Operacioni për fshehjen e kufomave “Thellësia” do të mbetej sekret shtetëror i Serbisë sikur kamioni frigorifer me trupat e shqiptarëve nuk do të dilte përmbi ujë.
Më 4 prill 1999, një kamion frigorifer që i përkiste thertores “PIK Progress Export” nga Prizreni i ra në sy një peshkatari serb që lundronte nëpër lumin Danub në territorin e Serbisë.
Shumë shpejt u kuptua nga policia lokale se brenda në kamion ishin 86 trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në Kosovë në vitin 1999.
Ata ishin hedhur në Danub në përpjekjen për të mbuluar krimin e kryer në disa fshatra të Pejës nga grupi paramilitar “Çakallët”..
Kështu raportohej 10 vite më parë në një dokumentar të BIRN-it i quajtur “Të paidentifikuarit”.
Aty do të flisnin disa nga të mbijetuarit e masakrës së kryer në Qyshk, Lubeniq, Pavlan dhe Zahaq nga paramilitarët famëkeq “Çakallët”, të udhëhequr nga Nebojsha Miniç..
Dhe ky është vetëm një prej akteve të shumta kriminale të Serbisë ndaj Kosovës dhe popullit të saj të pafajshëm gjatë luftës.
Sot, në Bruksel, është arritur një marrëveshje e rëndësishme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ka të bëjë me çështjen e personave të zhdukur. Palët janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për këtë çështje dhe për formimin e një Komisioni të Përbashkët, i cili do të mbikëqyrë implementimin e kësaj marrëveshjeje. Ky është një hap pozitiv dhe domethënës në drejtim të trajtimit të një çështjeje shumë delikate dhe të dhimbshme për shumë familje, që vazhdojnë të kërkojnë përgjigje për fatin e të dashurve të tyre.
Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur. Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse.
Aktualisht Kosova numëron 1617 persona të zhdukur gjatë luftës.
Ndër vite, Serbia ka qenë ajo e cila e ka neglizhuar çështjen e zbardhjes së fatit të këtyre personave.
Ndërsa, familjarët kanë pritur me ankth që ta dinë fatin e më të dashurve të tyre.
Është mirë, që më në fund u bë një hap konkret për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por vonesat që janë bërë për vite me radhë në lidhje me këtë çështje kaq të ndjeshme, mund të konsiderohen të pafalshme.
Nga ana tjetër, duke e ditur neglizhencën e Serbisë për përmbushjen e angazhimeve të saj në këtë proces, duhet të jemi të rezervuar në besueshmëri, madje edhe sa i përket marrëveshjes së arritur sot në Bruksel.
Kjo pasi, historia na kujton se Serbia gjithmonë shfaqi mungesë transparence sa i përket zbardhjes së fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.
Shumë herë, përgjegjësitë dhe përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur mbaheshin të bllokuara, ndërsa mungonin veprimet konkrete nga ana e autoriteteve serbe.
Për këtë arsye, është e natyrshme që të ngriten dyshime mbi gatishmërinë e Serbisë për të zbatuar këtë marrëveshje në tërësi.
Megjithatë, ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian (BE) në këtë proces është i rëndësishëm, pasi BE ka interes të drejtpërdrejtë në stabilizimin dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Andaj, pritjet janë që më në fund do të bëhet diçka në këtë drejtim.
Edhe pse Serbia në të shumtën e rasteve është tërhequr dhe nuk i ka zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel, fakti që ka një angazhim të përbashkët dhe një mekanizëm mbikëqyrës si Komisioni i Përbashkët, është një hap i rëndësishëm dhe mund të sjellë një avancim të ndjeshëm në zgjidhjen e këtij problemi.
Ky është një moment që duhet shfrytëzuar nga të dyja palët për të avancuar në drejtim të drejtësisë dhe pajtimit, me mbështetje të fortë ndërkombëtare.
Pas arritjes së marrëveshjes së sotme në Bruksel, Serbia do të duhej që ta shfuqizonte vendimin që kishte marr 10 vite më parë, duke i shpallur “sekret shtetëror” dokumentet mbi veprimtarinë në Kosovë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave.
Kryeministri Albin Kurti, kohë më parë pati deklaruar se ky vendim i marrë më 31 korrik 2014 pengon zbardhjen e së vërtetës së dhimbshme lidhur me vrasjet e civilëve shqiptarë dhe fshehjen e trupave të tyre në varreza masive në Serbi.