Fenomenet e kohës: Lufta për bajraktarizëm i zhveshi politikanët e Llapit?!

Opinione

Fenomenet e kohës: Lufta për bajraktarizëm i zhveshi politikanët e Llapit?!

Nga: Ismail Muçiqiq Më: 22 dhjetor 2024 Në ora: 15:58
Autori Ismail Muçiqi

Regjioni i Llapit gjatë historisë ka dhënë shumë mendimtarë të odave dhe kullave, shumë trima e atdhetarë, veprimtarë të dëshmuar që u sakrifikuan nëpër burgje për të mirën e kombit shqiptar. Këta burra gjatë shekullit të kaluar u bashkuan për t’i dalur zot vendit, edhe atëherë kur kufijtë e Kosovës rrezikoheshin nga Serbia dhe armiqtë tjerë të Kosovës. Burrat e Llapit i qëndruan besnik “Besës Shqiptare”, mikpritjes, duke e kultivuar gjeneratë pas gjenerate traditën shqiptare dhe vlerat sublime të kombit. Kjo ishte historia e ndritshme e burrave të Llapit, që nuk do koment.

Çfarë ndodhi më vonë?

Me fillimin e pluralizmit dhe proceseve demokratike u aplikua sistemi shumë-partiak. Llapjanët ishin ata të cilët i dhanë energji formimit të Lidhjes Demokratike, duke u rreshtuar pas Dr. Ibrahim Rugovës. Çfarë ndodhi më vonë? Lufta për pushtet dhe bajraktarizmi luhatën karakterin dhe integritetin e individëve të caktuar, të cilët filluan të merreshin me politikë dhe u bënë pjesë e strukturave dhe organeve, deri tek kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lakmia për pushtet, përkatësisht për t’u bërë i pari, bëri që kjo plejadë e politikanëve të Llapit, në fund, të përçahet, duke humbur vizionin dhe unitetin për të bërë politikë. Kështu, në organet e Lidhjes Demokratike të Kosovës u bënë pjesë shumë emra nga regjioni i Llapit, të cilët me vite ishin pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Po i përmendim vetëm disa afër Ibrahim Rugovës në kryesinë e LDK-së dhe në Këshillin e Përgjithshëm ishin: Rexhep Gjergji, Zejnullah Rrahmani, Fatmir Sejdiu, Naip Zeka, Sabri Hamiti, Agim Veliu, Skender Hyseni, Ilaz Pireva, edhe emra të tjerë të cilët ishin shtylla kryesore e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Epshet karrieriste dhe lakmia për pushtet, nganjëherë, e zhveshin personalitetin e njeriut. Kjo ndodhi kur naiviteti dhe rrymat e ndryshme të shërbimeve parapolitike ua futën pykat Llapjanëve, duke i përçarë dhe më vonë duke i zhveshur nga petku i politikës dhe i pozitave që mbanin në institucionet e shtetit.

Rasti më i veçantë, i cili i solli dëme të mëdha jo vetëm Lidhjes Demokratike, por gjithashtu institucioneve të shtetit, ishte marrja e timonit të drejtimit të partisë LDK nga Fatmir Sejdiu tek Isa Mustafa. Kjo ishte goditja më e rëndë që i ndodhi Lidhjes Demokratike, e cila më vonë humbi kredibilitetin dhe kohezionin rugovist. Nga kjo përçarje, më vonë u anashkaluan pothuajse të gjithë kuadrot e lartpërmendur Llapjanë, të cilët dikur ishin në sofrën e parë të LDK-së dhe në lëvizjen gjithpopullore në Kosovë.

Pykat dhe tradhtitë nuk përfunduan vetëm me Fatmir Sejdiun dhe kuadrat e tjera që ishin pjesë e strukturave partiake të LDK-së dhe pjesë e institucioneve të shtetit, por këto (marifete) vazhduan që nga vdekja e Ibrahim Rugovës e këndej. Llapjanët, me politikën e verbër, me sindromin për bajraktarizëm, e paguan shtrenjtë pozicionin në politikën kadrovike të Kosovës.

Tani kjo më së miri u dëshmua para pak ditësh, kur ish-Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, mbeti jashtë listës për deputet të Parlamentit të Kosovës. Kështu, Llapjanët, duke u shtyrë me bërryla, se kush do të arrijë i pari në Prishtinë, jo që i realizuan iluzionet e tyre, por mbetën të përçarë, të anashkaluar, të përbuzur, të zhveshur, si thotë populli, “si qyqja në rremë”. Në fund, po theksojmë se Llapjanët, edhe pse e paguan fakturën me çmimin më të lartë gjatë historisë, më në fund, duke u përçarë mes veti, mbetën të djegur dhe të mashtruar edhe kësaj here.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat