Kush ka përparësi - Shtetësia e Kosovës apo simbolet kombëtare?

Opinione

Kush ka përparësi - Shtetësia e Kosovës apo simbolet kombëtare?

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 19 dhjetor 2024 Në ora: 10:07
Foto ilustrim

Të shtunën e shkuar emri i madh i futbollit shqiptar, Lorik Cana, ishte mysafir te Besim Dina në emisionin “Oksigjen”! E pashë lajmin në rrjetet sociale dhe u bëra kureshtar ta ndiqja ish-futbollistin dhe kapitenin e Kombëtares së Shqipërisë në rrëfimet e tij në këtë emision. Gjithçka mirë, gjithçka e pranueshme e madje motivuese. Besim Dina di se si t’i tërheqë mysafirët e tij në rrjetën e vet të mendimit.

Lorik Cana dha disa mesazhe edhe për idetë e tij kombëtare, për identitetin, kulturën, gjuhën, flamurin, shqiponjën e shumë simbole të tjera të shqiptarëve. Shpalosi se këto vlera të bashkimit kombëtar duhen ruajtur derisa Kosova të bëhet shtet e më pastaj të vendosim se çfarë të bëjmë, duke aluduar që të bashkojmë trojet shqiptar me një flamur, pra në një shtet. Tha se ne jemi dy shtete, por jemi një komb. Unë e di se zoti Cana nuk është ekspert i çështjeve për të cilat ai foli dhe nuk e gjykoj, as e paragjykoj për mendimet e tij publike, mendime të cilat i mbështeti plotësisht edhe moderatori Dina. As unë nuk e mbaj veten për ndonjë ekspert të madh, por për sa kam mësuar, më duhet që të shpreh qëndrimin tim rreth këtij lloj diskursi:

Së pari, duhet ditur se në teorinë e kombeve dhe shteteve, nuk ka komb pa shtet dhe nuk ka shtet pa komb. Që do të thotë se nuk mund të ketë dy shtete dhe një komb. Çdo komb i korespondon një shteti dhe çdo shtet përfaqëson një komb. Emërtimi që ka shteti është edhe emërtimi i vetë kombit. Kombi dhe shteti mund të jenë të një etnie, ose shumetnik, pra qytetar. Shembuj ka plot në këtë arsyetim. Kosova, përsa kohë është shtet, do të duhet të jetë shtet-kombëtar. Ndryshe vihet në pikëpyetje ekzistenca e shtetit. Kush vlen më shumë për interesin tonë kombëtar? Ekzistenca dhe forcimi i shtetit-komb të Kosovës, apo simbolet e origjinës së shqiptarëve?! Nëse zgjedh simbolet e trashëguara e të origjinës, atëherë do të detyrohesh të heqësh dorë nga shteti i Kosovës! Prandaj Kosova duhet të pajtohet me statusin e pavarësisë dhe shtetësisë! Shtetësia e Kosovës është sfida jonë kombëtare. Nuk janë përpjekjet për të rikthyer simbolet kuq e zi të trashëguara. Ato duhen ruajtur e respektuar te shoqëria shqiptare, por nuk mund të jenë simbole të dy shteteve njëkohësisht.

Së dyti, Kosova e kishte mundësinë ta ruante edhe trashëgiminë e simboleve në një formë ndryshe nga ato që ka Shqipëria. Por ato u kundërshtuan nga ithtarët e “bashkimit kombëtar” për shkak se ishin simbole të promovuara nga Ibrahim Rugova. Dhe këta idhtarë të “bashkimit kombëtar” pranuan simbole globalizmi të shtetit. Tani janë sërishmi këta “patriotë” (nuk e kam fjalën për Lorik Canën) që predikojnë simbolet shqiptare kombëtare. Por të flasësh për simbolet kombëtare shqiptare në Kosovë në dëm të shtetësisë, do të thotë të shkallmosh të dyja këta elementë. Duhet mbrojtur me fanatizëm ajo çfarë është e sanksionuar tashmë në Kushtetutën e Kosovës. Çdo përpjekje për ta paraqit të përkohshme këtë kushtetutë është përpjekje për të eliminuar shtetësinë e Kosovës. Nëse shqiptarët nuk e pranojnë shtetësinë bashkë me simbolet e tij, atëherë si do t’i tërheqin serbët ta njohin atë?!

Së treti, i madhi Lorik Cana dhe i famshmi Besim Dina e anashkaluan domosdoshmërinë e forcimit të Kombëtares së Futbollit të Kosovës, si mjet për forcimin e shtetësisë së saj. Folën për kontributet për pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, por nuk guxuan ta emërtojnë atë si Kombëtare. Sepse me të drejtën e tyre ata shohin një kombëtare dhe jo dy. Mirëpo kjo dilemë nuk i ka lejuar shumë futbollistë të kalibrit europian e botëror me origjinë nga Kosova që t’i bashkohen Kombëtares së Kosovës. Ka prej tyre që dalin e mbështesin subjekte të caktuara politike të Kosovës në fushatat elektorale, por nuk pranojnë të bëhen pjesë e Kombëtares së Kosovës. Ky është skandal dhe dëmton interesin kombëtar.

Vetë Lorik Cana nuk e ka ngrit zërin për këtë. Ai e tha hapur se më shumë e tërheq simboli i flamurit kuq e zi, sesa nevoja e jashtëzakonshme për ta parë një Kosovë dinjitoze në kampionatet evropiane e botërore të futbollit. Kakofonia dhe dilema si kjo, janë të dëmshme për Kosovën. Në çdo rast kur synohet një objektiv ka shumë rëndësi të hiqen mëdyshjet. Kjo bën që të merren vendimet e duhura. E di se intriga Rama-Duka i ka mbajtur shumë futbollistë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut te Kombëtarja e Shqipërisë. Por Cana duhej ta shihte më mirë rrugën e suksesit në Kosovë. Sepse Kosova ka sot nevojë për Canën dhe gjithë djemtë e saj futbollistë, kudo që ndodhen.

Këtë prisja ta dëgjoja, por nuk e pashë, as e dëgjova të shtunën e shkuar në emisionin “Oksigjen” të Besim Dinës! E në fakt nga Gjakova dalin gjithmonë mendime të kthjellta, jo të turbullta!

comment16 komente
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat