoni veprimet dhe vendimet banditeske, të ndërmarra nga Hashim Thaçi, si kryeministër dhe president, për të cilat nuk ka pyetur dhe as përfillur askënd. Që nga abuzimi i buxhetit shtetëror, për të paguar dhjetra avoketër, për mbrojtjen e të akuzuarëve nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë; pagesën e 42 mijë "veteranëve" të rrejshëm; e deri ke emërtesat e institucioneve, objekteve, auto-rrugëve dhe të tjera. Realisht, Hashimi ishte nën vartësinë e plotë të shefit të tij freng, Arnaud  Danjean, i cili kishte për mision ta dështonte Konferencën e Rambujesë, duke përmbushur porosinë e Serbisë. 

Është koha për vigjilencë të shtuar. Kujdes shtetarë dhe pushtetarë të Kosovës tonë halle-madhe! Pika duhet të vihet mbi "i". Shantazhimi i Hashim Thaçit ka qenë i drejtëpërdrejtë, "merre ose lëre", dosja voluminoze, me krime numerike, është e gatshme. Klienti i tmerruar nuk konsultoi as strukturat partiake dhe as ato shtetërore. Dertoi me vartësin e tij, Isa Mustafa dhe bëri nënshkrimin fatal, kapitullues. Për pasojë, një marrëveshje e bërë në rrethana enorme të presionit, nuk është valide dhe duhet zhbërë, referuar doktrinës juridike ndërkombëtare "Rebus Sic Stantibus". 

Të shantazhuarit nuk duhet lejuar të ngritën në pozita pushtetare dhe shtetërore, sepse, për t`i shpetuar ndeshkimit ligjor, për fajet personale të bëra, dëmtojnë seriozisht shtetin. Në rastin e Kosovës, kjo është vërtetuar katërcipërisht. Për çerek shekulli përballën me drejtësinë dhe burgjet, megjithatë, duan pushtet! O tempora! O mores!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat