I nderuar prof.dr. Fadil Sulejmani, ti shkove po veprat madhore arsimore e shkencore i la, për fat tempullin e parajsës njerëzore, Universitetin e Tetovës, me ndihmën e popullit e ndërtove, e gjallërove, e rrite dhe e bëre të pjekur për të studiuar, mirëpo ua le profesorëve që dikur të nënçmonin jo si Prof.dr., por si Lala Fadil.
Idealin tuaj të fuqishëm e të guximshëm arsimor e universitar e krahasonin me intelektualizëm të egërsuar e të vrazhdë. Kur ju ballafaqoheshit me pushtetin maqedonas, nga frika ata iknin e të krahasonin jo si idealist, por si malësor inatçor e i pacipë.
Po i nderuar Prof.dr. Fadil Sulejmani!, 80% e profesorëve që kanë ligjëruar e ligjërojnë tani në Universitetin tuaj jo që nuk të kanë dashur, por edhe të kanë përgojuar, nënçmuar e poshtëruar me çfarë do lloj epitetesh korruptive, se keni vjedhur para, se ke qenë i pa edukuar, se keni qenë fshatarak e jo intelektual, se Universitetin e keni bërë fabrikë parashë e pronë private tuajën, se s'je prof. dr, po Lala Fadil, e kështu me radhë. Ironia e hipokrizia më e madhë është se tani krenohen, reklamohen e fotografohen krahë për krahë me shtatorën tuaj.
Respekt e lamtumirë i nderuar prof. dr. Fadil Sulejmani, fizikisht me shtatoren tuaj jeni gjallë, kurse shpirtrisht Zoti të shoqëroftë me universitetet e parajsave në botën e përtejme!