Promemorja e vitit 1930 drejtuar Lidhjen e Kombeve ose akti i parë i ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare

Opinione

Promemorja e vitit 1930 drejtuar Lidhjen e Kombeve ose akti i parë i ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare

Nga: Xhevat Ukshini Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 21:22
Shtjefën Kurti

Me 24 dhjetor të vitit 1898 u lind në Prizren don Shtjefën Kurti. Prizreni ishte vendi i lindjes, por jo dhe vendi ku jetonte familja e tij, sepse prindërit dhe fisi i tij i gjerë banonin në Ferizaj. Shtjefën Kurti me lindje i takon Prizrenit, me vendbanim Ferizajt, me aktivitetin e tij baritor Novosellës së Gjakovës, Tiranës dhe Gurzës së Kurbinit, kurse me përkushtimin e tij atdhetar gjithë Shqipërisë. Me termin etnografik  Shqipëri përmbledh gjithë trojet shqiptare, jo Shqipërinë si realitet i hartës politike të Ballkanit. Shkollën fillore ai e kreu në Ferizaj, kurse në vitin 1909 do të hyjë në Seminarin Papnor në Shkodër. Në këtë kohë kur filloi gjimnazin teologjik në Shkodër,  Kosova ishte ende nën sundimin turk, kurse qyteti i Ferizajt kishte vetëm 3 dhjetëvjeçar jetë si qytet. Qyteti në fakt e solli hekurudha Shkup-Mitrovicë. Kurrë më parë në këtë vend nuk kishte ekzistuar një qendër urbane. Ishte vend pyjor dhe me shumë fusha pjellore të rrafshit të Kosovës përreth dhe më tej në perëndim e jugperëndim me bjeshkët e mëdha të Sharrit. Pushteti turk ishte thjesht formal, ngase nuk ndihej shumë prania e tij shtetërore në qytet e në rrethinë. Sidoqoftë vendi quhej Perandori Osmane dhe jo Shqipëri. Diçka që në shikim të parë dukej e vogël, peshonte rëndë për shqiptarin e këtyre anëve. Pra, sido që të ishte, diçka mbetej pezull, diçka e papërcaktuar e përshkonte  jetën dhe fatin e njerëzve, ishte një ankth e një pasiguri që i linte njerëzit pa gjumë. Qetësia e jashtme ishte e rrejshme, sepse në shpirtin e njerëzve endeshin dyshime të zeza. Ky shqetësim nuk ishte pa shkak. Në mënyrë instinktive, të pavetëdijshme njerëzit e ndienin të keqen që po afrohej, por e ndienin veten të paaftë të ndërmerrnin diçka që do ta ndryshonte jetën e tyre. Kohët ishin të  turbullta, ajo që ekzistonte sot, nesër mund të mos ndeshej askund dhe ajo që s‘kishte ekzistuar kurrë, bëhej pjesë e jetës pothuajse vetëkuptueshëm. Këtë gjë do ta marrim vesh  më vonë, kur rajoni do të përfshihej nga një luftë që s‘ishte lufta e shqiptarëve. Lufta vërtet s‘ishte e shqiptarëve, por rrjedhojat e saj tërësisht. Lufta  e ndryshoi jetën e njerëzve  me themel. Ndryshimi ishte i madh dhe i përhershëm. Bota s’ishte si më parë, ajo ka kishte ndryshuar,  për të keq. Një serb a sllav çfarëdo të vriste dhe s’ndiqej fare nga shteti për këtë krim, ai mund të të grabiste pronën e luajtshme dhe s‘i jepte  askujt  llogari. Të hynte në shtëpi si mysafir dhe pas pak ditësh të dëbonte nga ajo si të kishe qenë ti uzurpatori i saj. As toka dhe madje as varret s’ishin të sigurta. Serbët ta bënin të pamundshëm jetën, por kur vdisje  s’kishe vend as në varre, sepse toka e varreve jo rrallë i jepej ndonjë serbi që e kthente atë në vreshta, kurse gurët e varreve, si në Tetovë, përdoreshin për ndërtimin e godinave publike si stacioni i trenit në këtë qytet. Ndoshta edhe sot këta gurë varresh i gjen në këto mure. Gjithçka bëhej me kalkulim: shqiptarët duhej ta kuptonin se ishin të padëshiruar në këtë tokë, ndaj dhe duhej të iknin sa më shpejt. Fatkeqësia e madhe kishte filluar me Luftërat Ballkanike të vitit 1912-1913. Mllefi ndaj turqëve zbrazej mbi shqiptarët. Në shikim të parë duket sikur ky  ngatërrim të vinte nga  naiviteti a mosnjohja e fakteve, por jo,  e vërteta ishte krejt  ndryshe. Serbët e bënin këtë gjë me paramendim. Në fillim ata i goditën myslimanët, por shpejt ky mllef u drejtua edhe ndaj shqiptarëve katolikë. U kuptua shpejt se nuk ishte në shënjestër besimi, por etnia e shqiptarëve. Klerikët që atëbotë ishin pothuajse të vetmit shqiptarë të shkolluar u bënë caku i goditjes. Në mars të vitit 1913 u masakrua At Luigj Palaj haptazi, mes njerëzve, në një kohë që në shënjestër ishte ipeshkvi  Lazër Mjeda. Ky „serbofob“ nuk vritej leht, atë e mbronte Vatikani, Europa. Nga raportet e tij për Selinë e Shenjtë një gazetar vienez, Leo Frojndlih (Leo Freundlich), kishte shkruar një libër të tërë për krimet serbe mbi shqiptarët. „Golgotha shqiptare“ ia bënte të njohur botës tragjedinë kombëtare të shqiptarëve.  Ndërsa vrasja e ipeshkvit Lazër Mjeda nuk realizohej dot, këtë gjë e dinin mirë në Beograd, dëbimi i tij ishte punë që bëhej.  Erdhi viti 1921 kur imzot Lazër Mjeda u tërhoq nga ipeshkvia  dhe u emrua në Shkodër si arqipeshkëv. Dy vite të  tëra posti i tij në Shkup mbeti pa trashëgimtar, derisa më në fund u caktuar një slloven, Janez Gnidovec, në vendin bosh të ipeshkëvit. 

Pushtimi i ri u tregua shumë më i egër se ai i vjetri. Që në vitin 1913 Ferizaj apo Ferizovik, siç e quanin turqit, u bë Uroševac dhe gjuhë zyrtare u bë serbishtja, gjuhë që nuk e fliste seminaristi i Shkodrës dhe studenti i teologjisë në Innsbruck të Austrisë i vitit 1917 kur don Shtjefën Kurti do të dërgohej për studime atje. Kleri shqiptar në përgjithësi nuk e zotronte serbishten, kështu që kërkesa që  predikimi në kishë të bëhej në gjuhën serbe ishte praktikisht i pamundshëm. 

Serbët dhe malazezët që në këtë kohë i kishin treguar qëllimet e tyre, por e keqia e madhe ende s‘kishte ndodhur. Edhe e liga do kohë që të zhvillohet. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore do të formohej mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, pak ditë para vrasjes së At Shtjefën Gjeçovit, me 3 tetor 1929, ky shtet do të  shpallet Mbretëria e Jugosllavisë, Kraljevina Jugoslavije. Me këtë emër zhdukeshin kroatët dhe sllovenët si titullarë nga emri i shtetit, dhe nga realiteti i tij politik. Vendi u nda në banovina me qëllim që t‘i fshinte kufijtë etnikë të popujve që e përbënin këtë mbretëri dhe që donin një rregullim federativ në bazë të kufijve etnik. Kroatët dhe sllovenët do ta kuptonin shpejt se romantizmi i tyre politik i kishte zhytur në një llum real të tmerrshëm. Megjithatë kroatët kurrë nuk hoqën dorë nga kërkesa për banovinën e tyre. Për shqiptarët as që çante kush kokën. Ata nuk ishin as qytetarë të dorës së dytë. Shqiptarët konsideroheshin si qenie me bisht, të denja për t’i zhdukur nga faqja e dheut. Ndaj dhe elaboratet e shpeshta për dëbimin dhe shpërnguljen e tyre. Hapësira shqiptare u përfshi në tri banovina, në atë të Zetës, Moravës dhe të Vardarit. Nuk kishte mbetur asnjë shenjë që tregonte kufijtë etnikë shqiptarë. Edhe Jugosllavia komuniste më vonë  i ndau tokat shqiptare në republika të ndryshme, kështu që sot kemi shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Serbi. Shqipëria etnike paraturke kishte pasur kufij të tjerë, kurse  ajo pas Krizës Lindore u rrudhë shumë. Sot shqiptarët jetojnë në një areal që është tkurrur vazhdimisht gjatë shekujve. Sot kemi shqiptarë që ndihen si serbë, por serbë s’kanë qenë, ndihen si malazezë, por nuk kanë qenë të tillë, disa i thonë vetes maqedonas, të tjerë, më të paktë, kroatë, boshnjakë e turq. Turqit në Maqedoninë e Veriut përbëjnë 3,5% të popullsisë së vendit. Kisha, shkolla dhe shekujt e bënë të vetën, njerëzit s’guxuan, s’deshën ta quajnë veten shqiptarë, sepse me këtë emër ishe në shënjestër dhe s’jetoje gjatë. Sipas promemorjes së famullitarëve shqiptarë , në vitet në Mbretërinë e Jugosllavisë ishin vrarë në krahinën e Prizrenit  836 persona dhe ishin djegur 770 shtëpi, kurse në atë të Gjakovës 68 persona dhe i 56 shtëpi. Në krahinën e Pejës ishin vrarë 1563 shqiptarë dhe 714 shtëpi të tyre ishin djegur.  Në Vuçitern 2179 vetë ishin vrarë dhe 1463 shtëpi ishin djegur. Në rrethin e Kaçanikut ishin vrarë 340 persona dhe 298 shtëpi ishin djegur. Në krahinën e Ferizajt serbët kishin vrarë 1694 njerëz dhe kishin djegur 724 shtëpi, kurse në Gjilan e rrethinë kishte 636 të vrarë dhe 452 shtëpi të djegura. Këto ishin vetëm disa masakra të mëdha, por të vrarë kishte edhe të tjerë. Kishte fshatra, si ai i Dumnicës në rrethin e Vuçitërnës, që u ishte vënë flaka pas rrethimit. Ky katund u dogj me 10 shkurt 1924.

Nuk kishte shkolla shqipe, gjuha shqipe jo vetëm që ndalohej në institucionet publike dhe në shkolla, por ajo u nëpërkëmbë në të gjitha sferat e jetës, madje bëhej  përpjekje që të mos përdorej as në komunikimin e shqiptarëve  mes vete, p.sh. në telefonata. Në Rekë ku kishte ende shqiptarë ortodoksë, u ndalua bartja e kësulës së bardhë. Qeleshja u zëvendësua me shajkaqen. Ende aty-këtu brezi ynë mund të gjejë ndonjë gjurmë të kësaj dukurie në fotografitë e moçme. Ish deputeti  i Maqedonisë së Veriut Branko Manojllovski vjen nga kjo zonë dhe ende flet në gjuhën  shqipe.

Me 14 tetor 1929 u vra At Shtjefën Gjeçovi. Menjëherë u kërcënuan me vdekje nga „Narodna Odbrana“ edhe disa famullitarë shqiptarë, në mesin e të cilëve ishin don Shtjefën Kurti nga Ferizaj, don Gjon Bisaku nga Prizreni dhe don Luigj Gashi nga Shkupi. Këta do të shkojnë në Beograd te nunci apostolik Pellegrinetti me 14 dhjetor 1929 për t’i kërkuar atij pasaporta, sepse donin të emigronin, kurse pas kthimit nga Beogradi do ta kalojnë ilegalisht kufirin dhe do të dalin në Shqipëri. Ipeshkvi Gnidovec i këshilloi të tre famullitarët që të mos shkonin fare në Beograd, kurse Pellegrinetti as kishte dashur t‘i përfill kërkesat e tyre për  pasaporta udhëtimi, as nuk i kishte siguruar për jetën, por i kishte urdhëruar që të ktheheshin në famullitë e tyre. Ndryshe veproi ambasadori shqiptar në Beograd, Xhafer Vila. Ai u interesua për famullitarët shqiptarë dhe iu dha gjithë ndihmën e duhur. Nunci apostolik e dinte që shteti jugosllav synonte ta fuste serbishten në kishë, kështu që ky shtet bënte gjithçka  për zëvendësimin e tyre me klerikë sllavë, në mënyrë që predikimi në serbisht të futej në kishë disi pahetueshëm. Ipeshkvi Gnidovec, ndonëse një katolik  i mirë dhe i bindur, këtë çështje nuk e konsideronte si ndonjë dëm të madh për kishën.  Shteti  jugosllav ishte i vendosur për thyerjen me çdo kusht të qëndresës shqiptare në këtë institucion fetar. Komandanti i xhandarmërisë së Pejës i kishte thënë njërit  prej famullitarëve se „tani do të vijë edhe rradha jote.“ Një oficer tjetër xhandarmërie, njëfar Zharko Andjelković-i, në kërcënimin e tij ishte edhe më konkret: „Ne e kemi vrarë At Shtjefën Gjeçovin, tani do të vrasim edhe Atin e Pejës.“ Don Shtjefën Kurtit që ishte famullitar në Novosellë të Gjakovës, drejtori i shkollës në këtë fshat, Radovan Milutinović,  e kishte qortuar,  pse ai po ua mëson fëmijëve katekizmin në shqip.  Sipas tij, gjuha shqipe s‘kishte vend as  në shkollat e mësimit të fesë. Në vitin 1929 qe mbyllur edhe shkolla e fundit  shqipe në Shkup. Në këtë shkollë dhe në atë të Ferizajt njëri nga mësuesit kishte qenë edhe don Shtjefën Kurti. Pas vrasjes së avokatit shqiptar Luzo Batalaku, i cili u gjet i vdekur në shtëpinë e tij, u hodhën  në burg Kurti, Bisaku dhe Gashi. Në burg njëri prej tyre akuzohet se ishte anëtar i Komitetit të Kosovës dhe se kishte ndërtuar një kishë katolike shqiptare me paratë të huaja, të ardhura nga jashtë. Se këta tre famullitarë ishin „të padëshiruar e kishte  pohuar vetë Ipeshkëvi në një mbledhje me të dy në dekanatet, të Pejës dhe të Gjakovës“, shkruan Nikollë Lokaj në librin „Memorandumi drejtuar Lidhjes së Kombeve“. Me këtë materie njiheshin të gjithë. Rreziku fizik për jetën e don Kurtit, don Bisakut dhe don Gashit ishte real dhe rritej nga dita në ditë, kështu që ikja e tyre në Mbretërinë Shqiptare s‘ishte veçse një mundësi shpëtimi. 

Fillimi i vititit 1930 ata do t‘i gjejë në Shqipëri. Në Tiranë do t‘i pres madje edhe vetë mbreti. Shteti shqiptar ua dha të gjitha mundësitë për të zhvilluar aktivitetin e tyre politik të informimit. Vatikani fillimisht e quajti braktisje të famullive  aktin e tyre, por shpejt e korrigjoi këtë qëndrim të tij, duke i sistemuar ata në famullitë shqiptare. Diplomacia jugosllave paraqitej sikur nuk dinte asgjë për ikjen e tyre, duke zbrapsur kështu akuzat me kërcënim jete për famullitarët. Por hipokrizinë jugosllave e kuptonin mirë në Shqipëri e në Europë, sidomos në Itali. Shteti shqiptar ua dha pasaportat famullitarëve të ikur dhe gjithë ndihmën që duhej për misionin  e tyre të dëshmisë. Me 5 maj 1930 ata shkuan në Zvicër përmes Austrisë  dhe ia dorëzuan personalisht promemorien e tyre Lidhjes së Kombeve ( angl.: League of Nation) në Gjenevë. Lidhja e Kombeve kishte lindur nga propozimi fisnik i presidentit amerikan Wodrow Wilson. Ajo u themelua me 10 janar të vitit 1920 dhe veproi deri me 18 prill të vitit 1946. Lidhja e Kombeve është paraardhsja e Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i saj ishte ruajtja e paqës në botë. 63 anëtarët e saj vinin nga të gjitha anët e globit, por pa nismëtarën dhe ideatoren e saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Këta tre famullitarë që duhet të kujtohen për këtë akt atdhetar në Ferizaj, Prizren dhe në Shkup, sepse me këtë akt e ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare qysh në vitet 1930, sado që bashkësia e atëhershme ndërkombëtare ende taktizonte me Jugosllavinë dhe nuk ndërmori asgjë kundër saj. Sulmet e NATO-së në vitin 1999 janë rezultat edhe i kësaj promemorie. Efekti kumulativ i saj në rritjen e revoltës së Perëndimit ndaj Jugosllavisë nuk duhet nënçmuar. Mbretëria e Jugosllavisë kishte nënshkruar një varg aktesh ndërkombëtare për mbrojetjen  e minoriteteve etnike, mirëpo në praktikë ato fare s‘i zbatonte. madje i shkilte hapur, siç dëshmohet në këtë promemorie. Në këtë kohë, në vitin 1929 e 1930 , edhe Hasan Prishtina i kishte dërguar një memorandum Lidhjes së Kombeve. Lidhja e Kombeve ishte e informuar mirë për çështjen shqiptare. 

Don Shtjefën Kurti pushkatohet në Shqipëri

Rasti i don Shtjefën Kurtit është rast unik në botën shqiptare. Shteti komunist shqiptar njihet për natyrën e tij agresive, por në rastin Kurti mund të flitet për një ndërhyrje nga jashtë. 

Një kusheri i largët i don Shtjefën Kurtit ishte edhe shkrimtari Prenk Jakova dhe vëllau i tij,  zëvendëskryeministri i Shqipërisë Tuk Jakova. Siç tregon nipi i famullitarit të pushkatuar në vitin 1971 Nikolin Kurti, Tuk Jakova, pas kthimit të Enver Hoxhës nga Beogradi, e njoftoi Shtjefën Kurtin se do të arrestohej nga Koçi Xoxeja.  Nikolin Kurti thotë se për arrestimin e vitit 1946 të xhaxhait të tij me iniciativën jugosllave kishte mësuar nga Anton Berishaj, ish zëvendësministër i jashtëm i Republikës së Kosovës.  Anton Berishaj që ka jetuar një kohë në Slloveni ishte informuar atje se Enver Hoxha gjatë vizitës  së tij të parë dhe të vetme në Jugosllavi në vitin 1946 kishte mësuar për  don Shtjefën Kurtin nga Josip Broz Tito-ja, i cili kishte kërkuar arrestimin e tij. Enver Hoxha, sapo kthehet në Tiranë, e urdhëron Koçi Xoxen që ta arrestojë priftin shqiptar. Tuk Jakova, në këto rrethana, nuk mund ta shpëtonte kusheririn e tij të largët nga arrestimi, por atë që mund ta bënte, e bëri: e paralajmëroi atë. Don Shtjefën Kurti u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burg, paçka se vepra e tij penale s‘u dëshmua asnjëherë. Por për dënimin e kundërshtarëve të tyre, komunistët shqiptarë nuk kishin nevojë  për prova. Ata e kishin pushtetin dhe kjo ishte prova.

Qyteti i Ferizajt e ka shpallur para disa vitesh don  Shtjefën Kurtin „nderi i qytetit“, por asnjë shenjë nderimi nuk ekziston për të: asnjë emër shkolle, emër rruge a sheshi s‘e kujton atë. Edhe një libër luksoz për të, të financuar nga administrata e qytetit, me autorë Nikolin Kurtin dhe Nikollë Lokajn nuk e gjen në bibliotekën e qytetit. Nderimi i tij është abstrakt, formal. Deri më tani. Një monografi për jetën e don Shtjefën  Kurtit do ta nderonte qytetin, kurse një monografi tjetër për imzot Lazër Mjedën si kronist të viteve të tmerrit do ta plotësonte kuadrin. Shtëpinë e prindërve të don Shtjefën Kurtit e pat uzurpuar shteti i Jugosllavisë së Titos pas vitit 1945. Nuk ka asnjë shenjë të saj, por dihet se ku ka qenë ajo. Kujtesa historike na thotë se kjo shtëpi  duhet t‘i rikthehet qytetit si muze. Ndër të tjera, aty janë një pjesë e themeleve të këtij shteti. Brezi i ri  duhet të takohet me Promemorien e Lidhjes së Kombeve të vitit 1930 dikund, sepse një popull pa kujtesë historike është një popull pa të ardhme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat