Sot mblidhen dy parlamentet, ai i Shqipërisë dhe i Kosovës. Takimi do të bëhet në Prishtinë. Pa rend dite! Pa agjendë pune! Thjesht me një rend fjalimesh propagandistike dhe promovuese të të dy mazhorancave dhe dy kryeministrave. Do të flasin edhe kryetarët e grupeve parlamentare shkurt. Por me kusht që të vlerësojnë performancën e kryeministrave Rama e Kurti. Sidomos të Edi Ramës!
Megjithatë çdo shqiptar, çdo qytetar i Shqipërisë dhe i Kosovës do të duhej të dëgjonte edhe disa refleksione:
Pse parlamenti i Shqipërisë nuk e miratoi rezolutën e paraqitur nga deputeti demokrat, Tritan Shehu, për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë? A ka të bëjë kjo me marrëdhëniet e ngushta të kryeministrit të Shqipërisë me presidentin e Serbisë? Sigurisht që po! Atëherë a do të duhej që në këtë mbledhje të sotme të reflektonte kryeministri Rama dhe të kërkonte ndjesë se nuk ia arriti ”ta bind” presidentin Vuçiq për njohjen de jure të Kosovës, siç pati premtuar kur nisi bashkim-vëllazërim shqiptaro-serb? Në fakt ky arsyetim ishte maska e lidhjeve të ngushta Rama-Vuçiq!
Reflektim do të thotë të shihen gabimet e së shkuarës dhe të përfitohet nga përvoja e përbashkët. Në këtë aspekt shtrohen disa paradigma:
- A do të kërkojë ndjesë Edi Rama pse i vendosi sanksione politike Kosovës pas ngjarjeve të fundit të qershorit 2023? Pra, pse anuloi në minutën e fundit mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive? Sigurisht që jo! Madje do të thotë se e bëri këtë maskarallëk “për ta mbrojtur Kosovën”, pasi që kishte dijeni se shtetet anti-Kosovë në Evropë do ta ndëshkonin më shumë atë.
- A do të kërkojë ndjesë Edi Rama për thënien e tij “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”, madje pasi u asgjësua kompania paraushtarke e terroristëve serbë në Banjskë? Dhe për më tepër, a do ta njohë suksesin e qeverisë së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit të saj në veri të vendit? Apo do të vazhdojë të këshillojë që “Të mos veprohet në veri pa marrëveshje në dialogun me Serbinë”?! A do të kërkojë edhe në këtë mbledhje që veriu i Kosovës të vihet nën protektoratin e KFOR-it, pra NATO-s, siç pati kërkuar në verën e vitit 2023?! Apo do të reflektojë dhe do të kërkojë ndjesë për atë kërkesë pro-serbe e anti-shqiptare?!
- Mbledhja e dy parlamenteve do të duhej të ishte transparente dhe t’i jepte përgjigje pyetjes pse u përça politika shqiptare dhe ajo kosovare deri në pikën që një pjesë e saj t’i bashkohet ideologjisë dhe interesave serbe në Kosovë dhe një pjesë tjetër të rezistojë jo vetëm kundër sulmeve serbe, por edhe kundër sulmeve të ngjajshme në Kosovë e në Shqipëri?! A do të mbahet dikush përgjegjës për këtë? Dhe duhet ditur se ky dikushi e ka organizuar këtë mbledhje “për të larë m.t me sh.rrë”, pra për të maskuar veprimtarinë e tij përçarëse Brenda shqiptare për llogari të Beogradit! Emri I tij është Edi Rama!
Në mbledhje do të flasin dy krye parlamentarët, shefat e grupeve parlamentare dhe në fund dy kryeministrat. D.m.th. nuk do të ketë debat! Nuk do të ketë diskutime! Do të ketë një paradë! Kjo paradë do të fshehë gjendjen faktike, dasitë dhe veprimtarinë përçarëse të kryeministrit të Shqipërisë. Megjithatë opinioni duhet të shqetësohet jo vetëm për këtë fakt. Duhet të shqetësohet edhe për faktin se dy kryeministrat do të hiqen si shefat realë të të dy parlamenteve. Ndërkohë që ata me kushtetutë përgjigjen dhe japin llogari para legjislativit. Kjo mbledhje do të ri konfirmojë se sidomos Edi Rama qëndron mbi parlamentin, mbi legjislativin, se ai nuk jep llogari, por kërkon llogari dhe jep direkativa si diktatorët e të gjitha llojeve. Ndryshe nuk kishte pse flisnin kryeministrat, aq më tepër në mbyllje të punimeve. Në këtë mbledhje duhej të flisnin dy presidentët, zonja Osmani dhe zoti Begaj. Me kushtetutë ata janë kryetarë të shteteve tona.
Kësisoj në këtë mbledhje do të kemi një disbalancim të pushteteve, përforcimin e pushtetit të kryeministrave, përfshirë dhe kryeministrin Kurti. Përveçse një propagandë dhe përpjekje për të manipuluar opinionin publik në prag zgjedhjesh elektorale!