Shqipëria dhe Kosova u takuan

Opinione

Shqipëria dhe Kosova u takuan

Nga: Milazim Maraj Më: 21 dhjetor 2024 Në ora: 20:37
Milazim Maraj

Këtë takim që më gojë hapur e pritën shqiptarët e Kosovës dhe viseve të banuara me shqiptarë jashtë Shqipërisë, sigurisht edhe të Shqipërisë; nuk dha rezultate të pritura. Janë dy shtete të pavarura që, në këtë situatë të zhvillimeve shoviniste ruse dhe serbe, do të duhej të mbyllnin hapësirat për pyka të huaja në mes të dy shteteve tona dhe shqiptarëve kudo që janë. U nënshkruan shumë marrëveshje, por që nuk e tejkalojnë një gjysmë miliardi euro. Kjo quhet sukses! Më mirë pak së hiq.

Por deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edvin Rama, ishte një deklaratë puro serbe e përkthyer në shqip. Në këtë deklaratë, Z. Rama këshilloi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ky të ngrijë dialogun me Serbinë dhe të zbatojë të gjitha kërkesat e Serbisë, pa kurrfarë kushtesh, dhe këtë krejt për ta fituar besimin e Brukselit. Çka do të duhej të bënte Serbia për ta përkrahur Kosovën në këtë dialog? Këtë nuk e tha. Serbia këtë e kërkon: të formohet Asociacioni dhe pastaj të vazhdojë me kërkesat tjera për aneksim të territorit të Kosovës (pjesës më të rëndësishme të saj) mbi realitetin e ri të krijuar sipas kërkesës tuaj që është edhe e Vuçiqit.

Shqipëria ka marrëdhënie të mira me Kinën. A keni kërkuar nga Kina ndonjëherë që ajo ta njohë Kosovën? Kjo kërkesë e z. Rama është që Kosovën ta çarmatosë tërësisht nga argumentet e veta në këtë dialog me okupatorin. Pse z. Rama di kaq keq? A ka ky njeri ndjenjë kombëtare? Kjo që z. Rama tha në Kuvendin e Kosovës ishte e tëra në favor të Serbisë. Kjo do të thotë edhe një hap më afër copëtimit të tokave tona. A duhet të japim tokë për të na bërë dikush duartrokitje? Këso ndihme na ofron vëllai i madh nga Shqipëria.

Deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë, Edvin Rama, për sulmin terrorist në veri të Kosovës nga terroristët serbë nuk dallonte shumë nga ajo e Kryeministrit Viktor Orban. Në Prishtinë, z. Rama shprehu edhe “dhimbjen” për të burgosurit në Hagë dhe u shpreh i gatshëm që të nxjerrë një rezolutë, qoftë edhe të përbashkët me Parlamentin e Kosovës, kundër këtij gjyqi të pakuptimtë, sikur e quan ai. Si do të përkthehet ky paternalizëm i çuditshëm? Kërkon të plotësojë kërkesat serbe për të fituar simpatinë e Brukselit, ndërsa kërkon që të kundërshtojë drejtësinë që po bëhet në Gjykatën e Kosovës në Hagë?

Rama pastaj vazhdon: se edhe Hashim Thaçi ka ngritur dorën që të aprovojë formimin e kësaj gjykate. Jo vetëm që e ka ngritur dorën, por ai e ka themeluar vet dhe ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës ta votojë formimin e kësaj gjykate. Madje ai ka thënë se ata që nuk e votojnë janë tradhtarë të Kosovës. Pastaj ai as sot nuk po kërkon që kjo gjykatë të shuhet si e pakuptimtë, por po kërkon që të mos ketë njëanshmëri. Z. Rama, do të ishim të lumtur sikur të dëgjonim një propozim tuaj të mençur që shkon në dobi të kombit shqiptar.

Në këtë takim ne pritëm që ju do të bënit një platformë të përbashkët me Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës për interesat kombëtare të shqiptarëve në Gadishullin Ilirik. Por këtë ju as që e përmendët. Pritëm që ju do të kërkonit që të mos shtypen shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, që të mos fshihen adresat e tyre, që të mos pengohen subvencionet që Kosova u ofron bujqve në këto komuna, të ndalen masat gjenocidale dhe asimiluese që po ushtrohen kundër mbi 13.000 shqiptarëve që jetojnë në tokat dhe shtëpitë e tyre të okupuara nga Serbia.

Ne pritëm zërin e arsyes nga ju, dy qeveritë shqiptare, që të hartohej një platformë e përbashkët për zbatimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, sipas marrëveshjes ndërkombëtare të Ohrit. Ne pritëm që ju të interesoheshit për shkollat shqipe në fshatrat shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që nuk kanë shkolla në gjuhën shqipe, por detyrohen të mësojnë në gjuhën maqedonase. A ndjeni sadopak këtë dhimbje si Kryeministër shqiptar për popullin tuaj të nëpërkëmbur pa mëshirë dhe që po asimilohet nën peshën e kësaj shtypjeje proruse dhe ruse? A nuk e keni parë kurrë të arsyeshme të ngrini zërin në OKB apo në BE?

Takimi i qeverive Shqipëri-Kosovë pati të rëndësishëm vetëm foton që ishin bashkë, por janë larg vendimeve të rëndësishme kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat